Kërko

 Tri logo të shtegtimit të Papës në Vendet Baltike Tri logo të shtegtimit të Papës në Vendet Baltike 

Letonia: letër e ipeshkvijve mbi shtegtimin e Papës në shtator: “Vizita të jetë dhuratë e përhershme hiri”.

Katër ipeshkvijtë e Letonisë i drejtojnë një letër popullit të Zotit. I kushtohet vizitës, që do të bëjë Papa Françesku në vendin baltik, më 24 shtator, për të tërhequr vëmendjen mbi vlerat e kësaj vizite, që duhet të ndikojë gjatë mbi jetën e krishterë të besimtarëve.

R. SH. - Vatikan

Katër ipeshkvijtë e Letonisë u drejtohen besimtarëve me një letër,  e cila krijon që tani atmoferën e takimit të tyre me Papën, më 25 shtatorin e ardhshëm.

“Papa do të vijë për të kryer misionin e tij, për t’i përforcuar vëllezërit dhe motrat në fe. Vizita të mos jetë vetëm çast prekës, por dhuratë e përhershme hiri”- shkruajnë.

Nëse Gjon Pali II, 25 vjet më parë, pati shqiptuar fjalë profetike për lirinë,  aq të ëndërruar, tani është koha t’i përgjigjemi pyetjes: “Si e përdorëm dhuratën e lirisë? Ç’realizuam për vete e për viset tona,  duke e shijuar, pas aq vjet skllavërie të vërtetë?  Kur nuk ishim më vetvetja?”.

Vizita e Papës në 100-vjetorin e themelimit të shteteve të pavarura baltike, e, në këtë kuadër, edhe të shtetit leton, është ftesë për të kujtuar themelet shpirtërore të vendit tonë, për ta falënderuar Zotin për hiret e për t’i kërkuar bekimin për të sotmen e të ardhmen – nënvizohet në letrën e ipeshkvijve letonë, drejtuar besimtarëve.

Epoka në të cilën jetojmë – vijojnë prelatët - solli një mori shndërrimesh e zhvillimesh pozitive, por krijoi edhe sfida të reja. Papa na kujton se mund t’i përballojmë, me shpresën e re që na jep Krishti e edhe “se nuk jemi vetëm. I përkasim familjes së krishterë të botës mbarë”.

Ipeshkvijtë dëshirojnë që vizita papnore të mos jetë “përvojë emotive kalimtare”, çast prekës, por që vjen e shkon.

Me vendim të ipeshkvijve, të gjithë meshtarët janë të thirrur ta kremtojnë Meshën me Papën në Aglona e, më 22 korrik të mbledhin lëmoshë gjatë meshës. E akoma, në atmosferën e përgatitjes për vizitën e Françeskut, do t’u shpërndahet besimtarëve një lutje, për t’u thënë  gjatë çdo meshe.

Nuk mungon as ftesa për të reflektuar mbi fjalimet papnore, për t’u bërë më të vetëdijshëm lidhur me misionin e Atit të Shenjtë, për të marrë pjesë në bashkëpunimin ekumenik, për t’u bërë “dëshmitarë të vërtetë të dashurisë së Krishtit, me vepra bamirësie e, sidomos, me dëshirën për t’i shërbyer çdo njeriu në çaste të vështira”.

05 korrik 2018, 16:13