Kërko

 Përfundoi CAM V në Bolivi Përfundoi CAM V në Bolivi 

Kongresi amerikan misionar: “Të hapen udhët e bashkimit e të pajtimit”

Përfundoi, në Santa Cruz de la Sierra, Bolivi, Kongresi V amerikan misionar, që synon të promovojë ndryshime në veprimtaritë dhe në strukturat kishtare, në mënyrë që “Kisha në dalje” t’i përgjigjet me besnikëri Zotit, në misionin “ndërmjet popujve”, posaçërisht, në gjirin e të varfërve

R. SH. - Vatikan

Përfundoi, këto ditë, në Santa Cruz de la Sierra (Bolivi), Kongresi V amerikan misionar (Cam). Pesë ditë diskutime rreth temës “Amerika në mision. Ungjilli është gëzim”, me pjesëmarrjen e gati trimijë përfaqësuesve nga mbarë kontinenti amerikan.

Përfundimet e para: prani në gjirin e botës

Në përfundim të punimeve u lexua një dokument me gjashtë faqe, i cili vë në dukje rezultatet e para të këtij takimi të madh amerikan. Këto ditë, sipas organizatorëve, ishin “ngjarje e vërtetë hiri”, që i jep Kishës së mbarë Kontinentit  nxitjen për “ta gjallëruar frymën misionare në çdo bashkësi katolike e për ta bërë të pranishme në të gjitha realitetet e botës, me forcën shndërruese dhe gëzimin e Ungjillit, që të shtyn të veprosh, duke hapur udhët e bashkimit e të pajtimit në mjediset shoqërore, politike, ndërfetare e kishtare”. Kongresi “me frymën misionare dhe ungjillëzuese e me guximin profetik”, synon të promovojë, duke  nisur që tani, ndryshime në veprimtaritë dhe në strukturat kishtare, në mënyrë që “Kisha në dalje” t’i përgjigjet me besnikëri Zotit, në misionin “ad gentes” - “ndërmjet popujve”, posaçërisht në gjirin e të varfërve; atyre që trajtohen si hedhurina e atyre, që nuk e njohin Krishtin as vlerat, që burojnë nga Ungjilli i gëzimit.

Në hullinë e Koncilit II të Vatikanit e të Konferencës së Aparesidës

Në këtë mënyrë, Kongresi misionar synon të vihet në hullinë e Koncilit II të vatikanit dhe të Konferencës së Aparesidës të Celam, duke pohuar: “Kisha  tregon se është me të vërtetë misionare, kur ia hap zemrën sfidave të botës bashkëkohore, për të kërkuar përgjigjet, duke u nisur nga Ungjilli e nga Fjala e Zotit”. Ndërmjet këtyre sfidave, përfundimet e Kongresit kujtojnë krizën e familjes, mungesën e respektit për të drejtat e njeriut, ekonominë e bazuar mbi fitimin e pakicës, padrejtësitë në rritje e pabarazitë, nevojën për ta mbrojtur krijimin, valët e emigrantëve. Nuk mungojnë as disa nga aspektet më kishtare, si shkandujt e pedofilisë dhe thirrjet për rrugën meshtarake, gjithnjë në rënie.

17 korrik 2018, 14:32