Kërko

20171229_BAV_Vat.lat.268_0006_fr_0001v_scrivere, mano, manoscritto.jpg 20171229_BAV_Vat.lat.268_0006_fr_0001v_scrivere, mano, manoscritto.jpg 

Imzot Frang Bardhi, në përvjetorin e vdekjes

Imzot Frang Bardhi, i përket aradhes së priftërinjve e ipeshkvijve shqiptarë, të cilët duke kultivuar gjuhën shqipe kishin si synim shpëtimin e kombit nga asgjësimi e falimentimi politik e fetar. Njihet edhe si leksikografi i parë shqiptar, si historian i folklorit e si etnograf.

R. SH. - Vatikan

Në fillim të muajit korrik po kujtojmë ipeshkvin e shkrimtarin e letërsisë së vjetër shqipe, imzot Frang Bardhin, në përvjetorin e vdekjes. Kështu, më 1 korrik të vitit 1643 ndërroi jetë ipeshkvi imzot Frang Bardhi, shkrimtar i letërsisë së vjetër shqiptare dhe luftëtar i patrembur për çlirimin e popullit shqiptar nga pushtuesi osmanPra ipeshkvi imzot Frang Bardhi i përket aradhes së atyre priftërinjve e ipeshkvijve shqiptarë, të cilët duke kultivuar gjuhën shqipe kishin si synim shpëtimin e kombit nga asgjësimi e falimentimi politik e fetar.

Në letrën drejtuar lexuesve shqiptarë, në hyrje të veprës së tij ‘Fjalori Latinisht-Shqip’, imzot Bardhi shpalos arsyet që e shtyn të shkruan ‘Dictionarium Latino-Epiroticum’ una cum nonullis usitatiorbus loquendi formulis – Romae – 1635. Pasi kishte medituar gjatë, se si mund të ndihmonte më së miri nga njëra anë në ruajtjen e gjuhës kombëtare e cila dita ditës shkonte duke humbur e çoroditur dhe në anën tjetër si t’u vinte në ndihmë shërbëtorëve të altarit, meshtarëve, të cilët duke mos ditur mirë gjuhën latine, nuk mund të ushtronin me ndërgjegjësim shërbimin e misionit të tyre, ai vendosi  të përpilonte një fjalor latinisht-shqip. Sipas tij kjo vepër ishte një libër i dobishëm.

Imzot Frang Bardhi lindi në Kallmet të Zadrimës në vitin 1606. Studioi në Kolegjin kishtar të Loretos në Itali dhe në atë të Propaganda Fide-s të Selisë së Shenjtë Collegium Urbanum, themeluar më 1626 nga Papa Urbani VIII, në Romë. Pas shugurimit meshtarak e misionit në famulli kishtare të zonave të ndryshme, Imzot Frang Bardhi u emërua ipeshkëv në dioqezën e Sapës.

Krahas misionit dhe punës së tij meshtarake, e pastaj asaj ipeshkëvnore, imzot Frang Bardhi pati një kujdes të veçantë për kultivimin e kulturës shqipe dhe për përparimin e popullit shqiptar, e kështu zhvilloi edhe veprimtari të dendura letrare dhe shoqëroro-politike. Në korrespondencën e tij me Kongregatën e Shenjtë të Vatikanit, Imzot Bardhi flet edhe për disa përkthime në gjuhën shqipe për përdorim të klerit në shërbesa e kremtime liturgjike, për të cilat nuk dimë më shumë, nëse janë botuar apo qenë përhapur si dorëshkrime. 

Ipeshkvi imzot Frang Bardhi u mor edhe me përkthimin e veprave tjera katekistike, liturgjike e fetare nga italishtja e latinishtja në shqip, për formimin shpirtëror të besimtarëve të krishterë dhe për mbrojtjen e përforcimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve.

Po imzot Frang Bardhi njihet edhe si leksikografi i parë shqiptar, si historian i folklorit e si etnograf. Që kur ishte student në kolegj, ai pat filluar të shkruajë në latinisht vepra që më vonë e bënë të njohur.

Të dhënat biografike për imzot Frang Bardhin mund t’i nxjerrim vetëm nga korrespondenca e dendur e tij me Romën, ku tregohet zelli i tij dhe veprimtaria e palodhur për të mirën e Kombit e të grigjës së tij shpirtërore.

Disa prej tyre janë: "Dictionarium latino - epiroticum" (1635, Romë ), ("Fjalori latinisht - shqip" dhe "Skënderbeu" (1636, Venedik) (Apologji). Këto vepra e lidhin imzot Frang Bardhin me humanizmin.

Siç përmendem, Imzot Bardhi njofton vetë se ka përkthyer edhe libra fetarë të liturgjisë, katekizma e tjerë, të cilët sot nuk njihen, dhe se ka shkruar disa relacione për viset shqiptare, të cilat kanë vlerë historike.

Në veprimtarinë e tij shoqëroro-politike imzot Frang Bardhi do të jetë në radhët e para të atdhetarëve që i përkushtohen luftës për  çlirimin e popullit shqiptar e Atdheut nga zgjedha e huaj osmane, për zhvillimin dhe përparimin e vendit e të gjuhës shqipe.

Gjendja e mjeruar e popullit shqiptar nën sundimin e egër osman, dëshira e përpjekjet për ta ndihmuar atë që të shpëtonte nga kjo robëri, ishin shqetësime që e mundonin vazhdimisht bariun shpirtëror imzot Bardhin. Kjo duket edhe në relacionet që ai i dërgonte herë pas here Papës e Propaganda Fides në Vatikan.
Ja si shprehet imzot Frang Bardhi në relacionin e vitit 1641 për rëndimet dhe poshtërimet që u bëheshin fshatarëve shqiptarë, sidomos të krishterëve, nga arbitrariteti i feudalëve turq: "Dhjetë ose pesëmbëdhjetë turq bashkohen dhe kalojnë nëpër shtëpitë e krishterëve dhe hanë e pinë sa të kenë oreks, gjithë ditën gjithë natën pa paguar asgjë. Ai i shkreti nuk mund të thotë se nuk ka bukë, verë, mish e tagji për kuajt e tyre, sepse ia përmbysin shtëpinë dhe e rrahin egërsisht. Po nuk pati, duhet të lerë peng rrobat e trupit për të ngopur lakmitë e tyre të mbrapshta …"

Relacionet e imzot Frang Bardhit kanë edhe shumë të dhëna të tjera për gjendjen shpirtërore të popullit shqiptar, për zakonet, traditën, sfidat dhe perspektivat për një të ardhme në liri e përparim.

Parathenia e fjalorit latinisht-shqip (FRANG BARDHI)

Tue pasunë ditë e përditë, të dashunitë e mij, mbassi hina ndë Kolexhë, kujtuem(1) me qish(2) copë librë keshë me ndihmuem mbënjaanë gjuhënë tanë, qi po bdaretë e po bastardhohetë saa maa parë të ve(3); e maa fort me ndimuem gjithë atyne qi janë nd'urdhënitë Tinëzot e të shintesë kishë katolike, e s'dijnë gjuhënë latine, paa të sijët askush s'munë shërbenjë si duhetë paa të madh error(4) e faj hesaapetë(5), zakonetë ë çeremoniatë e shintesë kishësë Romësë; më ndy(6) jo pak mirë me marrë e me nkëthyesë n'gjuhët cë lëtine mbë gjuhët t'arbëneshë një dicionar, qi tjetër s'ashtë veçëse nja librë, qi kaa ndë vetëhe saa fjalë e saa emëna janë e gjindenë ndë këte pjesë shekulli(7) posikuur me thanë të nierëzet e të shtazëvet e ujënavet e të malevet e të fushavet e të saa tjera kafshëve(8), qi gjindenë ndënë qiellt, ende mbë qiellt, posikuur të Tinëzot, të engjiet e të shintënet... I silli librë më pëlqei e m'u duk se kishte me u qenë për ndoonja ndimë, ndoonëse të pakë e të moritunë(9).

Prashtu, mbassi u daashë Kolexhiet cë Zonjësë ndë Lurijt e ershë mb'Romë pr'urdhënit të Kuvendit Shint(10) e të ndriçmit nderueshimit zot upeshkëpit Sadrimësë, tim ungjë, pr'emënë Gjeçi i Bardhë(11), fisit sinë e ndoret sonë, shumë i urtë e i vëjyeshim, i cilli, prej së dashunit të Tinëzot e së shintit Atë Papë Urbanit VIII, ashtë tash krijuem e baam argjupeshkëpi i Tivarit; e hina në Kolexhë te janë shkollarëtë, oo ata qi xanë, me vonë mbasandaj ndër të paafeet me çtuem shintenë e të vërtetënë feenë tanë,zunafijll tue këthyem këtë dicionaar mbë gjuhët tanë, e këtheva nsi(12) gjithë qish mujta; e mbassi e solla(13), m'u duk i pakë e i vogëlë, prashtu hina tue kujtuem(14) e shkrova mbe gjuhët tanë maa parë do të falunazë(15), qi kanë zakon e banjënë t'Arbëneshëtë kuur, së largu oo s'të këtje(16), mb'udhë mpiqenë, tue vumë përngjat(17) tyne ende mbë gjuhët të Latinjet; ashtu ende do proverbia oo të thana, ncë sijashit disa kanë zakon e i thonë Latinjtë e disa Taliantë; do adverbia ende, e gjithë saa kafshë janë në këtë copëzë librë, i vuna fjalë për fjalë, e maa parë mbë disa vuna latinisht, ani(18) përngjat oo përfundit vuna arbënisht, e mbë të tjera vuuna maa parë fjalënë e rieshtnë arbënisht, ani përfundit latinisht, ashtu qi ata qi të fëdigenë(19) e të duenë më xanë gjuhënë latine maa mirë e maa udob(20) t'u vinjë ...

...Prej Rome, dit ndë maj 30, ndë vietëtë Krishti 1635. Shërbëtori i zotënijsë saaj, unë D.Frangu i Bardhë, shkollaar ndë Kolexhë të Shintesë Fee.

"Parathënia" është nxjerrë nga origjinali, që ruhet në Bibliotekën Kombëtare. Në këtë parathënie gjejmë disa te dhëna kryesore mbi jetën e Bardhit.

 

( 1) Kujtuem, sjellur ndër mend,menduar.

( 2) Qish, çfarë.

( 3) Saa maa parë të ve, sa më shumë shkon koha.

( 4) Error, it. gabim,

( 5) Hesaapetë, tq. konceptet.

( 6) Mëndy, m'u duk.

( 7) Në këte pjesë shekulli, në këtë pjesë të botës, në këtë vend.

( 8) Kafshëve, sendeve.

( 9) Të moritunë, të pakë,të dobët.Lurij,(Loreto),qytet në Itali, ku ishte një kolegj, me emër "Kolegji Ilirian", që

pergadiste priftërinj e misionarë edhe për Shqipërinë. Punën për fjalorin,B. e filloi duke qenë akoma nxënës.

(10) Kuvendit Shint, Kuvendi i Propagandës së Shenjtë, një si organizatë e Vatikanit për propagandën fetare në vendet e

ndryshme. Mbasi kreu studimet në Loreto, B. i vazhdoi ato në një seminar të Propagandës së Shenjtë ("Propaganda Fide").

(11) Gjeçi i Bardhë, vdiq më 1647. Familja e Bardhajve duket se ishte një familje priftërinjësh, që lojtën rol me rëndësi në

kishën katolike të vendit tonë, veçanërisht që nga pjesa e dytë e shekullit XVI e gjer në pjesën e parë të shekullit XVII.

Daja i Gjeçit, Nikolla, dhe Gjeçi vetë, patën marrë pjesë në lëvizjet kryengritëse të vendit kundër Turqisë.

(12) Nsi, prej tij.

(13) E solla, s përktheva.

(14) Hina tue kujtuem, u vura të mendoj.

(15) Të falunazë, përdhëndetje.

(16) S'të këtje, së afërmi.

(17) Përgjat, pranë,përkrah.

(18) Ani, pastaj.

(19) Fëdigenë, lodhen,përpiqen.

(20) Udob, lehtë 

01 korrik 2018, 13:07