20171204_BAV_Ross.181_0146_fr_0127v-127r_ANIMA DI CRISTO.jpg 20171204_BAV_Ross.181_0146_fr_0127v-127r_ANIMA DI CRISTO.jpg  (© Biblioteca Apostolica Vaticana)

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 10-të gjatë vitit kishta

Jeta jonë është dhuratë e Zotit. Dashuria tij për ne është e pakufishme. Provania Hyjnore na përcjell dhe është me ne çdo ditë. “Kushdo e kryen vullnetin e Hyjit”, është dishepull i vërtetë i Jezusit, të cilin ai nuk heziton ta thërras me emrat vëllai im, motra dhe nëna ime!”.

R. SH: - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me liturgjinë e Fjalës së Zotit, kësaj radhe do të meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së 10-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 10-të gjatë vitit kishtar ‘B’

Me këtë të diele, të 10-tën gjatë vitit kishtar, pas 4 muajsh, që kremtuam kohën e kreshmëve, kohën e Pashkëve e atë të Rrëshajëve, po i kthehemi kohës së zakonshme a të rëndomtë të kalendarit kishtar, e vazhdojmë nën udhëheqjen e shën Marku ungjilltar të njihemi me figurën dhe veprën shëlbimpruese të Jezus Krishtit. Këtë të diele, kemi një fragment të shkurtër të Ungjillit të Markut, megjithatë, në disa rreshta të këtij fragmenti, kemi shumë elemente, shumë mësime dhe ide për reflektimin tonë.

Autori i Librit të Zanafillës (Zan 3, 9-13), në leximin e parë, na kujton pasojën e mëkatit të njerëzve të parë dhe premtimin, bërë nga Zoti, e një shpëtimtari (shëlbuesi) që përfundimisht do t’ia ndrydhë kokën djallit e do të bëjë të triumfojë e mira.

Në leximin e dytë, në fragmentin nga Letra e Palit drejtuar Korintianëve ( 4,13-5.1)- Apostulli shpall bindjen e vet, bazuar mbi ngjalljen e Krishtin, ndaj së cilës sprovat e vuajtjet  e tashme e madhe edhe vetë vdekja nuk do ta mposhtin, por për ne, që mbështetemi e besojmë në Jezu Krishtit, përgatitet një botë e re.

Këtë të diele Marku ungjilltar na paraqet Jezusin në qendër të një lëvizje marramendëse njerëzish. Turma, familjarët e tij nga Nazareti, skribët e farisenjtë, dhe dymbëdhjetë apostuj, që ishin mbledhur plot e përplot rreth tij.  Persona të fascinuar nga ai, që donin të kuptonin se kush është më të vërtet Jezusi.

I shkreti Jezus (Ungjilli): e konsiderojnë të marrë, thonë se Ai “nuk është në vete”, besojnë se ka djallin brenda, mendojnë se është i pushtuar nda djalli. Mirëpo gjithçka shërben për të shtjelluar një mësim e katekizëm të mirë. Edhe prania e nënës së tij dhe e “vëllezërve” të tij, i ofron Jezusit rastin për t’i përcaktuar lidhjet e veta të vërteta: kushdo e kryen vullnetin e Hyjit, bënë pjesë, pra, është anëtar i familjes së tij të vërtetë.

                                          Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi parë Zan 3,9-13

Lexim prej Librit të Zanafillës

Zoti e thirri njeriun dhe i tha: “Ku je?” Ky i përgjigj: ”Dëgjova zërin Tënd në kopsht e u tremba, sepse jam lakuriq dhe u fsheha.” Ai i tha: “Kush të tregoi se je lakuriq? A mos ngrëne frytet nga pema prej së cilës të kam urdhëruar të mos hash?” Njeriu përgjigji: “Gruaja, që ma dhe për shoqe, ajo me dha frytet prej pemës dhe hëngra.” Atëherë Zoti Hyj i tha gruas: “Pse e bëre këtë?” Gruaja përgjigji: “Më gënjeu gjarpri dhe hëngra.” Atëherë Zoti Hyj i tha gjarprit: “Pasi e bëre këtë gjë, qofsh mallkuar ndër të gjitha bagëtitë dhe kafshët e egra! Do të ecësh përmbi barkun tënd dhe do të hash pluhur për ditë e mot të jetës sate! Armiqësi do të vë ndërmjet teje e gruas, ndërmjet farës sate e farës së saj: fara e saj do ta ndrydhë kokën, kurse ti do t’ ia ngjeshësh në shteg për thembër.” Fjala e Zotit!

Psalmi 130

Ref. Zoti është mirësia dhe mëshira

———————————————-

Prej humnerës klitha tek ti, o Zot,

o Zot, dëgjoje britmën time!

Le ta dëgjojnë veshët e tu,

zërin e lutjes sime.

—————————————————

Nëse do t’i mbash mend paudhësitë , o Zot,

o Zot, e kush do të qëndrojë para teje?

Por tek ti gjendet falja

që të dimë të të druajmë.

————————————————

Shpresoj në ty, o Zot,

shpirti im shpreson në premtimin e tij.

E pret shpirti im Zotin

më tepër se rojtarët agimin.

————————————————-

Le të shpresojë Izraeli në Zotin,

sepse te Zoti është mëshira

dhe i madh është tek Ai shpërblimi.

Ai do ta nxjerrë Izraelin prej të gjitha paudhësive të tija.

——————————————————————–

  

Leximi dytë 2 Kor 4,13:5,1

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve 

Vëllezër, pasi kemi të njëjtin shpirt  feje, sikurse është në Shkrim shenjt: ‘Besova, prandaj edhe fola’, edhe ne besojmë prandaj edhe flasim, sepse e dimë se Ai që ngjalli Jezusin Zot, edhe ne do të na ngjall bashkë me Jezusin dhe do të na vërë bashkë me ju pranë vetes. E të gjitha këto ngjajnë për ju: që hiri i shumëzuar, të bëj  sa më të begatshëm falënderimin e bashkësisë së shtuar, në lavdi të Hyjit.

Prandaj, nuk e humbim guximin por edhe nëse njeriu ynë i jashtëm shkon duke u shkatërruar, njeriu i brendshëm dita ditës përtërihet. Sepse vështirësia jonë e lehtë dhe e përkohshme na sjell në lavdi të përjetshme pa krahasim më të madhe. Ne nuk kemi për qëllim të fitojmë gjërat e dukshme, por ato që nuk shihen; sepse sendet e dukshme janë të përkohshme kurse sendet që nuk shihen janë të përjetshme. Fjala e Zotit! 

Aleluja!

Unë ju quajta miq, thotë Zoti,

sepse ju zbulova gjithçka që dëgjova prej Atit tim.

Aleluja! 

 

Ungjilli Mk 3,20-35

Lexim i Ungjillit shenjtë sipas Markut

Në atë kohë, Jezusi u kthye së bashku me nxënësit e vet në shtëpi. Prapë u mblodh turmë e madhe sa që as nuk mund të hanin bukë. Kur morën vesh të tijtë, shkuan ta marrin sepse flitej: “Nuk është në vete.” Kurse skribet që zbritën nga Jerusalemi, thoshin: “ E ka në trup Beelzebulin e me anë të kryetarit të djajve i dëbon djajtë.”

Ai i thirri t’i afrohen dhe filloi t’u flas me shëmbëlltyra; “Si është e mundur që Djalli ta dëboj djallin. Në qoftë se një mbretëri çohet kundër vetvetes, ajo shkatërrohet. Po ashtu edhe ajo shtëpi që çohet kundër vetvetes, shkatërrohet. Nëse pra, Djalli çohet kundër vetvetes dhe përçahet, ai shpartallohet – i erdhi fundi! Dhe dihet që s’ ka njeri që mund të hyjë në shtëpinë e të fortit dhe t’ ia marrë plaçkat pa e lidhur atë me parë. Vetëm atëherë mund t’ ia plaçkisë shtëpinë.

Për të vërtetë po ju them: njerëzve do t’ u falen të gjitha mëkatet e blasfemitë, me të cilat do të blasfemojnë, por kush ta shajë Shpirtin Shenjt, ai s’ do të ketë falje për amshim: është fajtor i një mëkati të përhershëm.” Sepse thoshin: “Ka qoftëlargun në trup!”

Ndërkaq erdhën nëna e tij dhe vëllezërit e tij. Zunë vend përjashta dhe dërguan dikën ta thërrasë. E kishin rrethuar shumë njerëz. Po i thonë: “Nëna jote dhe vëllezërit e tu janë përjashta e po të kërkojnë.”

Ai u përgjigj: “Kush është nëna ime e kush janë vëllezërit e mi?” Si ua hodhi sytë rreth e rrotull atyre që rrinin për rreth tij, tha:”Ja nëna ime e vëllezërit e mi” Sepse, kushdo e kryen vullnetin e Hyjit, ai është vëllai im, motra ime dhe nëna!” Fjala e Zotit!

08 qershor 2018, 17:14