Lumnohet Maria Felicia e Jezusit në Sakrament Lumnohet Maria Felicia e Jezusit në Sakrament 

Paragyay, Asuncion. Lumnohet Maria Felicia e Jezusit në Sakrament

Paragyay, Asuncion. U lumnua dje Maria Felicia e Jezusit në Sakrament (në shekull, Maria Felicia Guggiari Echeverria),

R. SH. - Vatikan

Paragyay, Asuncion. U lumnua dje Maria Felicia e Jezusit në Sakrament (në shekull, Maria Felicia Guggiari Echeverria), rregulltare e Urdhërit të Karmelitaneve të zbathura (vdekur më 1959). Në Paraguaj njihet nga të gjithë   me emrin “Chiquitunga”. Papën, edhe në këtë kremtim, e përfaqësoi kardinali Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve.

Rritje e vështirë

“Chiquitunga” lindi në Villarrica, në Republikën e Paraguajt, më 12 janar 1925. Ishte vetëm pesë vjeçe, kur hyri si parashkollore në Kolegjin e Zojës Ndihmëtare. Trazirat politiko-ushtarake në Paraguaj nisën t’ia kushtëzojnë shumë shpejt jetën, ngaqë i ati, Ramon, njihej si kundërshtar i ideologjive fashiste. Në vitin 1940 nisi studimet  liceale, të cilat i vijoi, derisa mori titullin Mësuese për shkollat normale.

Krejt e Krishtit

Më 1941 hyri në Veprimin Katolik, që sapo qe themluar në Paraguaj. Nisi, kështu, ta njohë më nga afër e ta dojë fort Jezusin. 17 vjeçe bëri kushtin e virgjërisë, duke ia kushtuar kështu krejt jetën Krishtit. Më 8 shtator 1953 iu kushtua Marisë, sipas formulës së Skllavërisë mariane të Shën Luigjit Maria Grignon de Monfort e, së fundi, në ushtrimet shpirtërore të janarit 1954, vendosi t’i kushtohet krejtësisht Zotit në Karmel. Më 2 shkurt, Festa e Paraqitjes së Zotit në Tempull, u paraqit para portës së klauzurës e, me vendosmërinë, qetësinë dhe buzagazin e përhershëm, e rrethuar nga të afërmit e përlotur, që aq shumë i donte, kapërceu pragun e portës së  “Shtëpisë së Zotit, portë e Qiellit”.

Gëzim, dashuri, shërbim

Kur u desh të flitej për Motër Marinë Felicia e Jezusit në Sakrament, jeta e saj u përmblodh vetëm me tri fjalë: “Gëzim, dashuri, shërbim”. Nuk bëri tjetër gjithë jetën, veçse të donte, të donte gjithkënd e, më shumë se gjithkënd, Jezusin e vëllezërit e tij, njerëzit.

Ç’takim i ëmbël...

Në vitin e tretë të jetës së saj rregulltare, më 7 janar 1959, u prek nga hepatiti infektiv. U shtrua në spitalin  e Kryqit të Kuq, ku nisi Kalvari i saj, bashkimi përfundimtar me Kryqin. I bëri ballë në mënyrë shembullore sëmundjes, deri më 28 prill, në të zbardhur të dritës. Po agonte, kur shqiptoi fjalët e fundit. “Jezus, ç’takim i ëmbël”.

 

24 qershor 2018, 11:55