Versioni Beta

Cerca

Vatican News
moltiplicazione dei pani vangelo moltiplicazione dei pani vangelo 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 17-të gjatë vitit “B”

Fragmenti i Ungjillit (Gjn 6.1-15) na tregon se Krishti është i vëmendshëm dhe i kujdesshëm ndaj nevojave materiale të njerëzimit, por ai don të na dhuroi më tepër, sepse njeriu është gjithmonë i ‘uritur për diçka më tepër, ka nevojë për diçka më shumë. Në bukën e Krishtit është e pranishme dashurie e Zotit.

R. SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të lexojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë Hyjnore të dielës së 17-të gjatë vitit kishtar të ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik. Për arsye të shkurtësisë së Ungjillit të Markut, me këtë të diele nis leximi i “Fjalimit mbi bukën e jetës” të cilin e gjejmë në kreun e 6 të Ungjillit të Gjonit. Është një katekizëm i gjerë mbi Eukaristinë, që do të na shoqërojë deri të Dielën 31 gjatë vitit liturgjik. 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 17-të “B”

Në mrekullinë e shumëzimit të bukëve të Jezusit, për çka flet pjesa ungjillore e dielës së sotme, kemi një shembull të qartë të domethënies së përdëllimit të Zotit ndaj njerëzve, e kemi po kështu edhe thirrjen të mendojmë ndaj shumë vëllezërve e motrave që këto ditë, në vende të ndryshme të botës, po edhe krejt pranë nesh, vuajnë në mënyrë veçantë pasojat e urisë, të egoizmit e të prepotencës. 

Në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele, që na flet për shumëzimin e bukëve, vërejmë se mrekullia e Jezusit e ka qendrën në ndarjen e përbashkët vëllazërore të atyre pak bukëve që turma kishte, të cilat, iu besuan fuqisë së Zotit, e kështu ato jo vetëm që mjaftuan për të gjithë, po madje tepruan, deri në mbushjen e dymbëdhjetë shportave.

Jezusi Zot i nxit nxënësit t’ua shpërndajnë bukën turmës së uritur të popullit, në këtë mënyrë i mësoi dhe i përgatiti për misionin e tyre të ardhshëm apostolik. E vërtet ata duhet t’u çojnë të gjithë njerëzve ushqimin e Fjalës së jetës dhe të Sakramenteve. Në këtë shenjë të mrekullueshme gërshetohet mishërimi i Hyjit dhe vepra e shëlbimit.

Fragmenti i Ungjillit na tregon se Krishti është i vëmendshëm dhe i kujdesshëm ndaj nevojave materiale të njerëzimit, por ai don të na dhuroi më tepër, sepse njeriu është gjithmonë i ‘uritur për diçka më tepër, ka nevojë për diçka më shumë. Në bukën e Krishtit është e pranishme dashurie e Zotit. Kisha na fton si besimtarë t’ia hapim zemrën ndaj nevojave të të afërmit e të jemi të plot përdëllim dhe bujari vëllazërore.

Edhe një diçka tjetër, Ungjilli i kësaj së diele, na çon nga vendi i pushimit, në jetën e përditshme, sepse na tregon sesi pas shumëzimit të bukëve, Zoti  Jezu Krishtit ngjitet në mal për të ndenjur vetëm me Atin Hyjnor. Ndërkaq nxënësit janë në liqen e, me barkën e tyre të vjetër, lodhen më kot për të përballuar erën e kundërt. Edhe sot  në shumë vise të tokës, Kisha përpiqet të përparojë, pavarësisht nga era e kundërt, e duket sikur Zoti është tepër larg, por Ungjilli na jep përgjigje, ngushëllim e zemër. Njëkohësisht na tregon edhe udhën. Krishti na shtrin dorën, ashtu si nxënësve, e vetëm në se ne e shtrëngojmë atë dorë dhe e lemë të na prijë, udha jonë është e drejtë dhe e mirë. Për këtë duam të lutemi, që ta shtrëngojmë gjithnjë dorën e Tij e, më pas, t’ia shtrijmë edhe ne dorën atyre që kanë nevojë, për t’i udhëhequr në ujërat e historisë sonë .

                                                          Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë   2 Mbr 4, 42-44

Profeti Elizeu, ashtu si profeti Elia, ka detyrën për të rizgjuar ndërgjegjen e popullit, në çastin në të cilin zotat paganë kthehen në modë.  Ai shumon bukët dhe u kujton të gjithëve që Hyji është burimi i vetëm i jetës dhe i pjellorisë dhe bujaria e tij nuk ka kufij.  Buka me bollëk është simbol i Eukaristisë.

 Lexim prej Librit të dytë të Mbretërve

Në ato ditë, erdhi tek Elizeu një njeri prej Baalsalisës dhe i solli njeriut të Hyjit bukë të fryteve të para: njëzet bukë elbi dhe grurë të ri në duqet e veta. Elizeu i tha shërbëtorit të vet: “Ndaju njerëzve të hanë!” Shërbëtori iu përgjigj: “Si t’ua vë para këto njëqind njerëzve?” Por ai i tha sërish: “Jepi popullit të hajë! Sepse kështu thotë Zoti: ‘Do të hanë dhe do t’u teprojë’!” Ua shtroi, pra, dhe ata hëngrën dhe u teproi sipas fjalës së Zotit. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin !

Psalmi 145

Hape dorën tënde, o Zot,

dhe ngije çdo gjallesë

Le të lavdërojnë, o Zot,

të gjitha veprat e tua,

e le të bekojnë shenjtërit e tu.

Le ta tregojnë lavdinë e mbretërisë sate,

le të kuvendin për pushtetin tënd.

 

Sytë e të gjithëve shpresojnë në ty:

ti u jep ushqim në kohën e duhur.

Ti e hap dorën tënde,

dhe mbush me të mira çdo gjë të gjallë.

 

I drejtë është Zoti në të gjitha udhët e veta,

dhe i shenjtë në të gjitha veprat e veta.

Zoti është afër të gjithë atyre

që e thërrasin,

të gjithë atyre që e thërrasin me çiltëri.

 

Leximi dytë Ef 4,1-6

Pali i nxit të krishterët të kalojnë çdo ndarje dhe të ecin drejt njësisë me një jetë të përvuajtur, të ëmbël dhe të durueshme.  Jeta jonë e krishterë është e themeluar mbi njësinë e besimit të pagëzimit, në të cilin njihet një Zot i vetëm dhe një Hyj i vetëm, Atë i të gjithëve.  Hyji është mbi të gjitha ndarjet tona dhe është i pranishëm në ata që jetojnë si bij të Hyjit.

 Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Vëllezër, ju përbej unë, i burgosuri në Zotin: jetoni denjësisht si i ka hije thirrjes që keni marrë: me plot përvujtëri, butësi e duresë; duroni njëri-tjetrin me dashuri! Bëni çmosin ta ruani njësinë e Shpirtit me anë të paqes që ju bashkon. S’ka por një Trup të vetëm dhe një Shpirt të vetëm – sikurse edhe jeni të grishur në një shpresë të vetme të thirrjes suaj. Nuk ka por një Zot, një fe, një pagëzim; një Hyj të vetëm, Atin e të gjithëve, i cili sundon mbi të gjithë, vepron nëpër të gjithë e banon në të gjithë.  Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

 

Aleluja. Aleluja.

Profet i madh u duk ndër ne! Hyji e pa popullin e vet!

Aleluja. Aleluja.

 Ungjilli   Gjn 6, 1-15

Jezusi thyen bukën për të ushqyer njerëzit e uritur.  Kjo mrekulli tregon që akoma sot është Ai që ngop atë uri, e cila gjendet në zemrën e njeriut.  Ungjilltari sheh në këtë shenjë themelimin e Eukaristisë, në të cilën Krishti vetë do të bëhet buka e njerëzve.  Njerëzit të mahnitur nga kjo mrekulli brohorasin Jezusin si Moisiun e ri, por Ai nuk dëshiron të keqkuptohet dhe fshihet.  Jezu Krishti shuan urinë e popullit, por nuk përfiton prej të varfërve për t’i zotëruar ata: është një i varfër si ata.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë Jezusi kaloi në anën tjetër të detit të Galilesë, që quhet edhe i Tiberiadit. E ndiqte një shumicë e madhe, sepse shihnin mrekullitë që bënte në të sëmurë. Jezusi u ngjit në një kodër, ku u ul të rrijë bashkë me nxënësit e vet. Ishin afër Pashkët, e kremtja e judenjve. Jezusi çoi sytë dhe pa një shumicë të madhe njerëzish që po vinte tek ai e i tha Filipit: “Ku do të blejmë bukë që të hanë këta njerëz?” Foli kështu për ta sprovuar, sepse ai vetë e dinte se çka kishte në mend të bënte. “As dyqind denarë bukë – i përgjigji Filipi – nuk do të dilnin mjaft për t’i dhënë secilit nga një grimë.” I tha njëri nga nxënësit, Andreu, i vëllai i Simon Pjetrit: “Këtu është një djalosh që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël. Por, çka janë këto për kaq njerëz?” Jezusi u tha: “Thoniu njerëzve të ulen.” Në atë vend kishte shumë bar. U ulën, pra, rreth pesë mijë burra.  Jezusi mori bukët, u falënderua dhe ua dha atyre që ishin ulur. Po ashtu edhe prej peshqish – aq sa deshën. E kur u nginë, u tha nxënësve të vet: “Mblidhni tepricat që të mos tresë asgjë.” I mblodhën, pra, dhe mbushën dymbëdhjetë shporta me copa që u tepruan atyre që hëngrën prej pesë bukëve elbi. Njerëzit, kur panë mrekullinë që bëri Jezusi, thanë: “Ky është përnjëmend Profeti që duhet të vijë në botë.” Kur Jezusi hetoi se duan të vijnë e ta kapin për ta bërë mbret, u tërhoq përsëri në mal, krejtësisht vetëm. Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

27 korrik 2018, 18:42