Në një kishë ortodokse Në një kishë ortodokse 

Mesazhi përfundimtar i Asamblesë së KEK: të jemi “ndërtues urash

Mesazhi përfundimtar i Asamblesë XV të përgjithshme të Konferencës, që mbahet në Novi Sad të Serbisë, nga 30 maji deri më 7 qershor. Morën pjesë 450 delegatë nga 116 Kisha të ndryshme.

R.SH. - Vatikan

“Impenjohemi të jemi ndërtues urash përmes pushtetit shndërrues të fesë” e përmes impenjimit të përtërirë në tri fusha: dëshmi, drejtësi e mikpritje. Pas 9 ditësh konfrontimi mbi sfidat, që përballon sot Evropa, kjo është deklarata përfundimtare e Konferencës së Kishave të Evropës (KEK), ku bëjnë pjesë protestantë e ortodoksë.

         Mesazhi u bë i njohur në përfundim të Asamblesë XV të përgjithshme të Konferencës, që mbahet në Novi Sad të Serbisë, nga 30 maji deri më 7 qershor. Morën pjesë 450 delegatë nga 116 Kisha të ndryshme.

Ndamë së bashku etjen për drejtësi, shqetësimin e thellë për njerëzit

         “U mblodhëm në një çast pasigurie për Evropën” lexohet në mesazh: “Aty ku provohet humbja e dinjitetit, ku njerëzit shfrytëzohen, jetojnë në mjerim e pësojnë abuzimet me pushtetin; që nga brigjet e Danubit deri në Novi Sad, ku urat u shkatërruan gjatë konflikteve dhe u rindërtuan në kohë paqeje, u mblodhëm në lutje. Ndamë së bashku etjen për drejtësi, shqetësimin e thellë për njerëzit, për kontinentin e për botën”.

Të jemi “bashkësi gjithëpërfshirëse”

         Të dëshmosh Krishtin në Evropën e sotme, shkruajnë Kishat e kontinentit, do të thotë të jesh “bashkësi gjithëpërfshirëse”, të pohosh se “çdo njeri është krijuar sipas shembëlltyrës dhe përngjasimit me Zotin”, të vlerësosh “zërat e të rinjve, që janë e tashmja e jo vetëm e ardhmja jonë”. Zbatimi i drejtësisë, nga ana tjetër, u kërkon institucioneve dhe Kishave “të punojnë për fundin e dhunës, të persekutimit e të diskriminimit, duke mbrojtur lirinë e fesë e të besimit”.

T’i presim si duhet refugjatët dhe të huajt

         Do të thotë edhe të kërkosh “pajtimin e zgjidhjen paqësore të konflikteve” e të dëgjosh “ata, që s’kanë zë e mbeten të mënjanuar në Kishat, bashkësitë e në botën tonë”. Së fundi, Kishat theksojnë se do të impenjohen gjithnjë për t’i pritur si duhet e konkretisht refugjatët dhe të huajt e të gjitha feve, duke u përpjekur të fillojnë një dialog me ta, duke e bërë të njohur fenë e krishterë e duke mësuar nga njëri-tjetri. Vetëm kështu, Kishat e Evropës mund të kontribuojnë në kapërcimin e ndarjeve, të përjashtimit e të mënjanimit, duke promovuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

06 qershor 2018, 16:43