Kërko

Bibla Bibla 

Ҫelësi i fjalëve të Kishës: Libri i Joelit profet

Në emisionin e sotëm do t’ju flasim për Joelin profet, si gjithnjë, duke u bazuar në librin “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian, Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Libri i vogël i Joelit – vetëm 4 kapituj – përbëhet nga dy fjalime të rëndësishme.

         Në të parin (1,1-2,18), profeti përshkruan dyndjen kolosale të karkalecave, ndjekur nga një thatësirë e madhe; shenja këto, të afrimit të Ditës së Zotit, në të cilën Hyji do të triumfojë kundër armiqve.

         Në fjalimin e dytë (2,19-3,21), Joeli lajmëron se Zoti do ta bëjë pjellore tokën dhe do të dikojë frymën e vet mbi të gjithë njerëzit. Gjithçka i paraprin ditës së madhe e të frikshme, në të cilën Zoti do t’i mbledhë kombet në luginën e Jozafatit.

Dyndja e karkalecave e Dita e Zotit

         Duket sikur ky libër i Biblës nuk është fort i këndshëm, por le ta analizojmë dalëngadalë.

         Për Joelin nuk dimë asgjë, përveç faktit që ishte bir i Petuelit, megjithëse kjo nuk mjafton për të pasur informacione mbi jetën e tij. Vite me radhë është menduar se Joeli profet pati jetuar para mërgimit të Izraelit, por sot, shumica mendojnë të kundërtën. Pra, Joeli ka banuar në Jeruzalemin e pas mërgimit babilonez.

         Profeti e fillon tregimin e tij, duke përshkruar ndodhitë: fatkeqësinë e rëndë të dyndjes së karkalecave, të krimbave dhe të bulkthave; vendin e shkatërruar, tokën e tharë dhe tempullin, ku askush nuk ofronte më asgjë.

"Dies Irae"

         Por, cila është këshilla e profetit? Të shpallej një agjërim solemn, sepse Dita e Zotit ishte afër. Hyji vjen përmes shkatërrimit! Mbi një vend të rraskapitur e të dërrmuar po vinte Dita e Zotit, ditë terri dhe errësire, ditë me re e mjegull, nga e cila asgjë nuk mund ta shpëtojë popullin. Kjo ide del në 31 rreshtat e parë të Librit, që lexohen me një frymë e me ankth, pasi është vështirë të gjendet në Bibël një tekst kaq i errët sa ai i fillimit të Joelit, i cili, së bashku me Sofoninë profet, i jep Izraelit imazhin e mistershëm të Ditës së Zotit.

         Ndoshta, autori i “Dies irae” (Zemërimi i Hyjit, shkruar ndoshta prej Tomazos nga Ҫelano) mendonte pikërisht për këto rreshta kur shkruante: “Ajo ditë me mëni/ qi të vijnë ndë e vonë/ këtë shekullë të zi/ta djegë e ta përvëlonjë./Si profeta ban dëshmi/me sibilënë po thonë/i madh gjyqi e mëni/të vinjë për mkate tonë./Sa dridhmë e cokëllimë/Të jenë përgjithanë/E n’qiellshit shkrepëtimë/ Nd’ajërit e madhe gjamë,/kur n’qiellshit të vinjë/gjukatësi ma j vonë/Qi mirë t’i çkyrëtinjë/gjithë vepëratë tonë./ E një za si trumbetë/Fort i nalti të këmbonjë/këtë shekullë të shkretë/mbë gjithanet ta kërkonjë/n’qiellshit si të këlthasë/vorretë t’i debërtonjë/E t’vdekunet t’u thërresë/Gjumi cë randë t’i nqonjë” (Përkthimi i “Dies Irae” është marrë nga përshtatja, që i ka bërë Pjetër Budi në “Ditën e Gjyqit”).

         E nëse kjo poezi nuk ua zgjon imagjinatën, provoni të dëgjoni Mozartin apo Verdin, të cilët i kanë dhënë historisë dy pjesë, ku përshkruajnë pikërisht Ditën e Gjyqit të Zotit me një fuqi muzikore të pakapërcyeshme deri më sot.

“Shqyeni zemrat e jo petkat…”

         Duke iu kthyer Librit të Joelit, duhet të shkojmë në rreshtin 12 të kapitullit II për të parë si ndryshon profeti. “Që tani ‑ është fjala e Zotit ‑ kthehuni me gjithë zemër kah unë, me agjërim, me vaj e dënesje!”. Hyrje, për fjalët, të cilat përbëjnë qendrën e Librit: “Shqyeni zemrat e jo petkat…”. Ky tekst i rëndësishëm i Joelit nuk ka hyrë më kot në liturgjinë katolike për të Mërkurën e Përhime, ditë pendese dhe faljeje.

         Libri vijon më pas me kapitullin III, tepër të shkurtër, vetëm me 5 versete, të cilat, gjithsesi, do të duken sërish në Besëlidhjen e Re e më pas në liturgji, pikërisht në ditën e Rrëshajëve, kur shën Pjetri, për të shpjeguar mrekullinë e Shpirtit Shenjt, zbritur mbi peshkatarët e thjeshtë të Galilesë, do të citojë Joelin:

         “Do ta dikoj Shpirtin tim mbi çdo njeri e do të bëhen profetë bijtë e bijat tuaja… Madje edhe mbi skllevër të mi ‑ burra e gra, në ato ditë do ta dikoj Shpirtin tim”.

Lugina e Jozafatit

         Libri përfundon me imazhin e luginës së gjykimit, luginës së Jozafatit e, Joeli duket sikur i kundërvihet shpresës së Isaisë profet, që pati lajmëruar për një kohë, kur njerëzit do t’i shndërronin shpatat në drapërinj. Joeli profetizon të kundërtën: “Kthejini plorët në shpata, drapërinjtë në heshta… Le të çohen e le të ngjiten të gjitha kombet në fushën e Jozafatit, sepse aty do të ulem të gjykoj të gjitha kombet përreth!”.

         Dita e Zotit, Dita e Gjyqit të Mbramë, për Joelin, bëhet dita në të cilën të gjitha kombet, që i janë kundërvënë Izraelit dhe e kanë shtypur atë, do të dënohen për gjakun e derdhur nga bijtë e Judës. Libri i Joelit është për t’u lexuar, duke dëgjuar “Dies irae” nga Requiem-i i Mozartit. Përvojë e papërsëritshme!

19 korrik 2018, 13:57