Kërko

 Virgjëra Mari Virgjëra Mari 

Marshimi i 40-të Macerata-Loreto

Edicioni i 40-të i marshimit në këmbë nga Macerata - në Loreto, që organizohet përsëri, me pjesëmarrjen e mijëra vetëve, ardhur nga mbarë bota.

R. SH. Vatikan

“Kë kërkoni?”- kjo, tema e marshimit të 40-të në këmbë, nga Macerata - në Loreto, që organizohet përsëri me pjesëmarrjen e mijëra vetëve, ardhur nga mbarë bota. Ndërmjet atyre, që i presin besimtarët sapo arrijnë në Shtëpinë e Shenjtë, edhe kardinali Gualtiero Bassetti, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Italiane.

Duke u nisur nga Maçerata natën e së shtunës, më  9 qershor, mijëra shtegtarë do ta bëjnë në këmbë udhën prej 28 kilometrash, për të arritur, të nesërmen në agim në Shenjtëroren mariane të Loretos. Shtëpia e Shenjtë është simbol, posaçërisht për një pjesë të madhe të popullsive të Italisë qendrore, të tronditura thellë nga tërmeti, në kërkim të paqes së humbur - edhe psikologjike, - që u mungon akoma.

Shtegtarë nga mbarë bota

Në shtegtim - tregon imzot Nazzareno Marconi, ipeshkëv i Maceratës, që ia paraqiti sot nismën shtypit - do të marrin pjesë mijëra njerëz, sepse - nënvizoi - shtegtimi bën pjesë në vetë natyrën e krishterimit. Përmes tij duket qartë  dëshira e thellë e njeriut për të kërkuar Zotin. Prej këndej, edhe zgjedhja e temës “Kë kërkoni?”. Jo rastësisht  - vijon ipeshkvi - u zgjodhën pikërisht këto fjalë! Janë dy fjalët e para,  që Jezusi ua drejtoi atyre, të cilët kishin nisur ta ndiqnin. Duke cituar Shën Agostinin: “Kërkojmë me dëshirë për të gjetur e gjejmë, me dëshirë për të kërkuar akoma”.

Pse ecet nëpër natë

Kuptimi i shtegtimit nëpër natë - shpjegon akoma imzot Markoni - është  dëshmi, që tregon se errësira, e cila shpesh na stërmundon, nuk të tmerron aq, kur s’je vetëm e nuk të duhet të bësh përpjekje titanike për ta përballuar. Je me shokë. Ecën me ta, i shtyrë nga e njëjta dëshirë. Dëshira për të arritur, në agim,  tek caku. Tek Shtëpia e Shenjtë! Shtëpia e thjeshtë, ku Zojën e bekuar e vizitoi Kryeengjëlli Gabriel, që i solli lajmin e madh se do të bëhej Nëna e Shëlbuesit të mbarë njerëzimit. Sipas traditës, u mbart nga engjëjt prej Nazaretit, për t’u vendosur në Loreto, në zemër të katedrales madhështore, lartuar mbi të nga besimtarët gjatë shekujve. E po gjatë shekujve, e vizituar nga mijëra shtegtarë!

07 qershor 2018, 15:23