Kërko

Evropa e katedraleve: Katedralja e Brukselit Evropa e katedraleve: Katedralja e Brukselit 

Ekumenizëm: filloi në Novi Sad, Asambleja e përgjithshme e Kek

Ekumenizëm: filloi në Novi Sad (Serbi), Asambleja e përgjithshme e Kek. 400 delegatë, nga 116 Kisha të Evropës

R. SH. - Vatikan

Një urë e gjatë me një kryq përsipër, që përshkon detin për të lidhur bregun me breg. Është kjo, logoja e zgjedhur sivjet për Asamblenë XV të përgjithshme të Konferencës së Kishave Evropiane (Kek). U hap dje pasdite, në Novi Sad të Serbisë, e mikpritur nga Patriku serb Irinej. Tema, fjalët e Jezusit: “Do të jeni dëshmitarët e mi”. Deri më 6 qershor, më se 400 delegatë të 116 kishave anëtare të Kek, përfaqësues të Kishave ortodokse, protestante, anglikane e  vetero katolike nga e gjithë Evropa, po përpiqen t’i japin përgjigje një pyetjeje themelore për misionin e tyre: “Si duhet t’i transmetohet feja e krishterë Evropës së sotme?”.  Duke e paraqitur nismën në një konferencë shtypi, Presidenti i Kek, ipeshkvi anglikan Christopher Hill, theksoi: “Evropa është e pasur me katedrale, kisha e manastire, por vërejmë se nuk janë përplot me njerëz, si do të dëshironim. Prej këndej, lind pyetja: “Si ia çojnë të krishterët Lajmin e mirë të Ungjillit Evropës së sotme, njeriut të flakur në një skutë, të varfërit, të mjerit, të harruarit fare nga qeveritë?”.

Drejtësi, mikpritje, dëshmi: rreth këtyre tri fjalëve-kyçe - shpjegoi i nderuari Hill - po shtjellohet programi i Asamblesë. Delegatët po  shkëmbejnë mendime rreth drejtësisë ekonomike, që sot luhatet ndërmjet masave shtrënguese dhe përpjekjeve të vendeve evropiane për t’i dhënë fund krizës. Po preket edhe problemi i madh i strehimit të emigrantëve nga Veriu i Afrikës dhe nga Lindja e Mesme.

Në Novi Sad, Kishat evropiane po dëgjojnë edhe zërin e të krishterëve të Lindjes së Mesme  e sot  paradite Shenjtëria e Tij, patriku Mor Ignatius Aphrem II, i Kishës siro-ortodokse të Antiokisë dhe gjithë Lindjes, mbajti referatin kryesor.

Kujtojmë se Kek gjatë historisë së vet, luajti një rol shumë të rëndësishëm për pajtimin e Evropës. E sot, në një kohë nacionalizmash e populizmash, Kishat duhet të përpiqen më shumë për të qenë ndërtuese urash, faktorë bashkimi, të thirrura për të krijuar hapësira, ku ka vend për të gjithë.

Në punimet merr pjesë edhe Kisha ortodokse ruse, që vëzhguesi zyrtar i së cilës është i pranishëm në Asamblenë e përgjithshme të Kek, në Novi Sad.

 

01 qershor 2018, 18:27