VANGELO VANGELO 

Liturgjia e Fjalë së Zotit e dielës së 14-të gjatë vitit kishtar ‘B’

Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele flet për pranimin dhe refuzimin e profetit e të Jezusit, na flet mbi fenë dhe mosbesimin e njeriut. Edhe sot, Krishti i përshkon shtigjet e jetës sonë duke na sjell Fjalën e Tij Jetëdhënëse: na takon neve ta pranojmë e ta mishërojmë në jetën e përditshme.

R. SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 14-të gjatë vitit kishtar ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.

Liturgjia e Fjalë së Zotit e dielës së 14-të gjatë vitit kishtar ‘B’

Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele flet për pranimin dhe refuzimin e profetit e të Jezusit, na flet mbi fenë e mosbesimin e njeriut. Jezusi është transparenca e Hyjit, mrekullia më e madhe e gjithësisë: kështu mund të pohojmë duke iu referuar Ungjillit të kësaj së diele. Ne shpesh jemi në kërkimin e shenjave e të mrekullive, e nuk vërejmë se Shenja e vërtetë është pikërisht Jezusi, “Zoti i mishëruar”. Mrekullitë e Krishtit nuk janë shfaqje ekzibicionuese të fuqisë, por shenja të dashurisë së Zotit që zbatohet aty ky takon e gjen fenë e njeriut.

Pjesa e Ungjillit të dielës së 14-të gjatë vitit kishtar ndalet te mosbesimi i banorëve të Nazaretit në shërimet që Jezusi bëri para syve të tyre. Në fakt ky mosbesim, është i kuptueshëm sepse afërsia familjare në planin njerëzor e bënë më të vështirë besimin e nuk lejon të shkosh përtej kësaj lidhjeje e t’i hapesh përmasës hyjnore. Në anën tjetër, edhe Jezusi u çudit për mosbesimin e njerëzve të Nazaretit. Edhe Ai, në një farë kuptimi, shkandullohet! Megjithëse e dimë që asnjë profet nuk pranohet mirë në vendlindje, prapëseprapë mbyllja e zemrës së njerëzve të vet mbetët për Të e pakuptueshme, e pashqyrtueshme: si është e mundur që mos ta njohin dritën e së Vërtetës. Kjo sepse, nuk hapen para mirësisë së Zotit, që ka dashur të ndajë bashkë me ne njerëzimin tonë?.

Në realitet, njeriu Jezus i Narazetit është transparenca e Hyjit, në Të Hyji banon plotësisht. E ndërsa ne kërkojmë gjithmonë shenja tjera, mrekulli tjera, nuk e vërejmë faktin që Shenja e vërtet është Ai, Zoti i mishëruar, Ai është mrekullia më e madhe e gjithësisë: tërë dashuria e Zotit e përmbledhur në një zemër njerëzore, një fytyrë të njeriut. Këtë realitet e ka kuptuar më të vërtetë Mari Virgjër. Maria, nuk është skandalizuar me të Birin e saj: çudia e saj ndaj Tij është plot fe, plot dashuri e gëzim, duke e parë atë kaq njerëzor e në të njëjtën kohë kaq hyjnor. E prandaj Kisha i këshillon besimtarët të mësojnë nga Maria, “Nëna e fesë”, ta vërejmë e të njohim në përmasën njerëzore Krishtin, zbulimin e përsosur të Hyjit.

                                          Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi I parë Ez 2, 2-5
Izraeli është një popull rebel dhe jo besnik. Ezekieli është internuar së bashku me popullin e tij dhe i flet popullit në emër të Shpirtit të Zotit. Si shpallës i fjalës së Zotit ai pranon të njëjtin fat me bashkëqytetarët e tij, por vazhdon të denoncojë pabesnikëritë e popullit të tij. 

Lexim prej Librit të Ezekielit profet
Në ato ditë, një shpirt hyri në mua, më ngriti në këmbë dhe e dëgjova atë që po fliste me mua.
Ai më tha: “Biri i njeriut, unë po të dërgoj tek bijtë e Izraelit, te një popull kryengri-tësish që kanë çuar krye kundër meje. Ata dhe etërit e tyre kanë mëkatuar kundër meje deri në ditën e sotme. Njerëzit, tek të cilët po të dërgoj, janë kokëfortë e zemër-gur. Ti thuaju: Kështu thotë Zoti Hyj! Dëgjuan ose s’dëgjuan – sepse janë pjellë e keqe – megjithatë le ta dinë se në mesin e tyre është profeti!” Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin

Psalmi 123
Sytë tanë janë të kthyer drejt Zotit

Drejt teje po i ngre sytë e mi,
drejt teje që banon në qiell.
Qe, porsi sytë e shërbëtorëve
drejt dorës së zotërinjve të vet.

Porsi sytë e shërbëtores
drejt duarve të zonjës së vet,
ashtu priren sytë tanë drejt Zotit, 
Hyjit tonë,
derisa të ketë mëshirë për ne.

Ki mëshirë për ne, o Zot, 
ki mëshirë për ne, 
sepse për së tepërmi 
na kanë mbuluar me përbuzje.
Sepse u ngi tepër më shpirti ynë
me përqeshje të të ngopurve,
me përbuzje të krenarëve.

Leximi II : 2Kor 12,7-10
Pali tregon përvojat e tij mistike dhe pohon se ka një ferrë të mistershme në trup, ndoshta sëmundje apo vuajtje me qëllim që të mos bjerë në tundimet e mendjemadhësisë. Ai është munduar ta largojë, por tani e pranon me përvujtëri. Hyji zgjedh për misionin e tij njerëz normalë, që janë të kufizuar dhe mëkatarë. E pikërisht në dobësi Zoti na qëndron afër.

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër, që të mos më rritet mendja për shkak të lartësisë së zbulesave, m’u dha në trup një ferrë – engjëlli i djallit – për të më rrahur që të mos krenohem. Për këtë gjë tri herë iu luta Zotit të largohet prej meje. Por Ai m’u përgjigj: “Të mjafton hiri im, sepse fuqia përsoset në ligështi.” Për këtë arsye me kënaqësi do të krenohem edhe më tepër me ligështitë e mia që të banojë në mua fuqia e Krishtit. Prandaj kënaqem në ligështi, në sharje, në vështirësi, në salvime e ngushtica që më bëhen për shkak të Krishtit! Sepse, kur jam i ligshtë, atëherë jam i fortë.  Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Aleluja. Aleluja.
Fjala u bë njeri e banoi ndër ne. 
Atyre që e pranuan u dha zotësinë 
të bëhen bijtë e Hyjit.
Aleluja.

Ungjilli Mk 6, 1-6
Jezusi ndërsa shpall Ungjillin në qytetin e tij, ngjall disa kontradikta mbi personin e tij: disa mahniten nga dituria e tij, të tjerët skandalizohen dhe e refuzojnë. Ungjilltari sheh në këtë fakt se për të ndjekur Ungjillin është e nevojshme të thyhen disa mentalitete. Për Jezusin, të afërmit e tij dhe atdheu i tij nuk janë ata që kanë thjesht një lidhje gjaku apo shoqërore me të, por të gjitha ata që besojnë në Të dhe pranojnë e jetojnë Ungjillin e tij.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut
Në atë kohë, Jezusi u nis prej andej e shkoi në vend ku u rrit. E përcollën edhe nxënësit e tij. Kur erdhi e shtuna, filloi të mësojë në sinagogë. Shumica e dëgjuesve çuditeshin e thoshin: “Nga i vijnë këtij këto? Ç’është kjo dije që iu dhurua? Po këto mrekulli të mëdha që bëhen nga duart e tija? Po a nuk është ky zhdrukthëtar, i biri Marisë, vëllai i Jakobit, i Jozefit, i Judës, i Simonit? Po a nuk janë këtu ndër ne motrat e tija?”. Jezusi u tha: “Profeti ndahet pa nder vetëm në vendin e vet, në farefisin e vet dhe në shtëpinë e vet.” Dhe nuk mundi aty të bëjë asnjë mrekulli, përveç se shëroi disa të sëmurë duke vënë mbi ta duart. E çuditej për mosbesimin e tyre. Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

07 korrik 2018, 16:09