Gesù inivia i discepoli Andate per le strade Gesù inivia i discepoli Andate per le strade 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 16-të gjatë vitit ‘B’

Këtë të diele Ungjilli na flet për kthimin e Dymbëdhjetë Apostujve nga misioni tek Jezusi, të cilit i tregojnё gjithçka kishin bërë e mësuar. Ungjilli e vë theksin mbi misionarin e vërtetë të përdëllimit të Hyjit, mbi bariun e vërtetë që për grigjën e vet është i gatshëm të jap jetën e vet, e ky është Jezu Krishti, e vetëm Ai.

R. SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 16-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës. Tema kryesore e leximeve biblike të liturgjisë Hyjnore të kësaj së diele është kjo: vetëm Krishti Zot është bari i vërtetë dhe shpëtimtar i vetëm i njerëzimit. Jezusi, pra, është Bariu që i jep bashkim e paqe grigjës së besimtarëve të vet, Ai plot përdëllim përkujdeset për grigjën e tij. 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 16-të gjatë vitit ‘B’

Të dielën e kaluar, nga Ungjilli i së dielës së 15-të dëgjuam e pamë se si Jezusi e dërgoi grupin e parë të apostujve, dy nga dy në misionin e shpalljes së Mbretërisë së Zotit. Këtë të diele të 16-të, Ungjilli na flet për kthimin e të Dymbëdhjetë Apostujve nga misioni dhe pёr “mbledhjen e tyre përreth Jezusit, të cilit i tregojnё gjithçka kishin bërë e mësuar”.

Por Ungjilli i kësaj së diele e vë theksin mbi misionarin e vërtetë të përdëllimit të Hyjit, mbi bariun e vërtetë që kujdest e për grigjën e vet është i gatshëm të jap jetën e vet, e ky është Jezu Krishti, e vetëm Ai. Të tjerët, këndej edhe ne me të tjerët, jemi bashkëpunëtorë, pra është Ai e vetëm Ai, Krishti Jezus, që merr nismën, që ngushëllon, që shpëton. Edhe sot përmes kësaj liturgjie të shenjtë. 


Në Ungjill, Jezusi i fton nxënësit e vet, të lodhur nga misioni i predikimit të Mbretërisë së Hyjit, të shkojnë me Të në një vend të vetmuar, për të pushuar e për t’i formuar sipas zemrës së Tij tё butё e tё pёrvujtё. Por shpejt, shumë njerëz u nisen në kërkimin e Mësuesit Hyjnor dhe arritën tek Ai. Jezusi pa një mori të jashtëzakonshme njerëzish të çorientuar, pa udhëheqje, si delet pa bari, pa cak, të braktisur. E Jezusi prekët thellë në zemër dhe përmallohet për gjendje e mjerueshme të njerëzimit të braktisur e të pa cak, dhe pa i lënë anash nxënësit, Ai kujdeset për morinë njerëzve. Jezusi e di se, më tepër se për bukë e shërim të trupit, këta njerëz kanë nevojë për një zë që t’i ngushëllojё, për një fjalë shprese, për një person që t’i duaj. 

Shën Pali Apostull, në leximin e dytë të kësaj së diele, e paraqet Jezusin si Atë që e bashkon popullin në një trup të vetëm përmes Kryqit të tij. Për ta bashkëndarë logjikën e Jezusit, bariut të mirë, edhe ne duhet të mёsojmё e t formohemi nё shkollёn e Mësuesit Hyjnor, të “ripërtërihemi” e të përforcohemi nga Shpirti i Tij. 

                                                Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë Jer 23, 1-6
Shumë gjëra shemben rreth profetit ashtu si sot rreth nesh. Shpesh faji është i drejtuesve që janë të paaftë dhe pa interesa për popullin. Megjithatë Hyji nuk braktis planin e tij për popullin. Profeti Jeremia shpall ardhjen e një mbreti të vërtetë që do të jetë i ditur dhe do të udhëheqë popullin në drejtësi dhe në të drejtë sipas zemrës së Hyjit. 

Lexim prej Librit të Jeremisë profet

“Vaj për barinjtë që e lënë të sharrojë dhe e shpërndajnë grigjën e kullotës sime”, thotë Zoti. Për këtë arsye kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit, për barinjtë që e kullotin popullin tim: Ju e tretët grigjën time; i shpërndatë delet e mia e nuk u kujdesuat për to. Ja, pra, unë vetë do të merrem me ju: do ta ndëshkoj sjelljen tuaj të keqe! - është fjala e Zotit! Po, unë vetë do ta bashkoj tepricën e grigjës sime nga të gjitha vendet, ku i pata flakur, e do t’i kthej në kullotat e tyre: do të sillen mbarë e do të shumohen. Unë vetë do t’u caktoj barinj që do t’i kullotin; më s’do të kenë frikë as nuk do të tremben, asnjë kokërr nuk do të mungojë - është fjala e Zotit. Ja, po vijnë ditët - është fjala e Zotit – kur do t’ia lartoi Davidit pinjollin e drejtë, që do të mbretërojë si mbret i vërtetë dhe do të jetë i urtë e do të ushtrojë në vend të drejtën e drejtësinë. Ndër ato ditë Juda do të shpëtojë e Izraeli do të jetojë në paqe. Ja emri me të cilin do ta quajnë: ‘Zoti ynë – drejtësia jonë!” Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Psalmi 23
Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon

Nëpër fusha të gjelbra Ai më jep pushim,
më prin në ujëra të qeta, 
shpirtin ma përtërin.
Ai më prin shtigjeve të drejta
në saje të dashurisë së Emrit të vet.

Po edhe në kalofsha 
nëpër luginën e hijes së vdekjes,
s’trembem nga e keqja sepse ti je me mua:
thupra jote dhe kërraba
për mua janë ngushëllim.

Ti ma shtron tryezën përpara
Ndër sy të armiqve të mi,
me vaj erëmirë kryet ma lyen,
gotën ma mbush plot e përplot.

Hiri dhe mirësia do të më përcjellin
në të gjitha ditët e jetës sime,
do të banoj në shtëpinë e Zotit
derisa të jem gjallë.

Leximi dytë Ef 2,13-18
Jezusi u ka dhënë fund të gjitha dallimeve dhe ndarjeve mes njerëzve. Kryqi i tij është pika e takimit ku mund të bisedojnë besimtarët dhe jobesimtarët, përgjegjësit dhe vartësit. Kryqi i drejtuar drejt qiellit dhe i ngulur në tokë, ka rrënjosur rrënjët e tij në zemrën e çdo qenie njerëzore, por lulëzon në lirinë e pafundme të Hyjit. Në Krishtin edhe armiku bëhet vëlla, për të pajtuar së bashku njerëzimin e plagosur. 

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Vëllezër, tani, në Jezu Krishtin, ju që ishit larg, erdhët ngjat, në saje të gjakut të Krishtit. Përnjëmend Ai është paqja jonë, Ai që prej dy popujve bëri një, e përmbysi murin ndarës, domethënë armiqësinë, në trupin e vet. Ai e shfuqizoi ligjin e urdhërimeve me të gjitha rregulloret, me qëllim që prej dyve, paganëve e hebrenjve, të trajtonte në vetvete një njeri të ri, e duke vendosur paqen, të dy t’i pajtonte në një trup me Hyjin me anë të kryqit duke e asgjësuar në vetvete armiqësinë. E prandaj erdhi t’ju kumtojë paqen juve që ishit larg, paqen edhe atyre që ishin ngjat. Në saje të tij, pra, si njëra palë ashtu edhe tjetra, kemi të drejtë të dalim para Atit në fuqi të të njëjtit Shpirt Shenjt. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Aleluja! Aleluja! 
Dhentë e mia e dëgjojnë zërin tim, thotë Zoti; unë i njoh dhe ato vijnë pas meje.
Aleluja!

Ungjilli Mk 6, 30-34

Apostujt janë populli i ri i Hyjit, grigjë e vogël e krijuar në shkretëtirë, që ka brenda vetes thirrjen e shpëtimit për të gjithë njerëzit. Kisha edhe sot zotëron të njëjtin mision. Fryti i saj nuk vjen nga mbështetja në fuqinë dhe nuk vjen nga rëndësia e institucioneve, por nga bashkësitë e vogla që jetojnë me besim dhe dëshmojnë të renë e thellë të Ungjillit, dhe nuk mbyllen në vetvete.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, apostujt u bashkuan prapë te Jezusi dhe i treguan gjithçka kishin bërë dhe kishin mësuar. Atëherë ai u tha: “Ejani dhe ju në një vend të pabanuar e pushoni pak në vetmi.” Sepse aty aq shumë njerëz vinin e shkonin sa që s’kishin kohë as të hanin. Ata u nisën me barkë për në një vend të pabanuar, në vetmi. Porse njerëzit i panë në ç’drejtim u nisën e shumica e morën me mend vendin ku do të shkonin dhe, këmbë, prej të gjitha qyteteve, shkuan atje e arritën para tyre. Kur Jezusi doli nga barka, pa një turmë të madhe të popullit, iu dhimbsën, sepse ishin porsi ‘dhentë pa bari’, e filloi t’u mësojë shumë gjëra. 
Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

21 korrik 2018, 07:53