Protestë në Seul Protestë në Seul 

Koretë. Imzot Lee Ki-heon: “takimi i familjeve të ndara, përparësi absolute”

Pas afrimit ndërmjet dy Koreve, ipeshkvi i dioqezës së Uijeongbu, në Korenë e Jugut, imzot Lee Ki-heon, deklaron për agjencinë katolike Sir se takimi ndërmjet familjeve të ndara, është përparësi absolute për Kishën Katolike.

R.SH. - Vatikan

“Procesi i paqes, të cilin e dëshirojnë gjithë koreanët, ka filluar. Mund ta themi këtë, duke u nisur nga dimri i kaluar. Kam shumë shpresë. Besoj se Zoti na i ka dëgjuar lutjet”. Kështu deklaron ipeshkvi i dioqezës së Uijeongbu, në Korenë e Jugut, imzot Lee Ki-heon, për agjencinë katolike Sir, pas afrimit ndërmjet dy Koreve.

Takimi historik ndërmjet Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut

         Lindur në Piong-jang, sot, ai është kryetar i Komisionit për pajtimin e popullit korean, ngritur pranë Konferencës Ipeshkvnore Koreane. Duke kujtuar pamjet e takimit historik ndërmjet autoriteteve të Koresë së Veriut e asaj të Jugut, që u pasuan nga takimi ndërmjet Koresë së Veriut e SHBA-ve, prelati i quan “imazhe, që dëshmuan mundësinë e gjetjes së zgjidhjes për një kundërvënie, e cila zgjaste prej 70 vjetësh”. “Gjithçka ndodhi – vijon ipeshkvi – na dha shpresë se të gjithë koreanët e Veriut e të Jugut mund të jetojnë në paqe. Mendoj se ky proces u bë i mundur pasi Papa Françesku dhe besimtarët e Kishës Katolike në botë u lutën për Korenë”.

Takimi ndërmjet familjeve të ndara nga kufiri

         Një nga problemet kryesore për t’u zgjidhur është edhe takimi ndërmjet familjeve të ndara nga kufiri, që është vijë demarkacioni edhe për dy mendësi krejtësisht të kundërta, siç është ajo e diktaturës komuniste dhe ajo e demokracisë së tipit perëndimor. Sipas imzot Ki-heon, “është e pamundur të dihet nëse të afërmit matanë kufirit janë ende gjallë, ose kanë vdekur. Nuk mund të shkëmbehen lajme e letra. Besoj – bën thirrje ai – se takimi ndërmjet familjeve të ndara është përparësi absolute. Në Kore jetojnë shumë familje të ndara”.

Në Korenë e Veriut feja nuk është e lirë, por diçka po ndryshon

         Ipeshkvi kujton edhe se “feja nuk është akoma e lirë në Korenë e Veriut”, por “duket se diçka po ndryshon dalëngadalë, në krahasim me të kaluarën”. Prandaj, sipas tij, në procesin e pajtimit ndërmjet dy Koreve, detyra e Kishës “nuk është vetëm promovimi i lidhjeve të drejtpërdrejta, por krijimi i atmosferës plot harmoni dhe i ambientit të përshtatshëm për bashkëpunim”.

17 korrik 2018, 14:24