Kërko

Shëna Ndou i Padovës Shëna Ndou i Padovës 

Shën Andou i Padovës, sot në festë, rrethuar nga mijëra besimtarë

Shën Antoni, apo si e njeh populli shqiptar, Shëna Ndou, është pa dyshim një nga shenjtorët më të dashur e më të nderuar në të katër anët e botës. E jo vetëm pse njihet mirë si mrekullibërës e pse e ndihmon atë, që i lutet me gjithë shpirt, përballë gjithnduer vështirësish

R. SH. - Vatikan

Shën Antoni, apo si e njeh populli shqiptar, Shëna Ndou, është pa dyshim një nga shenjtorët më të dashur e më të nderuar në të katër anët e botës. E jo vetëm pse njihet mirë si mrekullibërës e pse e ndihmon  atë, që i lutet me gjithë shpirt, përballë gjithnduer vështirësish. Por, mbi të gjitha, pse ka një mori virtytesh të tjera të jashtëzakonshme, duke nisur nga aftësia për ta predikuar Ungjillin me aq zell, sa të mbetet në kujtesën e shekujve, me epitetin Gjuharti. Kur u hap varri i tij për ta zhvendosur në një vend tjetër, në Bazilikën e famshme të Padovës, gjuha e shenjtit u gjet fare e patretur, si të donte ta riniste predikimin e Ungjillit aty, ku ia këputi Motra vdekje - si e quante Ati i tij Serafik, Shën Françesku. Mijëra njerëz shtegtojnë këto ditë në Padovë e në Shenjtëroret e Tij, në të katër anët e botës, edhe në Laç të Kurbinit, në Gjakovë e kisha të tjera, për t’u takuar me Shenjtin e tyre më të dashur. Thjesht për ta falënderuar për hiret e Zotit, që nxorën me ndërmjetësinë e tij, ose për t’i kërkuar hire të reja, sepse në jetën njerëzore nuk mungojnë kurrë telashet e vogla e të mëdha!

Quhet i Padovës, jo pse lindi në qytetin italian. Kishte lindur në Portugali, më 15 gusht 1195. Qe pagëzuar  me emrin Fernando Martins, bir i familjes  de Bulhões. Por qe ndarë me emrin Anton, në Padovë, nga një jetë e jashtëzakonshme mbi tokë, duke lindur për qiell, më 13 qershor 1231. Prej këndej edhe festa e tij, më 13 qershor të çdo viti.

Rregulltar i Urdhërit agostinian një herë, kaloi në atë françeskan, me dëshirën e zjarrtë që të martirizohej për Krishtin, duke e çuar në viset e egra, ku nuk njihej ende. Ndërsa Zoti përgatiste diçka, që frati nuk do ta kishte dashur. Por “… Mendimet e mia nuk janë mendimet tuaja, udhët tuaja, nuk janë udhët e mia - thotë Zoti” (Is. 55, 8-9) – që përgatiste një udhë tjetër për Fratin e panjohur.

Pasi kishte marrë pjesë, për Rrëshajët e vitit 1221, në Kapitullin e famshëm françeskan të rrëgostave, në Asizi, shkoi në Forli, ku jetoi, në heshtje të plotë, në gjirin e një bashkësie të vogël, prej gjashtë fretërish, që ushqeheshin me prodhimet e siguruara duke punuar tokën. Edhe ai, si të tjerët. Ditën Kishën e tokën, natën Librin.

Por një ditë iu desh të shkonte në Kishën Shën Merkuriale, ku shuguroheshin disa meshtarë të rinj. Me që mungote predikatari, iu lutën atij ta mbante homelinë. Përballë një auditori të shumënumërt e të shumëpërgatitur. Atëhere aftësitë e shkëlqyera të fratit të heshtur e fare të panjohur, dolën papritmas në dritë. Kështu ai u njoh si një ndër predikatarët më në zë të kohës e, menjëherë pas, si teolog i Urdhërit Françeskan.

Eci në rrugën, që i tregonte Françesku. Mbeti besnik, duke ndjekur mistikën françeskane, ashtu si kish buruar nga karizma e të Vobegtit të Asizit, duke vlerësuar më shumë jetën konkrete, sesa formulimet doktrinore. Jetoi  e vdiq gjithnjë në komunikim me Zotin e me fenomenet e mbinatyrshme, duke u lënë trashgim bijve të Krishtit e të devoçëmve të tij, fjalën e artë, mësimin për udhën, që të çon drejt Qiellit:

“Këtu, në tokë - pati shkruar - syri i shpirtit është dashuria, e vetmja, që vlen, për të çarë çdo vel, i cili na pengon për të parë Zotin. Atje ku intelekti ndalet, vijon dashuria që, me ngrohtësinë e saj, të çon tek Ai i Lumi”. (Shën Antoni i Padovës, Sermones)

13 qershor 2018, 16:08