Kërko

 Papa-emigrantët: duar të shtrënguara Papa-emigrantët: duar të shtrënguara 

Një javë me Kishën në botë

Një javë me Kishën në Botë, nga Zvicra, në OKB, Singapor, Kore…

R. SH. - Vatikan

Jetojmë një javë me lajmet më të rëndësishme nga Kisha-në botë

Morerod: Zvicra pret një mesazh shprese e gëzimi

Tokë e pasur me kultura të ndryshme, që dinë të bashkëjetojnë mirë ndërmjet tyre, por edhe vend ku numri i vetëvrasjeve është më i larti në Evropë e ku, pavarësisht nga mirëqenia ekonomike, mund të vdesësh nga mërzia. E pra, në këtë tokë, në zemër të Evropës, u mbaruan brenda një dite të vetme të gjitha biletat, shpërndarë falas, për të marrë pjesë, më 21 qershor, në Meshën e Papës.

OKB: Organizata fetare në mbrojtje të integrimit të emigrantëve në situata të vështira

Misioni i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, organizoi, së bashku me misionin e përhershëm të Guatemalës pranë Kombeve të Bashkuara dhe Rrjetin ndërkombëtar të emigracionit Skalabrini, një konferencë, titulluar “Mbrojtja dhe integrimi i emigrantëve në situata të vështira: roli i organizatave bazuar mbi fenë”. Konferenca u mbajt me rastin e bisedimit të pestë mbi “Global Compact për një emigrim të sigurtë, të organizuar e të rregullt”, marrëveshje ndërkombëtare, e dëshiruar pikërisht nga Kombet e Bashkuara.

Në Singapor u kremtua Nëntëditshja e lutjes dhe takimi për pajtim

Një nëntshe lutjeje për pajtimin e edhe një konferencë  për  bashkimin e Koreve, u organizuan nga ipeshkvijtë katolikë të Koresë, me rastin e samitit të Singaporit, ku u takuan presidenti i SHBA-ve, Donald Trump dhe lideri verikorean, Kim Jong-un. Nëntë ditë me radhë besimtarët u mblodhën rreth barinjve të tyre, për t’u lutur, me ndjete të veçanta, hartuar nga ipeshkvijtë. Besimtarët u lutën me gjithë shpirt për bashkimin e popullit korean: për familjet e ndara në dy anët e kufiri për shkak të luftës koreane; për vëllezërit dhe motrat, që jetojnë në veri; për refugjatët me origjinë nga veriu, të cilët tani jetojnë në Jug; për politikanët e Jugut e të Veriut; për ugjillëzimin e Veriut; për promovimin e shkëmbimeve të ndryshme ndërmjet Jugut  e Veriut; për pajtimin e vërtetë të dy Koreve - të bashkuara në një Komb të vetëm.

Kore: Më 21 qershor pranë seminarit të madh të kryedioqezës së Daegu, do të mbahet një konferecë kushtuar “Ardhmërisë së gadishullit korean, përmes ndërshkëmbimeve të Veriut me Jugun”. Do ta marrin fjalën edhe ipeshkvijtë e Uijeonbu e të Daegu, si dhe disa  specialistë.

Karitasi ndërkombëtar kërkon rrugë ligjore për refugjatët

Karitasi Evropian u bën thirrje qeverive evropiane “të krijojë më shumë udhë ligjore e të sigurta për refugjatët e programeve kombëtare të transferimit nga një shtet, ku paraqesin kërkesën e strehimit, në një shtet tjetër”.

“Dëshirojmë një Evropë, e cila parashikon rrugëzgjidhje afatgjata për njerëzit, që kanë nevojë të mbrohen - pohon Caritas Evropa në prag të Ditës Botërore të Refugjatit,  e cila do të kremtohet më 20 qershor – si dhe ta ndajë përgjegjësinë globale me vendet, që tashmë strehojnë shumicën e refugjatëve në botë.

Kujtojmë se në botë ka 22,5 milionë njerëz, që janë detyruar të ikin nga vendi i vet, 85% e të cilëve, mikpriten nga vende në rrugë zhvillimi, si Etiopia. Turqia është vendi që ka më shumë refugjatë në botë (2,8 milionë), ndërsa në Liban janë 1 milion.

Bota: Do të kremtohet java globale e aksionit, në kuadrin e fushatës “Share the Journey” me temë “Të ecim së bashku”, organizuar nga Karitasi ndërkombëtar. Nisma është përgjigje që Karitasi i mbarë botës, i jep thirrjes së Papës Françesku, drejtuar njerëzimit në shtator 2017,  për të forcuar kulturën e takimit.   

Java e aksionit do të ketë në qendër të vëmendjes nismat me refugjatët e emigrantët.  Karitaset e mbarë botës do të organizojnë dreka, veprimtari që kanë në qendër ndarjen e përbashkët dhe nisma takimi, për t’i ndihmuar njerëzit t’i kuptojnë shkaqet e emigrimit dhe për t’iu kundërvënë frikës e paragjykimeve. Kryetari i Caritas Internationalis, kardinali Luis Antonio Tagle, shpreson se gjatë kësaj jave, mund të tregohet me vepra, e jo vetëm me fjalë, ç’do të thotë “të kujdesesh për emigrantët”. Për hollësira mund të vizitoni faqen e internetit journey.Caritas,org/gwa18.

 

17 qershor 2018, 12:10