Kërko

20180130_BAV_Pal.lat.50_0144_fa_0067v ok_scrivere, mano, manoscritto.jpg 20180130_BAV_Pal.lat.50_0144_fa_0067v ok_scrivere, mano, manoscritto.jpg 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Libri i Ezekielit

Ezekieli është profeti i tretë i madh i Biblës. Historia e tij ndikohet thellësisht nga mërgimi në Babiloni, ku detyrohet të shkojë pas rrethimit të parë të Jeruzalemit në vitin 597 para Krishtit.

R. SH. - Vatikan

Ezekieli është profeti i tretë i madh i Biblës. Historia e tij ndikohet thellësisht nga mërgimi në Babiloni, ku detyrohet të shkojë pas rrethimit të parë të Jeruzalemit në vitin 597 para Krishtit. Disa vjet më vonë, në vitin 593, fillon misioni i tij profetik, që do të vijojë për 20 vjet me radhë. Ky është argumenti i emisionit të sotëm, përgatitur, si gjithnjë, duke pasur parasysh librin “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian, Federico Tartaglia.

Ezekieli është nga fis meshtarësh (Ez 1,3) e krejt jeta e tij shenjohet nga profanimi dhe shkatërrimi i tempullit, në vitin 587. Vetë Libri i Ezekielit ndahet më dysh nga kjo ngjarje: pjesa e parë përmban parashikime, ku Zoti e kërcënon Judenë me dënime për fajet e veta, ndërsa pjesa e dytë përshkohet nga shpresa dhe përfundon me vegimin e tempullit të ri të Jeruzalemit.

Figurat, me të cilat flet ky profet, janë të mistershme dhe enigmatike, fryte të përvojës së vërtetë mistike, që i jep mundësi të shohë, edhe me mijëra kilometra larg, Jeruzalemin. Kështu, e sheh kur “lavdia e Zotit”, pra vetë Hyu, e braktis tempullin e pastaj, sheh edhe tempullin e ri, të cilin e përshkruan deri në hollësitë më të imta.

Që në kapitullin e parë na paraqitet me forcë vegimi i katër qenieve të gjalla me fytyrën e njeriut, të luanit, të kaut e të shqiponjës. Në traditën e krishterë, këto katër qenie njerëzore do të bëhen simbole të katër ungjilltarëve: njeriu për Mateun, luani për Markun, kau për Lukën, shqiponja për Gjonin. Në të vërtetë, këta janë e njëjta figurë, siç e përshkruan profeti, i cili përdor, kështu, për herë të parë fjalën me të cilën Krishti do ta quajë vetveten:

 “…m’u paraqit dukja e lavdisë së Zotit. E pashë e rashë me fytyrë përdhe dhe dëgjova një zë që më fliste. Më tha: “Biri i njeriut, ngrihu se dua të të flas!”(Ez 1,28.2,1).

 “Biri i njeriut”: kjo është fjala, që gjejmë në Librin e Ezekielit, e që tregon atë, me të cilin dëshiron të flasë Zoti. E ajo që i thotë Hyu nuk është aq e thjeshtë. Shpirti i Zotit hyn në Ezekielin, e bën memec, i urdhëron të mbyllet, i lidhur, në shtëpi, pastaj, të marrë një pllakë argjile e të paraqesë në të rrethimin e Qytetit Shenjt; së fundi, të marrë shpatën e të rruajë kokën e mjekrrën, sepse Zoti kështu do të bëjë me gjithë popullin.

Në kapitullin 10, nga dënimet kundër Izraelit, kalohet në pjesën ku Ezekieli sheh lavdinë e Zotit ta braktisë tempullin, por në kapitujt e mëpasëm, profeti u jep shpresë hebrenjve të mërguar në Babiloni, që kujtonin se nuk do të ktheheshin më në atdhe. Fjalët e tij kanë një lirizëm të pashoq:

 “Do t’ju heq prej paganëve e do t’ju bashkoj nga të gjitha vendet dhe do t’ju sjell në vendin tuaj. Atëherë do të zbraz mbi ju një ujë të pastër dhe do të pastroheni nga të gjitha ndyrësitë tuaja. Do t’ju pastroj nga të gjithë idhujt tuaj! Unë do t’ju jap një zemër të re, një shpirt të ri do ta fus në ju, do ta nxjerr nga mishi juaj zemrën e gurtë e do t’ju jap një zemër mishi. Shpirtin tim do ta fus në ju e do të bëj që të ecni urdhërimeve të mia e t’i zbatoni e t’i vini në veprim gjyqet e mia” (Ez 36,24-27).

 “Zemra e re e shpirti i ri”, që Zoti i jep çdo besimtari, e ka këtu zanafillën. Do të vinë më pas Nabukodonosori e shkatërrimi i tempullit; vdekja e gruas së Ezekielit e edhe e atij vetë; dënimi i përgjegjësve të kësaj katastrofe; por është kapitulli 37 që të lë pa frymë, sepse në të shihet qartë ringjallja, që do të gjejë plotësimin në Krishtin:

Pashë “ një fushë plot me eshtra… Zoti më pyeti: “Biri i njeriut, a të thotë mendja se këto eshtra mund ta rifitojnë jetën?” Unë iu përgjigja: “Ti e di, o Zot Hyj!” Atëherë më urdhëroi: “Profetizo mbi këta eshtra e thuaju: O eshtra të thata, dëgjojeni fjalën e Zotit! Kështu u thotë Zoti Hyj këtyre eshtrave: Unë po e fus në ju shpirtin e ju do ta rifitoni jetën… Unë profetizova ashtu si më qe urdhëruar. Ndërsa unë po profetizoja, dëgjova një ushtimë dhe pashë një lëvizje eshtrash: iu afruan njëri‑tjetrit, secili asht ashtit përgjegjës. Shikova dhe, ja, u gërshetuan drejtë, u veshën me mish dhe me lëkurë, por ende nuk kishin shpirt. Prapë më tha: “Profetizoji shpirtit! Porfetizo, biri i njeriut, e i thuaji shpirtit: Kështu thotë Zoti Hyj: Eja, o shpirt, nga të katër anët e botës e fryj mbi këta të vdekur që ta rifitojnë jetën!”

Një zemër e re, një shpirt i ri, një popull i ri, një tokë që do të fitohet sërish, me një tempull të ri. E gjithë këtë e realizon Shpirti i Zotit. Ezekieli është i pari, që flet për këtë Shpirt në Bibël. Këtij profeti i detyrohemi shumë: Jezusi e mori prej tij shprehjen “Biri i njeriut”; e gjithë literatura e zbulesës lindi falë tij; përvoja mistike e hyjnores gjen në të protagonistin e parë biblik; po ashtu edhe zbulimi i Shpirtit të Zotit, që zë vend në njeriun dhe i dhuron atij jetën, argument qendror i Besëlidhjes së Re, përmendet për herë të parë nga Ezekieli profet.

05 korrik 2018, 10:25