Kërko

Podcast commento al vangelo Podcast commento al vangelo 

Liturgjia e Fjalës Hyjnore e dielës së 11-të gjatë vitit kishtar 'B'

Këtë të diele mesazhi i Fjalës së Zotit mbërrin tek ne në formën e shëmbëlltyrës, që flet për Mbretërinë e Qiellit, për dinamikën e saj dhe për atë që ajo sjell në zemër të njeriut e të historisë. Shëmbëlltyra ungjillore e kokrrës së senapit përmban një mesazh optimizmi e shprese.

R. SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 11-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik.  Edhe në këtë të diele mesazhi i Fjalës së Zotit mbërrin tek ne në formën e shëmbëlltyrës; madje këtë të diele nga Ungjilli dëgjojmë shëmbëlltyrën që flet për Mbretërinë e Qiellit, për dinamikën e saj dhe për atë që ajo sjell në zemër të njeriut e të historisë. Shëmbëlltyra ungjillore të kësaj së diele: ajo e kokrrës së senapit përmban një mesazh optimizmi e shprese.

Nga fara e vogël, e copëzuar, del fryti. Dashuria e Zotit e shndërron atë, që është e vogëlMadhështia e dashurisë së Zotit, e cila e shndërron atë, që duket pa vlerë, këtë e vë në qendër të vëmendjes shëmbëlltyra ungjillore e farës së senapit e kësaj së diele.  Ligështia është forca e farës, këto fjalë nënvizojnë kuptimin më të lartë të shëmbëlltyrave të Jezusit kushtuar farëve të tokës, propozuar nga liturgjia e dielës së 11-të gjatë vitit liturgjik, ciklit të dytë ‘B’.

Fara, që rritet edhe pse fshatari fle e fara e senapit, më e vogla nga të gjitha, janë metaforë e Mbretërisë së Zotit. Realitet tepër i vogël, po ta shikojmë me sy njerëzor, i përbërë nga ata, që janë të varfër në zemër, ata, që nuk besojnë në forcat e veta, por në dashurinë e Zotit; ata, që nuk kanë pikë rëndësie para syve të botës, e megjithatë, pikërisht përmes tyre vërshon forca e Krishtit, për të shndërruar çka duket krejt pa vlerë.

Mbretëria e Hyjit, ndonëse kërkon bashkëpunimin tonë, është, mbi të gjitha, dhuratë e Zotit. E kjo duket qartë nga kontrasti ndërmjet vogëlsisë së farës e madhësisë së asaj, që prodhon. Prej këndej, ftesa e Kishës për ta provuar këtë mrekulli të Zotit. Forca jonë e vogël, në dukje krejt e pafuqi përballë problemeve të botës, po të depërtojë në atë të Zotit, nuk trembet nga pengesat, sepse e sigurt është fitorja e Zotit. Mrekullia e dashurisë së Zotit e bën të mbijë e të rritet çdo farë të së mirës, të hedhur në tokë.

Koha e sotme është kohë mbjelljesh, ndërsa rritjen e bimës e siguron vetë Zoti. Është ai Zotëria i Mbretërisë, njeriu është vetëm bashkëpunëtori i Tij i përvuajtur, që kundron veprimin hyjnor, gëzohet e pret me durim pjekjen e frytit. Korrja e fundit na bën të mendojmë për ndërhyrjen përfundimtare të Hyjit në mbarimin e kohëve, kur Ai do ta realizojë plotësisht Mbretërinë e Vet.

Fara e senapit, ndonëse tejet e vogël, është plot me jetë. Nga copëzimi i saj lind një bimë, që çan brazdën e del në dritën e diellit, rritet e bëhet më e madhe nga të gjitha bimët e kopshtit.
Çdo i krishterë, atëherë, e di mirë se duhet të bëjë gjithçka mundet, por se rezultati përfundimtar varet nga vetë Zoti; kjo vetëdije e ndihmon në mundimin e përditshëm, posaçërisht në situata të vështira. Në situata të tilla, shkruan Shën Injaci i Lojolës, ‘Vepro sikur gjithçka të varej prej teje, duke e ditur se në fund të fundit gjithçka varet prej Zotit’.

                                          Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë Ez 17, 22-24

Nga dinastia e Davidit janë eliminuar në mënyrë tragjike pasardhësit e fundit. Me këtë Hyji nuk mohon besëlidhjen e tij, por vendos të ripërtërijë gjithçka. Dega më e brishtë e cedrit të vjetër (Izraeli), mbjellë nga Hyji me dashuri, do të prodhojë një pemë të re. Një degë e tillë do të jetë Jezusi i Nazaretit . Me të do të zhduket ëndrra e madhështisë së Izraelit të vjetër e do të lindë një Kishë e përvuajtur që do të bashkojë të vegjlit dhe të varfrit.

Lexim prej Librit të Ezekielit profet

Kështu thotë Zoti Hyj: “Edhe unë do ta marr prej majës së cedrit të madh prej majës së gemave të tij do ta këpus një gemëz e do ta mbjell mbi një mal të lartë e të madhërishëm. Do ta mbjell në mal të lartë të Izraelit: do të shpërthejë në pinjollë e do të bëjë fruta: cedër do të jetë i madhërueshëm. Nën të do të banojnë të gjithë shpendët, çdo shpend nën hijen e gemave të tij çerdhen do ta bëjë. Të gjitha lëndët e fushës do ta dinë se unë jam Zoti që e zvogëlon lëndën e madhe dhe e lartëson të voglën, e thaj lëndën e njomë dhe e bëj të bulëzojë të thatën. Unë Zoti thashë dhe do të bëj ashtu.” Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Psalmi 91,2-3;13-14;15-16

Bëj të rritet në ne, o Zot, fara e fjalës sate

Është punë e mirë të shpallim dashurinë

në mëngjes e gjatë natës besnikërinë tënde,

se ti, o Zot, më gëzove me veprat e tua,

kënaqem për veprat e duarve të tua.

 

I drejti lulëzon si palma,

rritet porsi cedri i Libanit.

Të mbjellë në shtëpinë e Jakobit

lulëzojnë në banesat e Hyjit tonë.

 

Japin fruta edhe në pleqëri,

janë të kërthndeztë e plot shëndet,

për të shpallur se Zoti është i drejtë:

Qeta ime, në të cilin nuk ka të meta

 

Leximi i dytë 2 Kor 5,6-10

Pas persekutimit e dështimit, Pali është i lodhur për të luftuar, e ëndërron pushimin përfundimtar. Do të ishte më e thjeshtë të vdiste, sidomos kur është i sigurt që të vdesë domethënë të jetojë përgjithmonë me Krishtin. Por kupton se Krishti e thërret për të jetuar e për të vazhduar luftën për të marrë shpërblimin për të mirën e kryer.

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintianëve

Vëllezër, jemi gjithmonë plot shpresë edhe pse e dimë se deri sa të banojmë në këtë trup, jemi të mërguar, larg Zotit; sepse jetojmë në fe e jo në pamje të Zotit. Për këtë arsye edhe jemi plot shpresë e më fort dëshirojmë ta lëshojmë banesën e këtij trupi për të banuar te Zoti. Prandaj, edhe mundohemi me gjithë shpirt t’i pëlqejmë Zotit, qoftë duke qëndruar në banesën tone, qoftë edhe duke e lëshuar atë, sepse të gjithëve na duhet të dalim në gjyq para Krishtit, që secili të marrë shpërblimin për veprat që ka bërë gjatë jetës së vet në trup, qoftë për të mira, qoftë për të këqija. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Aleluja, Aleluja

Hape, o Zot, zemrën tone, që t’i pranojmë fjalët e Birit tënd.

Aleluja, Aleluja

 

Ungjilli Mk 4, 26-34

Mbretëria e Hyjit shpesh përparon aty ku nuk kemi punuar e ne mendonim se nuk mund të lulëzonte asgjë. Fjala e Hyjit është gjithmonë në veprim në m mënyrë të fuqishme e krijuese. Hyji na beson këtë fjalë si një farë të vogël: nëse e lëmë të rritet është e aftë të shndërrojë botën. Nuk është dëshira jonë e fuqisë dhe e suksesit që bën të triumfojë ungjilli, por më tepër varfëria dhe dobësia jonë.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, Jezusi i tha turmës: “Mbretëria e Hyjit është porsi kur njeriu e qet farën në dhe. Si të flejë si të rrijë zgjuar, natë e ditë, fara mbin, rritet, pa ditur ai sesi. Toka vetvetiu qet bimën; më parë kërcellin, pastaj kallirin, e në fund kallirin plot kokrra. E posa fryti piqet, i vë draprin, sepse është koha e korrjes.” Dhe thoshte: “Me çka ta krahasojmë Mbretërinë e Hyjit? Ose me çfarë krahasimi ta paraqesim? Ajo i përngjet kokrrës së sinapit që është më e vogla ndër farëra kur qitet në dhe; por, kur mbillet, rritet e bëhet më e madhe se të gjitha perimet: lëshon degë të mëdha, aq sa zogjtë e malit banojnë nën hijen e saj.” Me shumë shëmbëlltyra si këto ua shpallte fjalën, ashtu si ishin të zotët ta kuptojnë; por pa shëmbëlltyra atyre nuk u fliste asgjë, kurse nxënësve ua shtjellonte veçmas të gjitha. Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht.

Lutu me Ungjillin
O Zot Jezus, akoma sot ti je Mbjellësi i mirë që hedh farën e Fjalës në zemrat tona. Toka jonë kërkon farën tënde për të prodhuar jetë e për të sjellë fryte. Hape zemrën tonë për të pranuar Mbretërinë tënde, që ke mbjellë falas e rritet në mënyrë të mistershme, përtej forcave dhe meritave tona. “Ardhtë Mbretëria jote, o Zot”, në mes të zhgënjimeve dhe humbjeve tona, që të rritet në ne shpresa që e gjitha është vepër e hirit tënd. Mbretëria jote nuk varet nga fuqia e pasuria e njeriut, por vetëm nga Ti, që je Hyji. Na jep durimin të mos pretendojmë për të marrë menjëherë frytet, e përvujtërinë për të bërë me bujari punën tonë pa marrë meritat e asgjëje.

15 qershor 2018, 11:52