Versioni Beta

Cerca

VaticanNews
San Giustino San Giustino 

Më 1 qershor kalendari kujton Shën Justinin, filozof e martir

Koka e ditur e Shën Justinit u pré në kohën e sundimit të Mark Aurelit, njëherësh me kokat e gjashtë shokëve në fe, që kishte dashur t’i shpëtonte. Kështu përfundoi shën Justini, një nga mbrojtësit e mëdhenj të krishterimit për kohën, e bashkë me të, edhe një pjesë e shkrimeve të tij.

R. SH. - Vatikan

Më 1 qershor, kalendari kishtar përkujton Shën Justinin, filozof e martir

Ka shumë mundësi që familja e shën Justinit të ishte latine: i ati quhej Prisko dhe jetonte në Flavia Neapolis (Nabluzi i sotëm i Palestinës), qytet në Samari i themeluar nga romakët, pasi kishin shtypur kryengritjen hebraike dhe kishin rrënuar tempullin e Jerusalemit. I lindur në paganizëm, Justini studioi me zell të madh filozofët grekë e posaçërisht Platonin. Pastaj nisën ta tërhiqnin Profetët e Izraelit, gjë që e bëri të kthehej në fenë e krishterë. Mori sakramentin e Pagëzimit në vitin 130 në Efez.

Por kjo nuk do të thotë se hoqi dorë nga e kaluara e tij si helenist: përkundrazi, ndjeu se kishte arritur cakun e ëndërruar, që mendimtarët grekë e kishin mësuar ta kërkonte me etje. Laik, filozof, kërkues i pasionuar i diturisë së vërtetë, e gjeti këtë dituri në fenë e Krishtit.

Në vitet 131-132 shkoi në Romë, ku nisi t’u mësonte Ungjillin studiuesve paganë, e kështu u bë i njohur si misionar filozof, që fliste e shkruante mrekullisht mirë. Në të parën nga dy Apologjitë e tij, e vlerësoi lart diturinë e lashtë, duke vendosur në planin hyjnor të shëlbimit që realizohet në Krishtin. Mund të pohojmë, prandaj se Justini qe njëri nga ata që hodhën hapat e parë në rrugën e dialogut me kulturën greko-romake. Në këtë vepër lexojmë edhe përkushtimin më të lashtë të Kremtimit Eukaristik.

Në të njëjtën kohë, Justini luftoi kundër paragjykimeve që përhapnin njerëzit e paditur për të krishterët, i ngriti himn fesë së tyre që ngadhënjente edhe mbi persekutimin, lavdëroi butësinë e tyre dhe dashurinë për të afërmin. Bëri çmos ta shlyente mendësinë se ata ishin “armiq të shtetit”, gjë që përligjte kundërvëniet e frikën nga të krishterët.

Ndërsa vepra më e vonshme, “Dialog me Trifonin”, ka formën letrare të një diskutimi, që zhvillohet në Efez me një rabin, formë që i shërbeu autorit për të shpjeguar se Jezu Krishti me jetën dhe me vdekjen e vet përmbushi Ligjin e Besëlidhjes së Vjetër dhe parafoljet e Profetëve.

Predikatar e studiues endacak, Justini brodhi ndër shumë qytete të Perandorisë, por akti i fundit i jetës së tij të jashtëzakonshme u luajt në Romë. Këtu disa të krishterë ishin dënuar me vdekjes si ateistë (gjë që në atë kohë do të thoshte armik i shtetit e i kulteve të tij). Atëherë dijetari shkroi një Apologji tjetër, drejtuar Senatit romak ( e cila na kujton pa a shumë letrat e famshme që jezuiti shqiptar, Atë Pjetër Meshkalla do t’i drejtonte njërit nga përfaqësuesit më gjakatar të diktaturës komuniste – dymijë vjet më vonë), duke iu kundërvënë me forcë paditësit më të egër të të krishterëve, filozofit Kreshenti, me qëllim që t’i sqaronte senatorët se pseudofilozofi ishte një spiun, që s’dinte tjetër, veçse të shpifte.

Nuk kishte dashur ta llogariste se Kreshenci ishte i përkëdheluri i regjimit. Prej këndej shenjti Justin do të përfundonte menjëherë në burg, i akuzuar edhe ai si “ateist”. Koka e tij e ditur u pré në kohën e sundimit të Mark Aurelit, njëherësh me kokat e gjashtë shokëve në fe, që kishte dashur t’i shpëtonte. E pohojnë këtë “Acta Sancti Iustini et sociorum” (Aktet e Shën Justinit me shokë), vërtetësia historike e të cilave është e njohur botërisht.

01 qershor 2018, 14:51