Kërko

Corpus domini eucarestia Corpus domini eucarestia 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e festës së Korpit e Gjakut të Krishtit

Festa e Korpit të Krishtit është mister i pakapshëm për mendjen njerëzore nëse që nuk ndriçohet nga feja, nëse nuk frymëzohet e nuk gjallërohet nga dashuria e Krishtit. Kjo festë na kujton Sakramentin e Eukaristisë, në të cilin Krishti na la gjithë vetveten: korp e gjak, shpirt e hyjni. Prandaj edhe konsiderohet gjithnjë si më i shenjti ndër Sakramente.

R. SH. - Vatikan

Liturgjia e Fjalës së Zotit e festës së Korpit e Gjakut të Krishtit

Festa e Koprit te Krishtit

Ja përsëri në takimin javor me Fjalën e Zotit të liturgjisë Hyjnore të së dielës. Kësaj here meditojmë së bashku Fjalën e Zotit të solemnitetit të Korpit e të Gjakut të Krishtit.
Festa e Korpit të Krishtit është mister i pakapshëm për mendjen njerëzore nëse që nuk ndriçohet nga feja, nëse nuk frymëzohet e nuk gjallërohet nga dashuria e Krishtit. Kjo festë na kujton Sakramentin e Eukaristisë, në të cilin Krishti na la gjithë vetveten: korp e gjak, shpirt e hyjni. Prandaj edhe konsiderohet gjithnjë si më i shenjti ndër Sakramente.

Sakramenti i Eukaristisë është kujtim i gjallë i flijimit të Krishtit Shëlbues, themeluar atë të Enjte të Madhe të Pashkëve të fundit të Jezusit me apostujt e vet: ishte Darka e Mbrame, plotësimi i darkës së Pashkëve hebraike e përurim i Pashkëve të reja përmes ritit Eukaristik. Nga flijimi tek dhurata e jetës. Kujdesi me të cilin Jezusi përgatit kremtimin e tij të Pashkës së mbramë, tregon ndërgjegjësimin që kishte për të çuar në plotësim, me dhuratën e korpit të vet e të gjakut të vet, veprën pashkore të shpëtimit tonë. Për tërë këtë dhuratë, ta falënderojmë Hyjin.

Në Leximin I Moisu vulosë besëlidhjen me një flijim bashkimi: gjysma e gjakut të flijimit derdhej mbi altar, shenjë e pranisë së Hyjit; gjysma tjetër spërkatej mbi popull. Në Bibël gjaku është seli e jetës. Përmes ritit, Moisiu zbaton domethënien e besëlidhjes: që krijim bashkimin ndërmjet Hyjit e popullit të tij.

Jezusi, në Eukaristi, plotëson atë që shëmbëllehet në besëlidhjen e parë: tani gjaku nuk spërkatet më mbi elementet e jashtme të trupave tanë; na ofrohet për t’u pi! E nuk është më gjaku i një flije prej kafshe, por është gjaku i Jezusit. Biri i Hyjit, ofron si ushqim edhe trupin e tij (Ungjilli). Tani jetojmë prej jetës vet jetës së Tij. Besëlidhja nuk varët më vetëm nga besnikëria jonë, përherë e pabindur dhe e brishtë, por nga vet besnikëria e Jezu Krishtit që jeton në ne. Vetëm në Të, ndërmjetësues i besëlidhjes së re (Leximi II), mund të marrim trashëgimin e premtuar: pjesëmarrja jonë, si bijë, në vet jetën e Hyjit, që tani banon në ne, në saje të Korpit e të Gjakut të Jezusit që na ushqen. Kështu, në Eukaristinë Shenjte, Jezusi vërtetë e dhuron Korpin e Gjakun e tij, bëhet Bukë e gjallë, ushqim i pashtershëm e i domosdoshëm për të gjithë shekujt.

Ky është Korpi im, ky është Gjaku im”: këto fjalë i dëgjojmë çdo herë që kremtojmë Meshën Shenjte, Eukaristinë, do të thotë përkujtimin e Besëlidhjes së Re e të Amshuar që Zoti ka vendosur me njerëzimin nëpër Birin e vet Jezu Krishtin, për shëlbimin (shpëtimin) e mbarë botës. Prandaj në misterin e shenjtë të Korpit e të Gjakut të Jezus Krishtit, Zoti i jep njerëzimit dhuratën e jetës, dhuratën e bashkimit dhe të paqes. Në Sakramentin e Eukaristisë që është burimi e kulmi i çdo shenjtërie, i çdo fuqie shpirtërore, besimtarët e adhurojnë Zotin, e shpallin lavdinë e Tij të përjetshme dhe ushqehen në gurrën e përjetësisë. Po e mbyllim me këtë lutje të bukur që zakonisht lutët nga besimtarët gjatë Meshës pas Kungimit të Shenjtë në Kishë.

Shpirti i Krishtit, më shenjtëro mua.
Trupi i Krishtit, më shëlbo mua.
Gjaku i Krishtit, deh më ngij mua.
Ujët e kraharorit të Krishtit, më pastro mua.
Mundimi i Krishtit, më forco mua.
O i ëmbli Jezus, më dëgjo mua. 
Ndër plagë të tua më fshih mua.
Mos lejo të ndahem prej teje.
Prej armikut të shpirtit më dil zot mua.
Në fill të vdekjes sime, Ti më thirr mua.
E më urdhëro të vij te Ti,
që me shenjtër të të lëvdoj Ty, 
përgjithmonë e motit të jetës. Amen!
Kjo është një lutje e përpiluar nga shën Injaci i Lojoles

                                         Liturgjia e Fjalës së Zotit


Leximi parë Dal 24, 3-8
Moisiu, duke shpërndarë të njëjtin gjak të qengjit mbi altarin e Hyjit dhe mbi popu-llin, realizon besëlidhjen me Hyjin dhe zbulon që një gjak i vetëm rrjedh në venat e hebrenjve dhe në ato të Hyjit. Të kesh të njëjtin gjak do të thotë të angazhohesh për të ndihmuar njëri – tjetrin, të bësh gjithçka për të shpëtuar mikun, të mbrosh vejushën dhe jetimin, të mbrosh çështjen e të dobëtit dhe të të varfërit. Hyji u angazhua me ne në një marrëveshje gjaku duke na dhuruar jetën e Birit të vet për të na shpëtuar.

Lexim prej Librit të Daljes
Në ato ditë Moisiu shkoi dhe i tregoi popullit të gjitha fjalët e Zotit dhe rregulloret. Mbarë populli u përgjigj njëzëri: “Do t’i zbatojmë të gjitha fjalët që i tha Zoti.” Moisiu i shkroi të gjitha fjalët e Zotit. Në mëngjes herët u çua dhe e ndërtoi një altar rrëzë malit, me dymbëdhjetë gur ngulur për dymbëdhjetë fiset e Izraelit. Atëherë u urdhëroi të rinjve të Izraelit të flijojnë flitë e shkrumbimit. Flijuan edhe flitë e pajtimit – viça në nder të Zotit. Moisiu mori gjysmën e gjakut dhe e qiti në disa enë, kurse gjysmën tjetër e derdhi mbi altar. Atëherë mori Librin e Besëlidhjes dhe ia lexoi me zë të lartë popullit e populli përgjigji: “Gjithçka tha Zoti do të zbatojmë e do të jemi të dëgjueshëm.” Atëherë Moisiu e mori gjakun dhe e stërpiku popullin e tha: “Ky është gjaku i besëlidhjes që Zoti e lidhi me ju në mbështetje të të gjitha këtyre fjalëve.” Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Psalmi 116
Për nder tënd, o Zot, do ta lartësoi gotën e shëlbimit

Si do t’ia shpërblej Zotit
për të gjitha të mirat që m’i ka dhënë?
Do të ngreh gotën e shëlbimit
e me nderim do të thërras Emrin e Zotit.

E çmueshme është para Zotit 
vdekja e shenjtërve të tij.
O Zot, unë jam shërbëtori yt,
shërbëtori yt dhe biri i shërbëtores sate.
Ti i këpute prangat e mia.

Ty do të ta kushtoj flinë e lavdit,
me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit
në praninë e mbarë popullit të tij.

Leximi i dytë Heb 9, 11-15
Në këtë pjesë bëhet një krahasim mes flisë së Krishtit, meshtar dhe viktimë, me atë të ofruar në tempull nga kryeprifti në ditën e pajtimit. Krishti njëherë e përgjithmonë me një fli të vetme ka paguar mëkatin tonë dhe na ka bërë të denjë t’i ofrojmë Hyjit një kult shpirtëror. Duke ofruar gjakun e tij Jezu Krishti ka realizuar me ne një besëlidhje dhe ka bërë një testament me anë të të cilit na bën trashëgimtarë të mbretërisë së tij. 

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve
Vëllezër, erdhi Krishti, Kryeprifti i të mirave të ardhura. Dhe, nëpër një tendë më të madhe dhe më të përsosur, të punuar jo me dorë – domethënë jo të kësaj krijese – dhe nëpër gjak jo të cjepve dhe të mëzetërve, por nëpër gjak të vet, hyri njëherë e përgjithmonë në Shenjtëroren e Shenjtëroreve, dhe fitoi shpërblimin përfundimtar. Dhe njëmend, në qoftë se gjaku i stërpikur i cjepve dhe i mëzetërve dhe hini i mështjerrës i shenjtëron të paspastrit duke ua pastruar ritualisht trupin, sa më tepët Gjaku i Krishtit, i cili nëpër Shpirtin e amshuar ia flijoi vetveten Hyjit porsi fli të panjollë, do ta pastrojë ndërgjegjen tonë nga veprat e vdekura për t’i shërbyer Hyjit të gjallë! Për këtë arsye Ai është Ndërmjetësi i Besëlidhjes së re që, me anë të vdekjes për shpërblim të fajeve të bëra në kohën e Besëlidhjes së parë, të grishurit ta fitojnë trashëgimin e premtuar të përjetshëm. 
Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Aleluja, Aleluja
Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush e ha këtë bukë, do të jetojë për amshim.
Aleluja, Aleluja.

Ungjilli Mk 14, 12-16.22-26
Themelimi i Eukaristisë është i lidhur ngushtë me vdekjen e Jezusit. Në Darkën e fundit Jezusi realizon me të vërtetë atë që shpall me gjeste dhe me fjalë. Kelku dhe buka e thyer që u paraqet dishepujve, kujtimi i Pashkëve hebraike, janë shpallja e Besëlidhjes së Re, që do të jetë vulosur nga flia e Krishtit-Qengji i panjollë, gjaku i të cilit do të shpëtojë “shumicën”.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut
Ditën e parë të Pabrumeve, kur flijohej qengji i Pashkëve, nxënësit i thanë Jezusit: “Ku dëshiron të shkojmë e ta përgatisim darkën e Pashkëve?” Jezusi i dërgoi dy prej nxënësve të vet dhe u tha: “Shkoni në qytet e atje do t’ju takojë një njeri që mbart një katrovë uji: shkoni pas tij. Ku të hyjë ai, thoni zotështëpisë: ‘Mësuesi thotë: Ku është salloni im, ku do të mund të ha Pashkë me nxënësit e mi?’ Ai do t’ju tregojë në kat një sallon të madh, të shtruar e të përgatitur. Aty na përgatitni darkën.” Nxënësit u nisën, arritën në qytet dhe gjetën gjithçka ashtu si u kishte thënë dhe e përgatitën darkën e Pashkëve. Ndërsa po hanin darkë, Jezusi mori bukën e bekoi Hyjin, e theu, ua dha e tha: “Merrni, ky është korpi im!” Pastaj mori gotën, u falënderua e u dha. Të gjithë pinë prej saj. U tha: “Ky është gjaku im, gjaku i Besëlidhjes, që derdhet për të gjithë. Për të vërtetë, po ju them: nuk do të pi më prej frytit të hardhisë deri atë ditë, kur do ta pi të ri në Mbretërinë e Hyjit.” Pasi e kënduan himnin, u nisën drejt Malit të Ullinjve. Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht.

01 qershor 2018, 15:54