Cappella Sistina Cappella Sistina 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Libri i Ozesë profet

Ozea profet, është i pari i të ashtuquajturve “profetë të vegjël”, ndoshta për shkak të përmasave të veprave të tyre, por mesazhi dhe historia e profetit nuk janë aspak më të parëndësishëm si ata të profetëve të mëdhenj.

R. SH. - Vatikan

Sot do të flasimpër Ozenë profet, i pari i të ashtuquajturve “profetë të vegjël”, ndoshta për shkak të përmasave të veprave të tyre. Por mesazhi e historia e profetit nuk janë aspak më të parëndësishëm si ata të profetëve të mëdhenj. Edhe në këtë emision, bazohemi, si gjithnjë, në librin “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian, Federico Tartaglia.

Kur Zoti fillon t’i flasë Ozesë, i thotë: “Shko e merre një grua që bën lavirësi e ki fëmijë nga lavirësia e saj, sepse vendi s’bën tjetër, veç lavirësi ndaj Zotit” (Os 1,2).

Ozea – profet, që martohet me një prostitutë! Gjë e padëgjuar, të cilën nuk do ta kuptojë më vonë edhe Simoni, fariseu që e fton Jezusin në shtëpinë e vet e kur një prostitutë lëshohet t’i puthë këmbët, mendon me përbuzje: “Nëse do të ishte me të vërtetë profet, do ta dinte se ç’grua është kjo!” Duke harruar se edhe Ozea pati marrë për grua një prostitutë, ndoshta, një nga gratë, që frekuentonin tempujt kananeas të fertilitetit, ku natën afroheshin edhe ata, që mbaheshin si më shenjtët e Jeruzalemit!

Ozeas i duhet të bashkohet me Gomerën e të bëjë me të dy fëmijë, emrat e të cilëve paraqesin mëkatet e popullit: E-padashur dhe Jo-populli-im. Profetit i kërkohet të marrë përsipër gjendjen e mëkatit të krejt popullit, gjë që na bën të mendojmë Ungjillin e Jezusin, që merr mbi vete mëkatet e gjithë njerëzimit. Simbolikisht, Ozea profet martohet me atë, që është simbol i mëkatit të idhujtarisë së Izraelit. Zoti i Ozesë është i dashuruar, i martuar e pastaj, i tradhtuar për Baalin, hyjninë kananease, emri i të cilit do të thotë “Padron”. Izraeli, ashtu si Gomera, nuk e kupton dashurinë e Zotit, që dashuron si bashkëshorti besnik, prandaj kthehet nga zotat, që sillen me të si “Padronë”. Hyji zemërohet e dënon, por pastaj, flaka e dashurisë së Tij ngroh e fal.

 “Prandaj vetë do ta josh atë, do ta shpie në shkretëtirë e do t’i flas zemrës së saj… Do të të bëj fatin tim të përhershëm, do të të fejoj në drejtësi e në të drejtë, me dhembshuri e dashuri. Do të të fejoj në besnikëri e ti Zotin do ta njohësh!” (Oz 2,16.21-22).

Kjo deklaratë dashurie është një nga pjesët më të bukura të Librit. Nëse për ne katolikët, martesa është sakrament i dashurisë së Zotit, duhet falënderuar edhe Ozea profet, i pari, që dëshmoi se feja e Izraelit duhet të jetë edhe besnikëri në dashuri e se nuk mund të besosh, nëse nuk e njeh Zotin. Këtu, një nga fjalët më të rëndësishme të librit, “të njohësh Zotin”, ka në hebraisht një kuptim shumë të thellë, shumë intim. Ozea i thotë popullit të besojë në një Zot, që nuk është idhull, por Hyji i gjallë, Hyj i dashuruar, që kërkon marrëdhënie intime e personale.

E Ozea është edhe profeti, që na tregon se për ç’dashuri është fjala: “Dua dashurinë e jo flinë, njohjen e Hyjit më se holokaustet” (Oz 6,6). Këto fjalë i merr Jezusi dhe i përsërit para farisenjve, që shkandullohen kur e shohin të ulet në tryezë me mëkatarët e publikanët. Zoti i përshkruar nga Ozea dashuron si një bashkëshort i devotshëm, si një atë i kujdesshëm dhe, është i mëshirshëm, ashtu siç mund të jetë vetëm nëna:

 “Zemra ime në mua përmallohet, në brendinë time flakë është ndezur dhimbja. S’do ta shfryj zemërimin tim, s’do të kthehem ta shpërndaj Efraimin, sepse Hyj jam unë e jo njeri, Shenjti në mesin tënd, s’do të vij me tmerr” (Oz 11,8-9).

12 korrik 2018, 14:30