Kërko

 Egjipt: besimtarë koptë-ortodoksë, në lutje Egjipt: besimtarë koptë-ortodoksë, në lutje 

Egjipt: vritet ipeshkvi kopto-ortodoks: vdekje misterioze

Ipeshkvi Anba Epiphanios, epror i manastirit të Shën Makarios, në Wadi Natrun, dje në mëngjes u gjend i vdekur. Në kokë, një plagë e thellë, e shkaktuar nga një goditje me mjete të forta.

R. SH. - Vatikan

Të rrethuara me paqartësi e dyshime, rrethanat e vrasjes së  ipeshkvit kopto- ortodoks Epiphanius, abat i manastirit të Shën Makarios së Madh (Dayr Abū Maqār), që u gjend pa jetë brenda manastirit, dje në agim. Në kokën e rregulltarit - sipas burimeve të policisë - një plagë e thellë, e shkaktuar nga goditja me një trup të fortë. Autoritetet kërkojnë të heshtet, derisa të kryhet autopsia, për të sqaruar me fund shkaqet e vdekjes. Ndërkaq Kisha kopte njoftoi se nesër do të kremtohet Mesha e Dritës, pranë manastirit, i cili që dje ka mbetur i mbyllur.

Kush ishte Epiphanius

64 vjeç, i lindur në Tanta, i diplomuar në mjekësi,  Anba Epiphanius hyri në Manastirin e  Shën Makarios, në rajonin e Wadi Natrun, më 1984. U shugurua meshtar më 2002.  Shkencëtar i njohur - kujton Agjencia Fides - pati punuar edhe për përkthimin nga greqishtja, në arabisht, të disa teksteve të Biblës. Duke marrë pjesë edhe në Konferencën X  ndërkombëtare mbi studimet kopte, mbajtur në Romë, më 2012. Të 100 murgjërit e Manastirit të Shën Makarios e patën zgjedhur me shumicë votash si abatin e tyre, më 3 shkurt 2013.  Dishepull i Matta el Meskin – atë shpirtëror e figurë kyçe e historisë së re të Kishës kopto-ortodokse - Anba Epiphanius jetonte në lidhje të ngushta shpirtërore me miqtë dhe bashkësitë murgare të Kishës katolike.

Edhe patriku kopto-ortodoks Tawadros II  dërgoi delegatët  e tij pranë manastirit, për të marrë njoftime të drejtpërdrejta lidhur me kërkimet për ngjarjen tragjike.  

 

30 korrik 2018, 17:44