Kërko

 Kampionati Botëror i Futbollit 2018 Kampionati Botëror i Futbollit 2018 

Kampionati i futbollit: “misison ouvrière” dioqeza e Lille: “Të jetohet kupa e botës me frymë të krishterë”.

Kampionati i futbollit: “misison ouvrière” dioqeza e Lille: “Të jetohet kupa e botës me frymë të krishterë”.

R. SH. - Vatikan

Që nga fillimi i Kampionatit botëror të futbollit, “mission ouvriere” i dioqezës së Lille-s vijon t’i ndjekë ndeshjet me kanalin e vet “ta jetojmë kupën e botës si të krishterë”(https://cdmenchretiens.wordpress.com/). Dëshmi, lojëra, quize, lutje, karikatura miqësore i shoqërojnë tifozët, që duan ta vënë Zotin në qendër të qendrës, edhe në rrethin e fushës së futbollit, me humorizëm e  delikatesë. Ashtu si Papa Françesku, tifoz futbolli që, duke parë flamujtë valëvitës brazilianë në Sheshin e Shën Pjetrit, ndërmjet përshëndetjeve, në përfundim të Engjëllit të Tënzot të së dielës së kaluar, pati një batutë të këndshme inkurajimi edhe për brazilianët e pranishëm, lidhur me Kampionatin Botëror të Futbollit: “Po shikoj flamuj brazilianë… I përshëndes brazilianët. Mos t’ju lëshojë zemra! Do të jetë për një herë tjetër!” - u tha. Sepse në fushën e futbollit nuk luhet thjesht për të fituar. Nuk mund të fitojnë të gjithë njëherësh. Mund t’i vijë radha secilit! Rëndësi ka të luash mirë e bukur, duke ngjallur emocione të rralla, që shtegtojnë, pastaj, së bashku me mijëra sportdashës, të pranishëm në ndeshjet nëpër viset e botës, ku zhvillohen kampionatet. Duke filluar që nga viti 1930, në Uruguai, ku nisi historia e kampionateve të mirëfillta botërore të futbollit.

Por të rikthemi në Lille. Për çdo ndeshje që po luan Franca, ka edhe një quiz për të dyja skuadrat “kundërshtare”. Nisma, e titulluar “fe e futboll”, merret edhe me vendet e skuadrave, me të cilat luajnë blutë. Disa nga ndeshjet mund të ndiqen edhe së bashku, rreth një ekrani vigan, në selinë e misionit të Lille, ose mund të komentohen në mjetet shoqërore të komunikimit.  Sepse “ta jetosh Kupën e botës si i krishterë”, “nuk do të thotë të vishesh me fanella ku shkruhet ‘I love Jesus’ (E dua Jezusin), të shkosh në stadium apo të organizosh meshë në zonën e tifozëve, por thjesht ta jetosh gëzimin që buron nga loja e futbollit  (besimtar apo jo qofsh) e ta jetosh edhe me të tjerët pasionin tënd për sportin. Sepse kur e jeton bashkërisht, gëzimi shumëfishohet, nga që dashuria e Zotit është edhe dashuri për lojë të bukur. Të gjitha nismat, që propozon kanali televiziv, janë thjesht “përpjekje për ballafaqim e për të ndarë së bashku emocionet e jashtëzakonshme, që ngjall futbolli ndërmjet tifozëve”. Kjo frymë është thellësisht e krishterë, edhe kur bëhet fjalë për ndjekjen e një ndeshjeje. Sepse feja është e pranishme kudo. Pa dyshim, edhe në stadiumet ku ndeshen skuadrat e futbollit. E ku shpesh shikojmë të bëhet shenja e Kryqit!

10 korrik 2018, 13:03