Kërko

Takimi i të rinjve katolikë në Rusi Takimi i të rinjve katolikë në Rusi 

Imzot Migliore: në zemrat e të rinjve rusë, gëzim i sinqertë

Nunci apostolik në Federatën Ruse, kryeipeshkvi Celestino Migliore, kremton meshën në Baikalsk të Siberisë lindore dhe përuron Takimin e shtatë kombëtar të të rinjve katolikë rusë.

R.SH. - Vatikan

“Mora pjesë në këtë Festival të rinisë katolike ruse me kënaqësi të madhe”. Më 19 korrik, kryeipeshkvi Celestino Migliore, nunc apostolik në Federatën Ruse, kryesoi meshën në Baikalsk, së bashku me rreth 20 meshtarë të tjerë, duke hapur kështu, Takimin e shtatë kombëtar të të rinjve katolikë të Rusisë, me temë: “Mos ki frikë Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit”. Për katër ditë me radhë, rreth 200 të rinj nga mosha 16 deri më 30 vjeç, janë mbledhur në Siberinë lindore, ardhur nga katër dioqezat ruse.

Bashkësi e vogël, por dinamike e plot gëzim

         “Nuk e prisja të gjeja kaq shumë të rinj – saktëson prelati në mikrofonin e Vatican News – pasi bashkësia katolike në Rusi nuk është aq e madhe. Pastaj, është edhe distanca…”. Më bëri përshtypje, nënvizon nunci, “cilësia e të rinjve”. “Gëzimi, që pashë në sytë e tyre, është i sinqertë, madje, do të thosha, krejt i pastër”.

Dëshmitarë të sinqertë të fesë

         Pjesëmarrja e të rinjve në këtë Takim, karakterizuar nga lutja, meditimi dhe dialogu, “tregon se, pavarësisht nga problemet, që po kalon familja në këtë vend, ka akoma njerëz, që dinë t’i edukojnë mirë fëmijët”. Nunci përmendi dëshminë e meshtarëve dhe të murgeshave të vendit, shembull për të rinjtë rusë, që i kanë parë edhe të sakrifikohen për fenë e për njerëzit.

20 korrik 2018, 14:53