Kërko

don Marjan Topalli - neosacerdote kosovo don Marjan Topalli - neosacerdote kosovo 

Dom Marjan Topalli shugurohet meshtar

Mesha e shugurimit meshtarak nesër, 28 korrik ora 11.00 në Katedralen Shën Nënë Tereza, në Prishtinë. Kremtimi i Meshës së Parë të dielën, 29 korrik ora 11.00 në Kishën e Zojës Rruzare në fshatin Bishtazhin, Gjakovë.

R.SH. - Vatikan

Kisha famullitare e Zojës Rruzare e fshatin Bishtazhin, në komune të Gjakovës dhe Kisha katolikenë Kosovë janë në festë për shugurimin meshtarak të diakonit, dom Marjan Topalli, me vendosjen e duarve të kryeipeshkvit imzot Rrok Gjonlleshaj.

Mesha e shugurimit meshtarak do të kremtohet nesër, më 28 korrik në ora 11.00 në Kishën Katedrale Shën Nënë Tereza, në Prishtinë, në një bashkëkremtim të ipeshkvit të Prishtinës imzot Dodë Gjergjit dhe kryeipeshkvit të Tivarit, imzot Rrok Gjonlleshajt e pjesëmarrjen e shumë meshtarëve, rregulltarëve, motrave rregulltare, si dhe të një numri të mirë të besimtarëve, miqve e dashamirëve.

Kremtimin e Meshës së Parë  meshtari i ri dom Marjan Topalli do të bëj të dielën, më 29 korrik në ora 11.00 në Kishën e Zojës Rruzare në fshatin Bishtazhin, Gjakovë.

Çdo thirrje e shenjtë në Kishë e ka zanafillën në vështrimin e dhembshur të Jezusit, që na fal e na fton ta ndjekim. Por ç’do të thotë të jesh pjesëmarrës në misionin e Krishtit, Mësuesit të vetëm? Kisha ua kujton meshtarëve  e posaçërisht meshtarëve të rinj se ky është mandati i tyre, e se pikërisht për këtë janë zgjedhur prej Birit të Zotit, Kryemeshtarit – Jezu Krishtit. Prandaj edhe  i fton ta jetojnë Fjalën e Hyjit. Ta çojnë tek të gjithë atë Fjalë të Zotit, që ata vetë e kanë pranuar dhe e pranojnë me gëzim. Ta kujtojnë historinë personale, dhuratën e Fjalës, që Zoti ua ka bërë përmes prindërve, nënës, gjyshes – e siç thotë shën Pali – përmes katekistëve e gjithë Kishës. Ta lexojnë dhe meditojnë pa pushim Fjalën e Zotit për të besuar në çka lexojnë, për t’ua mësuar të tjerëve atë çka kanë kuptuar përmes fesë, për ta jetuar atë çka ua mësojnë të tjerëve.

 Së dyti, Kisha u thotë meshtarëve në përgjithësi e  meshtarëve të rinj në veçanti ta vijojnë veprën shëlbimprurëse të Zotit, me fjalë e me shembull, me doktrinë dhe me aromën e dëshmisë së jetës. Vetëm kështu do të kontribuojnë në forcimin e themeleve të Kishës, shtëpi e Zotit. Flijimi i Jezu Krishtit, i paraqitet botës pa dhunë, përmes duarve të meshtarëve, që lartohen në elter, prandaj meshtarët duhet të kuptojnë atë çka bëjnë. Duhet të imitojnë çka kremtojnë, sepse kështu, duke marrë pjesë në misterin e vdekjes dhe të ngjalljes së Zotit Jezu Krisht, si meshtarë e bartin vdekjen e Krishtit në gjymtyrët e veta dhe ecnin me Të drejt risimit të jetës.

Të zgjedhur ndërmjet njerëzve për të ndjekur gjërat e Zotit, Kisha i këshillon meshtarët ta vijojnë me gëzim e dashuri të sinqertë veprën e Krishtit, duke pasur kujdes t’i pëlqejnë Hyjit e jo vetvetes, duke ecur me Krishtin drejt risimit të jetës, duke ditur se pa kryqin nuk do ta gjejnë kurrë Jezusin e vërtetë; e kryqi pa Krishtin nuk ka kuptim. Kisha u kërkon meshtarëve të jenë shërbëtorë të bashkimit në Kishë e në shoqëri sipas shembullit të Bariut të Mirë, të shërbejnë e jo të shërbehen, të mos rrinë në rehatinë e tyre, por të dalin, t’i kërkojnë e t’i shpëtojnë të humburit. Të jenë të mëshirshëm porsi Ati Hyjnor.

 Me Sakramentin e Pagëzimit meshtarët do t’i shtojnë besimtarë të rinj Popullit të Zotit. Me Sakramentin e Pajtimit do t’i falen mëkatet e njerëzve në emër të Krishtit e të Kishës. E, në emër të po Atij Zoti e, në emër të Kishës, atyre u kërkohet të jenë të mëshirshëm, madje shumë të mëshirshëm. Me vajin e shenjtë do t’ua lehtësojnë vuajtjet të sëmurëve. Duke kremtuar ritet e shenjta dhe duke i lartuar Hyjit, gjatë orëve të ndryshme të ditës, lutjet e lavdit dhe të përgjërimit, meshtarët bëhen zë i Popullit të Zotit dhe i njerëzimit mbarë.

I madh, emocioni i meshtarit të ri, që thirret me emër, në mënyrë të drejtpërdrejt, për t’u përgjigjet pa hezitim: “Ja ku jam!”. “Zoti e plotësoftë në ty veprën e vet, filluar që kur ishe fëmijë”: ky është bekimi i ipeshkvit shugurues për meshtarin e ri që shqiptohet gjatë ritit të shugurimit gjatë kremtimit Eukaristik. Po ja dëshmia dhe emocioni i diakonit dom Marjan Topalli natën e shugurimit të tij meshtarak, ta dëgjojmë në mikrofonin e dom David Gjugjës.... 

Në mikrofonin e dom David Gjugjës ta dëgjojmë dëshminë e diakonit dom Marjan Topalli

Në vijim dy fjalë për meshtarin e dom Marjan Topalli.                   

Dom Marjan Topalli, i lindur me 15/04/1992 në fshatin Kushavec komuna Gjakovë, i biri i Pjetër dhe Vera Topalli (Lleshi), i treti pas vëllait dhe motrës. Shkollën fillore e mbaroi në shkollën “At Gjergj Fishta” në Bishtazhin, Gjakovë. Gjithashtu përfundoi edhe maturën në gjimnazin “Hajdar Dushi” – Bishtazhin në vitin 2010.

Më 5 Tetor 2011 filloi vitin Propedeutik në Seminarin Ndërdioqezan Shqiptar “Nëna e Këshillit të Mirë” në Shkodër. Pas shqyrtimit një vjeçar, pastaj vazhdoi ecjen në Seminarin e Lartë duke ndjekur njëkohësisht edhe studimet filozofike – teologjike.

Me 14 Mars 2015 u pranua si kandidat për urdhrin e Diakonatit dhe të Meshtarisë, me 25 Prill 2016 mori shërbesën e Lektoratit, dhe me 8 Prill 2017 mori shërbesën e Akolitatit.

Më 30 Korrik 2017 u shugurua diakon nga Imzot Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Administraturës Apostolike Prizren – Kosovë. Ndërse vitin e VI të studimeve e mbaroi dhe u diplomua pranë Fakultetit Papnor Teologjik i Italisë Jugore, Seksioni Shën Luigji, Napoli (Itali).

27 korrik 2018, 13:46