Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Dom Zef Marku meshtar i ri Dom Zef Marku meshtar i ri 

Dioqeza e Sapës: shugurimi meshtarak i dom Zef Markut

Të shtunën, më 23 qershor, në Katedralen “Shën Tereza e Kalkutës” në Vau-Dejës, u kremtua me gëzim shugurimi meshtarak i diakonit të dioqezës së Sapës, dom Zef Marku.

R. SH. - Vatikan

Të shtunën, më 23 qershor, në Katedralen “Shën Tereza e Kalkutës” në Vau-Dejës, , u kremtua me gëzim shugurimi meshtarak i diakonit të dioqezës së Sapës, dom Zef Marku. Meshën solemne dhe ritin e shugurimit meshtar e kryesoi ipeshkvi i Sapës, Imzot Simon Kullit në bashkëkremtim me Nuncin Apostolik në Shqipëri, imzot Charles John Brown, ipeshkvin e  Rrëshenit, imzot Gjergj Meta, meshtarë e motra nga dioqezat e Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe familjarë, miq e dashamir të meshtarit të ri dom Zefit. Po më hollësisht nga Vau-Dejës të ndjekim shërbimin e Violeta Marashit...

Shugurimi meshtarak i dom Zef Markut, në dioqezën e Sapës

SHUGURIMI MESHTARK I DOM ZEF MARKU

Të shtunën më 23 qershor 2018,  Dioqeza e Sapës ka kremtuar me gëzim  shugurimit Meshtarak të diakonit dom Zef Marku. Me falenderimin ndaj Zotit, Atit të mëshirshëm që zgjedh vazhdimisht shërbëtorë për të korrat e veta, mbarë grigja e Sapës u bashkua në Katedralen “Shën Tereza e Kalkutës” në Vau-Dejës, për ta jetuar këtë ditë hiri që vetë Zoti i dhuroi kësaj grigje. Për të bashkëndarë gëzimin e shugurimit meshtarak të dom Zefit, me ftesë të ipeshkvit të vendit, imzot Simon Kullit, ishin të pranishëm edhe Nunci Apostolik, imzot Charles John Brown, Ipeshkvi i Rrëshenit, imzot Gjergj Meta, meshtarë e motra nga dioqezat e Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe familjarë, miq e dashamir të dom Zefit.

Pas shpalljes së Ungjillit, në prani të popullit të Zotit, dhe të bashkremtuesve të tij, kandidati i përzgjedhur për shugurim, dom Zefi, i cili i thirrur nga Rektori i Seminarit “Zoja e Këshillit të Mirë” - Shkodër, dom Leonardo Falco, u paraqit para të gjithëve, dhe pasi iu afruar Ipeshkvit me nderimin e duhur, u përgjigj me fjalët: Ja ku jam! Nëpërmjet kësaj përgjigjeje, kandidati i zgjedhur për Urdhërin e Presbiteratit, shprehi përpara Ipeshkvit e të gjithë të pranishmëve, vullnetin vendosës për të ushtruar gjatë gjithë jetës së tij ministerin meshtarak sipas qëllimit të Krishtit e të Kishës, nën drejtimin baritor të Ipeshkvit.

Menjëherë pas këtij momenti, ipeshkvi shugurues, imzot Simon Kulli mbajti homelinë e rastit, ku mes të tjerave theksoi se “si të mos jetë kjo ditë e dhuruar prej Zotit, si mos të gëzohet sot ky vend e ky popull, i cili  gëzon në këtë kishë katedrale të kushtuar Shën Nënë Terezës, që shugurohet një bir i kësaj famullie ku ka lindur, pagëzuar dhe është rritur. Jam shumë i gëzuar për këtë ditë në të cilën ti dom Zef kurorëzon “PO”- në tënde Zotit për gjithë jetën. Duke të të njohur, kjo “PO” e jotja ka qenë vërtetë me shumë këmbëngulje, sepse ke dashur ta njohësh Zotin dhe të jetosh me Zotin e ti shërbesh Atij. Ke këmbëngulur si Zakeu për të parë dhe takuar Jezusin.  Dhe sot i dashur Zef, vetë Jezusi do vijë për vizitë në jetën tënde në një mënyre shumë të veçantë përmes shugurimit Meshtarak. Pranoje  plot gëzim si Zakeu dhe mbaje si mysafirin më të dashur në jetën tënde! Imzot Simoni duke vazhduar më tej, porositi dom Zefin se jeta meshtarake nuk është e lehtë: të pret kryqi e jo lulet dhe rehatia. Por gjej ngushëllim në praninë e siguruar nga vetë Krishti “unë jam me ju deri në të sosur të botës”! Ushtroje detyrën tënde meshtarake me përvujtëri dhe përshpirtëri, duke i bashkuar besimtarët në një familje të vetme, për t’i drejtuar kah Hyji Atë, nëpërmjet Jezu Krishtit në Shpirtin Shenjt.. Gjatë shërbimit meshtarrak të jesh bukë që thyhesh për të tjerët, duar për ata që s’kanë duar, sy për ata që s’kanë sy, këmbë për ata që s’kanë këmbë”.

Më pas Imzot Simoni vazhdoi me ritet e tjera të Shugurimit të meshtarit të ri si dorëzimin e veshjes meshtarake, lyerjen krizmale dhe dorëzimin e bukës dhe të verës. Pikërisht në zemër të ritit të shugurimit të zgjedhurit iu dha dhurata e Shpirtit Shenjtë për shërbimin e meshtarisë (presbiterit). I zgjedhuri bëri premtimet e duhura sipas ritit, në të cilin premtoi se do të jetë gjithmonë e më ngushtë i bashkuar me Krishtin kryemeshtar, do ta kryejë shërbimin e Fjalës denjësisht e urtësisht, duke predikuar Ungjillin dhe duke qenë bashkëpunëtor i zellshëm i Ipeshkvit në kujdes të grigjës nën udhëheqjen e Shpirtit Shenjt.

Ndërsa në liturgjinë eukaristike që vazhdoi si zakonisht, i urdhëruari ushtroi për herë të parë ministerin e tij duke bashkëcelebruar me ipeshkëvin dhe me gjymtyrë të tjera të meshtarisë.

Violeta Marashi

25 qershor 2018, 15:48