Bazilika Papnore Minore e Shëna Ndout  të Padovës Bazilika Papnore Minore e Shëna Ndout të Padovës 

Kalimi i Shëna Ndout në amshim: rikujtohet sot, në Padovë

Në ditën, që i paraprin kujtimit liturgjik të Shëna Ndout, në Padovë rijetohen orët e fundit të jetës së Shenjtit, shfaqje, që arrin kulmin me koncertin e këmbanave, të cilat kumtojnë fillimin e kremtimeve solemne të 13 qershorit.

Më se 150 figurantë parakalojnë sonte, në Padovë, të veshur me kostumet e epokës. Mbarë qyteti kremton natën e përkujtimit liturgjik të Shëna Ndout.

Procesioni historik

Në orën 20.30, në lagjen Arcella, pikërisht atje ku ndërroi jetë Shenjti (siç thirret në Padovë Pajtori i qytetit) “rijetohen orët e fundit të Shëna Ndout, kalimi i Fra Antonit në jetën e amshuar dhe shtegtimi i fundmë nga Campo Sampiero, në Padovë.

Më 13 qershor 1231, Antoni, në çastet e fundit të jetës, kërkoi ta çonin në kuvendin e shumëdashur padovan të Marisë, Nënë e Zotit. Pesë skena luhen sonte, për ta rikujtuar këtë ngjarje, sipas tekstit të Assiua, jetëshkrim i përfunduar pak ditë para vdekjes së françeskanit, ndoshta nga Fra Luca Belludi, sivëlla besnik i Shëna Ndout. Skena e fundit paraqet arritjen e qerres në Shenjtëroren e Arcellës, shoqëruar nga koncerti tradicional i këmbanave. Qyteti pushtohet nga kori i tingujve të harmonishëm të  këmbanave të të gjitha famullive, që bien përnjëherësh në orën 21.30, duke shënuar zyrtarisht fillimin e Solemnitetit, që kremtohet nesër, më 13 qershor, ashtu si patën vendosur Statutet e Komunes së Padovës në vitin 1276.

Kalimi i Shëna Ndout në jetën e amshuar

Shtegtimi nga Camposampiero mbi një qerre, të tërhequr nga qetë, takimi me fratin Vionotto, arritja në manastirin e Cell-ës dhe shtangia  e “Povere Dame”(Klariseve), janë ikonat, mbi të cilat përqendrohet rikujtimi historik,  që zhvillohet për të gjatë udhës Aurelia Copta (rruga e sotme Aspetti). Përshkohen, kështu, të njëjtat vende, ku pati shkelur këmba e Shëna Ndout rreth tetë shekuj më parë. Skena e fundit, e gjashta - kujton orët e agonisë së Antonit, para se të shqiptonte fjalët e fundit, që zbulonin të ardhmen: “Video Dominum meum” (Po e shoh Zotin tim), nësa Shenjti kalonte nga kjo jetë, në jetën tjetër. Prej këndej, gjithë kjo shfaqje njihet me emrin “Transito” - “Kalimi”. E skena e fundit zhvillohet brenda shenjtërores, para qelisë së “Kalimit”, nderuar prej shekujsh si vend i vdekjes së Shenjtit.

Kështu përsëritet “Kalimi” i Shëna Ndout, duke nisur që nga vitit 1931, 700 vjet pas “Kalimit” të Pajtorit të Padovës! Duke rikujtuar edhe rigjetjen e gjuhës së pakalbur të Shenjtit, gjatë “Zhvendosjes së relikeve” nga kishëza e Shën Marisë, Nëna e Zotit, në Bazilikën e Shëna Ndout, në ndërtim e sipër, ku sonte rrajnë me mijëra të devoçëm të Shenjtit nga mbarë bota.

12 qershor 2018, 14:52