Kërko

Bibla Bibla 

Ҫelësi i fjalëve të Kishës: Libri i Amosit profet

Amosi është profeti i parë biblik, parashikimet e të cilit janë shkruar në një libër. Pra, historikisht, është profeti i parë, për të cilin ka mbërritur deri në ditët tona, një libër. Për të do të flasim në emisionin e sotëm, si gjithnjë, duke u bazuar në vëllimin “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian, don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Amosi profet jetoi në mbretërinë e Izraelit, në veri të vendit, në shekullin VIII para Krishtit. Ishte nga Tekua, fshat dy orë rrugë nga Betlehemi e 16 kilometra në jug të Jeruzalemit. Ishte bari, tubanik, e jo profet me profesion, por kishte lidhje me rrethet profetike. U thirr nga Zoti pikërisht ndërsa ndodhej me grigjën e vet.

Amosi largohet nga Amasia

Në qendër të Librit, gjejmë skenën, që e përshkruan më mirë misionin e profetit. Amosi është i mbretërisë së Judës, por Zoti e çon të profetizojë në mbretërinë e Veriut e kjo e bën të vështirë detyrën e tij. Por ajo bëhet gati e pamundur kur profeti nuk përdor aspak fjalë të mira për pushtetarët e asaj bote, siç bënin profetët e tjerë të oborrit. Amosi denoncon pa frikë e pa doreza mbretin, njerëzit e pushtetshëm të popullit, të kultit dhe meshtarët. Madje kryemeshtari, Amasia, e përzë:

“Amasia i tha Amosit: “Shporru, o vegimtar! Ik në dheun e Judës. Atje ha bukë e atje profetizo! Sa për në Betel mos guxo më të profetizosh, sepse kjo është shenjtërorja e mbretit e tempulli i mbretërisë!” (Am 7,12-13).

Të jesh profet nuk është e drejtë e trashëguar

         Shenjtërorja nuk është më e Zotit, por e mbretit, sipas kryemeshtarit, prandaj Amosi nuk ka frikë e përgjigjet, ndoshta, me njërën nga frazat më të mira të Biblës:

         “Atëherë Amosi iu përgjigj Amasisë: “Nuk jam profet as s’jam bir profeti, por jam tubanik e vjelës fiqsh. Por vetë Zoti më mori prej pas deleve e më tha Zotynë: ‘Shko e profetizoji popullit tim, Izraelit!’ Tani dëgjoje fjalën e Zotit: Ti po thua:’Mos profetizo kundër Izraelit e mos prediko kundër shtëpisë së Izakut!’” (Am 7,14-16)

Profecia për Amasinë

         E Amosi bën një profeci për Amasinë, që nuk harrohet lehtë, pasi bëhet shpejt realitet:

“Kështu thotë Zoti: ‘Gruaja jote do të bëhet lavire në qytet, prej shpatës do të bien bijtë e bijat e tua, toka jote me konop do të ndahet, kurse ti do të vdesësh në vend të papastër dhe Izraeli do të shkojë nga vendi i vet në skllavëri. ’”(Am 7,17).

Bari i vrazhdë Amosi profet, por i papërkulur, simbol i atyre, që nuk thyhen para pushtetit, nga kushdo të përfaqësohet. E bukur, liria e tij, kur thotë se nuk është profet e as bir profeti, sepse të jesh profet nuk është e drejtë e trashëguar: është Zoti që thërret. Bukuria e atyre, që flasin në emër të Hyjit!

Dita e Zotit, Gjyqi i Mbramë

Por ç’kishte bërë Amosi për t’u përzënë? Kishte pasur pesë vizione, që paralajmëronin Ditën e Zotit, Ditën e Gjyqit. Kishte përshkruar një të ardhme të errët, e cila mund të shmangej nëse populli do t’ia kishte dëgjuar fjalën, në vend që të shtrihej në divanë e të bënte gosti, duke ngrënë e duke pirë, pa u kujdesur për shpirtin. Premtimi i gjykimit hyjnor është i tmerrshëm:

“Do ta çoj zjarrin në Jude, Jerusalemit t’ia përpijë pallatet!” Mirë, pra, përtokë do t’ju shtyp siç shtyp qerrja me sanë e ngarkuar” (Am 2,5.13).

“Ja, dita juve ju erdhi, kur do t’ju ngulin në heshtë e pasardhësit tuaj në fuzhnjë” (Am 4,2).

“Bëhu gati, o Izrael, t’i dalësh përballë Hyjit tënd! Ai krijon agim e terr, ai ecën mbi lartësitë e tokës” (Am 4,12.13).

Heroi i miliona të shtypurve

         Një turbinë me zemërim dhe indinjatë kundër atyre, që do të donin t’i iknin Ditës së Gjyqit të Mbramë, duke u fshehur nën falsitetin e riteve e duke harruar paudhësitë e tyre. Flet kështu profeti i gjithë të mundurve, i të shtypurve nga buzëqeshja e paskrupullt e të pushtetshmëve, që u shtiren njerëzve nga divanet e tyre të rehatshme. Me Amosin profet, historia e Biblës pasurohet me një hero të vërtetë, pasi të gjithë hipokritët e asaj e të kësaj kohe duhet t’i bëjnë llogaritë me fjalët e tij:

         “Dëgjojeni këtë fjalë, o ju lopët e Basanit, që jeni në mal të Samarisë, që të ligshtët i shtypni, që i mundoni varfanjakët (Am 4,), që e shitët për argjend të drejtin e skamnorin për një palë sandale (Am 2,6). I urrej, i përbuz festimet tuaja, nuk u kënaqem të kremteve tuaja! (Am 5,21)”.

         Nëse ka ndonjë profet, që ia vlen të dëgjohet, është pikërisht ky bari nga Tekua, që na bën të mendojmë për miliona të shtypurit e harruar nga bota e sidomos, nga ata, që jetojnë të sigurtë nëpër pallate e vishen bukur nëpër asambletë ku flitet për të varfërit. Amosi lajmëron për një Zot, që nuk përkëdhel askënd, por që vendos drejtësinë për secilin.

26 korrik 2018, 09:04