Kërko

Papa në Institutin Lindor Biblik, një nga universitetet e administruara nga jezuitët Papa në Institutin Lindor Biblik, një nga universitetet e administruara nga jezuitët 

Jezuitët, para sfidave të paimagjinuara më parë

Nga 9 deri më 12 korrik, 300 vetë morën pjesë në asamblenë e tretë të universiteteve të Shoqërisë së Jezusit, në Bilbao të Spanjës.

R.SH. - Vatikan

Është kthyer tashmë heshtja në kiostret e universitetit qindravjeçar të Deustos, në Bilbao të Spanjës. Por akoma ka mbetur jehona e zërave dhe e kulturave të shumta të më se 300 vetëve, që nga 9 deri më 12 korrik, morën pjesë në asamblenë e tretë të universiteteve të Shoqërisë së Jezusit. Jezuitë, gra, burra, rektorë, personel administrativ, punonjës shkencorë e bashkëpunëtorë të rreth 220 qendrave universitare nga e gjithë bota, u mblodhën për të debatuar mbi temën “Ta shndërrojmë botën së bashku”.

“Revolucion kulturor”, sipas Kushtetutës apostolike “Veritatis gaudium”

         Në përurimin e punimeve, prefekti i Kongregatës për Edukimin Katolik, kardinali Giuseppe Versaldi, ftoi për atë “revolucion kulturor”, të cilin Papa Françesku e ka vendosur në qendër të Kushtetutës apostolike “Veritatis gaudium”. Gjatë përurimit ishin të pranishëm edhe mbreti i Spanjës, Filipi VI, kreu i qeverisë baske, Injigo Urkulu dhe eprori i përgjithshëm i jezuitëve, atë Arturo de Sosa. Sfidat e universiteteve të Shoqërisë së Jezusit, hapja ndaj një bote në ndryshim e sipër, ku dialogojnë kulturat dhe njerëzit, si edhe bashkëpunimi për të plazmuar një mendësi të re – argumentet kryesore të diskutimeve.

Paradigmat e reja shoqëroro-kulturore dhe roli i universiteteve jezuite

         Për t’u vënë në dukje, fjala e kryetarit të Këshillit Papnor për Kulturën, kardinalit Gianfranco Ravasi, që paraqiti karakteristikat e shoqërisë, në të cilën jetojmë, gjithnjë e më ndër- e shumëkulturore. Pikërisht kulturat e bashkëveprimi ndërmjet tyre, teknokracia, qëndrimi ndaj së vërtetës, shekullarizimi në të gjitha variantet e veta, janë disa nga elementet shoqërore, që kërkojnë studime e përgjigje edhe nga ana e universiteteve kishtare. Në veçanti jezuitët, të njohur për impenjimin e tyre kulturor, mund të kontribuojnë për të mos mbetur të bllokuar para këtyre sfidave të pamenduara më parë, duke u izoluar e duke humbur çdo shpresë tek transhendenca. Të kërkohet dinjiteti i tjetrit si njeri, siç mëson antropologjia biblike: kjo është ftesa, që doli nga takimi i universiteteve jezuite e, njëkohësisht, edhe thirrja e Zotit për to.

17 korrik 2018, 13:32