Atë Carlos Luis Suarez Codorniú Atë Carlos Luis Suarez Codorniú 

Etërit dehonianë kanë një epror të ri të përgjithshëm

Atë Carlos Luis Suarez Codorniù është Eprori i ri i Përgjithshëm i dehonianëve. Zgjedhjet u zhvilluan në Romë, në Kapitullin XXIV të përgjithshëm të Kongregatës, që mbahet nga 14 deri më 27 korrik.

R.SH. - Vatikan

Dehonianët, të cilët shërbejnë edhe në Shqipëri, sidomos në Shkodër e në Gurëz, kanë, që sot, Eprorin e tyre të ri të Përgjithshëm. Ai është atë Carlos Luis Suarez Codorniù, që do të jetë në krye të Kongregatës për gjashtë vjet me radhë. Lindur në Ishujt Kanarie, në vitin 1965, atë Carlos Luis hyri ndër Etërit Dehonianë në vitin 1984 dhe u shugurua meshtar më 1990. Studioi filozofi e teologji në Salamanka të Spanjës dhe në Karakas, kryeqytet i Venezuelës. Gjithashtu, është laureuar në shkenca biblike në Institutin Papnor Biblik në Romë, e po këtu, ka marrë doktoraturën në Universitetin Papnor Gregorian.

Për më se 30 vjet, atë carlso ka jetuar në Venezuelë

         Gjatë viteve të fundit, ka jetuar në Karakas, ku ka dhënë mësimin e Shkrimit Shenjt. Ka qenë edhe rektor i Institutit të teologjisë për Rregulltarët dhe dekan i Fakultetit të Teologjisë në Universitetin Katolik Andrés Bello. Duke folur për Venezuelën, pati deklaruar: “Jetojmë në një vend thellësisht të ndarë nga pikpamja shoqërore, politike dhe ekonomike… Për këtë arsye, pajtimi nuk është vetëm diçka që ka të bëjë vetëm me individin, por prek gjithë shoqërinë. Detyrë për të gjithë, por sidomos për ne, dehonianët, që e quajmë veten ‘shërbëtorë të pajtimit’. Duke u nisur nga Zemra e Krishtit, duam t’ua ndryshojmë zemrën njerëzve, në mënyrë që të mund të shndërrojmë gjithçka”.

Tani, zgjedhja e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm

         Në ditët e ardhshme, delegatët e Kapitullit, që përfaqësojnë pesë kontinentet, do të zgjedhin edhe anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm, të cilët do ta ndihmojnë atë Carlos Luis Suarez Codorniù në qeverisjen e Kongregatës.

20 korrik 2018, 16:17