Martirët e Kishës ruse, ekspozitë multimediale në Romë

R. SH. - Vatikan

Rrugë multimediale dhe ndërvepruese, që ndjek ngjarjet historike të Kishës në Rusinë e sovjetëve, përmes dëshmisë së atyre, që dhanë jetën për fenë. Kjo është  ekspozita “Martirët e rinj e dëshmitarët e Kishës ruse”, e hapur që nga 30 maji, deri më 13 qershor, në Pallatin Lateranens (me hyrje nga Bazilika e Shën Gjonit në Lateran), që  bën pjesë në nismat e festivalit “Stinë ruse”, në Itali.

Kronihistori e persekutimeve fetare

Duke vizituar ekspozitën, bazuar mbi kronologjinë e ngjarjeve historike, vizitorët njohin nga afër, etapë pas etape, jetën e Kishës Ortodokse ruse në prag të Revolucionit e, më pas, ngjarjet më të rëndësishme të historisë, si të vendit, ashtu edhe të Kishës. Stendat e ekspozitës, që flasin për jetën para revolucionit të tetorit e për fillimin dhe vijimin e persekutimeve kundër fesë së krishterë në Rusinë Sovjetike, i shoqërojnë spektatorët gjatë gjithë periudhës historike të komunizmit  e, së fundi, japin dëshmitë për shenjtërimin e martirëve të rinj e të dëshmitarëve rusë të fesë.

Multimedialitet dhe ndërveprim me vizitorët

Foto, dokumente, citime tipike të epokës së persekutimit ekspozohen duke përdorur teknologjitë më moderne multimediale: arkitektura të vogla, një libër multimedial  ndërveprues, stenda me projektime video e shtylla me smartscreen e me kartela. Ekspozita u organizua nga Këshilli i Patriarkanës për Kulturën dhe Fondacioni për mbrojtjen e vlerave të krishtera, nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës së Federatës Ruse, me mbështetjen e Këshillit Papnor të Kulturës si dhe të Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve.

Domethënie e thellë ekumenike

Ekspozitën e përuroi, më 30 majin e kaluar, kardinali Gianfranco Ravasi, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës, metropoliti Tikhon, kryetar i Këshillit për Kulturën i Patriarkanës së Moskës dhe Aleksandër Avdejev, ambasador rus pranë Selisë së Shenjtë.

Kardinali Ravasi  e quajti ekspozitën nismë me vlerë të thellë ekumenike. Prelati i lartë nënvizoi edhe tre aspekte të rëndësishme, që spikasin në ekspozitë: ai i “ekumenizmit të gjakut, i cili i bashkon Kishat tona dhe kujtohet shumë shpesh nga Papa Françesku”; i “martirizimit të krishterë shprehur përmes përdorimit të kulturës dixhitale, më e përshtatshme për kulturën bashkëkohore” si dhe “ai i dialogut ndërfetar, jo vetëm ekumenik”. Në këtë kuptim, Kardinali Ravasi shpjegoi ndryshimin e padiskutueshëm ndërmjet këtij martirizimi dhe “konceptit të mbrapshtë” të martirizimit fundamentalist. “Dhurimi i jetës tënde për fenë, gjë që vë në dukje bukurinë e flijimit në shërbim të idealeve më të larta - pohoi - nuk mund as nuk duhet të shndërrohet në vrasjen e të tjerëve”. Martiri i krishterë jep jetën, për Jetën, që është Krishti. A nuk na e thotë vazhdimisht Zoti ynë: “Unë jam Jeta?”.  

05 qershor 2018, 14:08