Dhunë në Republikën Qendrafrikane Dhunë në Republikën Qendrafrikane 

Kisha qendrafrikane në zi, për vrasjen e atë Gbagoua

Në Republikën Qendrafrikane dhuna shkaktoi një viktimë të re. Më 29 qershor u vra abati Firmin Gbagoua, mëkëmbës i përgjithshëm i dioqezës së Bambarit. Nga vendi i krimit, Atë Bondobo pohon se askush nuk është i sigurt, por edhe se Kisha nuk do të rrijë në heshtje.

R. SH. - Vatikan

Para se të vritej brutalisht me një të shtënë pistolete në stomak, në orën 19.00 të së premtes, atë Firmin Gbagoua, mëkëmbës i përgjithshëm i dioqezës së Bambarit, po drekonte në kryeipeshkvni me sivëllezërit e tjerë. Por nuk është viktima e fundit e dhunës, që ndjehet fort në të gjithë Republikën Qendrafirkane. Sipas atë Mathieu Bondobo, rektor e famullitar i katedrales të Zojës së Papërlyer në Bangui, instervistuar nga Vatican News, pohon: “Askush nuk është i mbrojtur, askush në këtë vend nuk është i sigurt, por Kisha nuk e ka aspak në mend të heshtë, ndonëse tani po jeton çaste shumë të trishta”.

Ndeshjet

Ndeshjet ndërmjet grupeve të armatosura e milicive të vetëmbrojtjes, që nga viti 2013 e deri më sot, janë në rritje të ndjeshme, posaçërisht në veri të vendit. Në shënjestër të tyre, kryesisht rregulltarët dhe misionarët, helmetkaltrit e OKB-së, vullnetarët e shpesh, edhe fshatra të tëra, të cilëve u vihet flaka. E çka dhemb më shumë, kjo situatë gjakatare nuk i kursen as fëmijët e as gratë, që po shpërdorohen mizorisht. Atë Mathieu Bondobo nuk e fsheh dhimbjen e gjithë bashkësisë kishtare, ndërsa i nxit  autoritetet të veprojnë pa asnjë ngurrim.

Dhimbja e Kishës

Kisha qendrafrikane - shton meshtari - është tejet e trishtuar për vdekjen e Don Firmin Gbagoua. E vranë me një të shtënë në stomak e vdiq pak më vonë, për shkak të plagës së rëndë. Kjo situatë e ndërlikon më tej jetën në Republikën Qendrafrikane, sepse të gjithë ne, prej kohe, flasim për paqen, flasim për kohezion shoqëror e fundi është ky, që po shikoni. E ç’të keqe bëri ky njeri i Zotit, që t’i merrej kështu jeta? Ai, që foli gjithnjë në favor të paqes? Që tha gjithnjë të vërtetën? Kjo vrasje e re provon se paqja në Republikën Qendrafrikane është sfidë e madhe. E ata, që kanë armë, ata që vrasin, që bëjnë keq, janë gjithnjë atje ku ishin, në qytetin Bambari. Nuk kanë lëvizur kurrë prej andej. Kohët e fundit kemi dëgjuar se Bambari është qytet i qetë, se këtu nuk dëgjohen më krisma armësh, nuk vritet më kush. Sa lajme të rreme jepen në këtë botë! Sa mashtrime ka. Prova është don Firmin, që humbi jetën.

Shqetësimi i ipeshkvijve

Ky thellim i dhunës i shqetëson seriozisht ipeshkvijtë afrikanë. Në një letër, botuar në përfundim të asamblesë së tij të jashtëzakonshme, më 24 qershor, episkopati, me çudi e hidhërim të thellë, pati dhënë njoftimin për arritjen e mercenarëve të rinj, gjë që e bën gjithnjë më të vështirë zgjidhjen e krizës. “Falja e krimeve dhe amnistia, që ndokush po përpiqet të na e imponojë, nuk do të sjellë paqe. Përkundrazi - shkruajnë ipeshkvijtë - duke kujtuar një mori marrëveshjesh që, sipas tyre, janë gjithnjë në favor të milicive. “I kujtojmë qeverisë, bashkësisë ndërkombëtare dhe grupeve të armatosura se autoriteti i Shtetit nuk mund të shitet as të blihet në treg e nuk mund të jetë subjekt për asnjë tip kontrate” - theksojnë prelatët - duke vënë, pa frikë, gishtin mbi plagë, në një vend ku denoncimi i së keqes mund të të kushtojë edhe jetën. Po ky nuk është i vetmi gjak, që derdhet për Krishtin në këto vise të serta! Ku megjithatë, misioni i predikimit të Ungjillit nuk është në dorën e vrasësve…

01 korrik 2018, 16:16