Cerca

Vatican News
Martirët e Kishës në Shqipëri Martirët e Kishës në Shqipëri 

Dom Lekë Sirdani e dom Pjetër Çuni, në përvjetorin e vrasjes

Më 31 korrik kujtojmë përvjetorin e vrasjes së dy klerikëve martirë, dom Aleksandër Sirdanit (1892-1948) e dom Pjetër Çunit (1914-1948).

R.SH. - Vatikan

Xhelatët e diktaturës komuniste të Shqipërisë, pikërisht 70 vjet më parë i mbytën të dy Martirët për së gjalli në një gropë gjirizi, në Koplik, ku zhvillohej hetuesia e meshtarëve.
Dom Aleksandër Sirdani e dom Pjetër Çuni qenë dy figura të shquara, jo vetëm të Kishës katolike, por edhe të kulturës, sidomos dom Sirdani, një nga firmat më të njohura, që botoi në shumë organe të shtypit të kohës, veçanërisht në revistën famëmadhe të jezuitëve ‘LEKA’. 

Dom Lekë Sirdani
I lindur në Bogë në vitin 1891, i bëri studimet e para në Seminarin shqiptar e teologjinë në Insbruk, në Austri. U shugurua meshtar më 24 prill 1916. Ka punuar për fe e për atdhe. Kreu shërbimin në famullitë e maleve të kryeipeshkvisë së Shkodrës. Ishte shumë i zellshëm e i devotshëm. U torturua në mënyrë barbare e të pashpirtshme. E bënë të sillej përreth famullisë së tij në zonën e Koplikut, pastaj e futën të gjallë në një pus ujërash të zeza dhe e lanë aty derisa vdiq më 31 korrik 1948, bashkë me Dom Pjetër Çunin.

Dom Pjetër Çuni
Lindi në Shkodër, më 9 korrik 1914. Shkollën fillore dhe liceun e kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Kongregatën Propaganda Fide (Romë). U shugurua meshtar më 23 mars 1940. Shërbeu në famullitë e maleve përreth Shkodrës: Reç e Lohe (Shkrel). U arrestua pa arsye në Rrjol më 27 korrik 1948. Egërsisht i torturuar, u fut për së gjalli në një pus ujërash të zeza, ku vdiq më 31 korrik 1948. Të atit iu dha lajmi i vdekjes më 26 dhjetor 1948.
Qe meshtar shembullor, i zellshëm dhe bari i mirë për grigjën e vet. Qe i paluhatshëm kundër diktaturës. Ai dhe dom Aleksandër Sirdani janë shpallur të lum nga Kisha Katolike universale, së bashku me 36 martirë të tjerë shqiptarë të diktaturës komuniste.

31 korrik 2018, 16:23