Kërko

Dy vjet më parë, martirizimi i atë Hamelit nga xhihadistët

Prerë në fyt, ndërsa kremtonte flijimin e Krishtit në Kryq. Me fjalët e Papës Françesku, kujtojmë atë Jacques Hamel, dy vjet pas vdekjes së tij tragjike. Shembulli i tij, ashtu si i shumë martirëve të tjerë të krishterë në botë.

R.SH. - Vatikan

Vrarë brutalisht nga dy të rinj të lidhur me të ashtuquajturin Shtet Islamik, ndërsa kremtonte meshën në kishën e Saint-Etienne-du-Rouvray në Rouen, në veri të Francës. Kështu, dy vjet më parë, vdiste martir atë Jacques Hamel, “njeri i butë, i mirë, që punonte për vëllazërimin”, siç pati thënë në meshën e dritës, Papa Françesku. Më 14 shtator 2016, në Shtëpinë e Shën Martës, Ati i Shenjtë priti familjarët e meshtarit 86-vjeçar dhe shtegtarët e ardhur nga Normandia, së bashku me ipeshkvin e Rouenit, imzot Dominique Lebrun.

Nisma laike e fetare

         Sot, në dioqezën e atë Hamelit, u zhvillua një “ceremoni republikane për paqen dhe vëllazërimin”, në praninë e ministres së brendshme franceze, Jacqueline Gourault. Gjithashtu, meshtari u kujtua me një sërë nismash fetare, si Rruzarja, një marrshim i vogël i heshtur dhe mesha e kremtuar nga imzot Lebrun, pikërisht në orën e vrasjes, më 9.00 të mëngjesit të 26 korrikut 2016.

Masakruar para Kryqit të Krishtit

         “Martir” i krishterë, ndër martirët e shumtë të Kishës, që sot, “vriten, torturohen, burgosen, masakrohen, sepse nuk e mohojnë Jezu Krishtin”: “një zinxhir” e pati quajtur Papa Françesku, gjatë meshës në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, që arrin deri tek atë Jacques, procesi për lumnimin e të cilit vijon që nga 13 prilli i vitit 2017, falë lejes papnore për të mos pritur 5 vjetët e nevojshëm për hapjen e tij.

Martirizimi është dëshmi, nuk shkakton frikë

         “Urrejtja nuk triumfoi e nuk do të triumfojë”: kështu pohon, duke kujtuar vdekjen e atë Jacques Hamel, atë Rebwar Audish Basa, kaldeas, dëshmitar i vrasjes së sa e sa meshtarëve në Irak. “Prej tyre kam mësuar se dashuria fiton. Ne jemi për jetën e jo për vdekjen. Martirët janë njerëz të ndershëm, që ecin në udhën e Zotit, gati të japin jetën për vëllezërit”. Duke komentuar fjalën “martirizim” e duke kujtuar kuptimin e saj fillestar, që është “dëshmi”, atë Basa vëren se janë të shumtë të krishterët, të cilët humbasin jetën përditë, shpesh në heshtjen dhe indiferencën ndërkombëtare. Ndodh kështu në Irak, në Pakistan, në Filipine, në Afrikë: pakica irakiane, për shembull – nënvizon – “mundi të rezistojë falë solidaritetit të Papës, përndryshe nuk do t’ia kishim dalë kurrë”.

Ideologjia e urrejtjes

         Atë Jacques ndërroi jetë, duke akuzuar autorin e vërtetë të persekutimeve: “Ik o Djall” u pati thënë xhihadistëve. Edhe gjatë meshës së dritës, në vitin 2016, Papa Françesku pati folur për “mizorinë djallëzore, që kërkon apostazia”, duke uruar që të gjitha fetë të deklarojnë se “të vrasësh në emër të Zotit, është djallëzore”. Ka emra të shumtë, por “agresori është një i vetëm”, i kthehet kësaj ideje edhe atë Basa për të theksuar se shkaku i vërtetë i persekutimeve qëndron në ideologjinë e urrejtjes, në mospranimin e tjetrit. Emrat mund të jenë Isis apo Boko Haram - pak rëndësi ka – por emëruesi është gjithnjë i përbashkët. Duke përmendur fjalët e Papës Françesku, meshtari irakian denoncon ata, që përdorin fenë dhe emrin e Zotit për plane personale, për lojra korrupsioni, për projekte politike e, thekson sa e rëndësishme është të luftohet për respektimin e të drejtave të njeriut, edhe të vetë myslimanëve.

26 korrik 2018, 12:36