Kërko

Në Venezuelë, punonjësit e spitaleve protestojnë për kushtet e punës Në Venezuelë, punonjësit e spitaleve protestojnë për kushtet e punës 

Kongresi amerikan misionar, shqetësim për Venezuelën, Nikaraguan, Hondurasin, Haitin dhe kufirin Meksikë-SHBA

Venezuela, Nikaragua, Hondurasi, Haiti dhe kufiri Meksikë-SHBA, në qendër të reflektimeve të Kongresit të pestë misionar amerikan, i cili mbahet në Santa Cruz de la Sierra të Bolivisë.

R.SH. - Vatikan

Gjendja e vështirë, që po kalojnë shtete të ndryshme amerikane aktualisht, shqetëson edhe Kongresin e pestë misionar amerikan, që vijon deri nesër, në Santa Cruz de la Sierra të Bolivisë. Dje, u paraqit një komunikatë për shtyp nga drejtori i Veprave Papnore Misionare, atë Leonardo Rodrìguez, në të cilën flitet për Venezuelën, Nikaraguan, Hondurasin, Haitin dhe për emigrantët e ndarë nga familjet, për shkak të pamundësisë për të kaluar kufirin Meksikë-SHBA. Të gjitha, situata, shpesh të rrethuara nga “indiferenca dhe heshtja”.

         Komunikata bën thirrje “në emër të Jezu Krishtit”, që të mbizotërojë paqja, dialogu, falja dhe pajtimi. U kërkohet mjeteve të komunikimit të jenë “protagonistë të shndërrimit të zemrave, mbartës të së vërtetës së plotë të fakteve”.

Dëshmia e krishterë, udhë ungjillëzimi

         2800 delegatët e konferencës diskutuan për dëshminë e krishterë përballë problematikave të vështira të emigracionit, për marrëdhëniet ndërmjet katekizmit dhe misionit, si edhe për komunikimet shoqërore. E gjitha, për të përcaktuar rrugë të reja të kumtimit të Krishtit në botën e sotme. U vu në dukje si është kaluar nga periudha para Koncilit II të Vatikanit, në atë pas tij; pra, siç tha kreu i ipeshkvijve kilianë, imzot Santiago Silva Retamales, për kalimin nga një ide e Kishës si mjet ekskluziv shpëtimi, në idenë e Kishës, që nuk është e vetmja mbartëse e pranisë së Krishtit, e cila “është më e madhe e më e gjerë se Kisha”. Prandaj, u tha në Bolivi, Kisha është në shërbim të misionit, është gjithnjë në dalje, jo për të tërhequr të tjerë brenda saj, por për të bashkëpunuar me planin e Atit Qiellor, që filizi i pranisë së Krishtit të mbijë edhe aty, ku nuk është.

         Për këtë, nënvizoi gjithnjë imzot Retamales, nevojitet dialogu me realitete, ku nuk mungon fara e Fjalës së Zotit. Duhet të marrim përsipër njeriun me gjithë humanitetin e tij, për t’i paraqitur figurën e Krishtit përmes dëshmisë sonë të krishterë. Prandaj, sipas ipeshkvit kilian, ne vetë duhet të jemi Lajmi i Mirë.

13 korrik 2018, 15:59