Kërko

Logoja e Ditës Botërore të Rinisë, në Panama Logoja e Ditës Botërore të Rinisë, në Panama 

DBR Panama: takimi II përgatitor ndërkombëtar

Takim i ri përgatitor për Ditën Botërore të Rinisë në Panama, kur të rinj nga mbarë bota do të mblidhen për t’u lutur së bashku më 22 deri më 27 janar 2019, në qytetin e Amerikës qendrore.

R. SH. - Vatikan

Përfundoi sot takimi i delegatëve të më se 80 vendeve në Panama, mbledhur që më 7 qershor, për të diskutuar hollësirat e Ditës së ardhshme Botërore të Rinisë, që do të mbahet nga 22 deri më 27 janar 2019, në qytetin e Amerikës qendrore.

Një lutje për DBR-në 2019 u lartua gjatë kremtimit eukaristik në katedralen e Panamasë, kryesuar nga kryeipeshkvi, imzot José Domingo Ulloa Mendieta, që bashkëkremtoi me delegacionin e Vatikanit e me ipeshkvijtë panamezë, në hapje të takimit të dytë përgatitor për ditën e madhe të të rinjve, në Panama.

Të pranishëm, në Panama City, më se 300 delegatë, përfaqësues të 80 vendeve të botës si dhe të 35 lëvizjeve dhe bashkësive ndërkombëtare, që përcaktuan hollësitë e fundit të DBR-së së ardhshme.

Ky takim i dytë përgatitor ndërkombëtar, organizuar nga Komiteti vendas, së bashku me dikasterin vatikanas për laikët, familjen e jetën, ishte një nga çastet kyçe të përgatitjes së ditës.

Delegacioni vatikanas

Në punime mori pjesë edhe delegacioni vatikanas, i kryesuar nga sekretari i Dikasterit për laikët, familjen e jetën, atë Alexander Awi Mello dhe nga atë Joao Chagas, drejtor i Zyrës për të rinjtë. Të pranishëm edhe pesë ipeshkvij, 60 meshtarë si dhe laikë e rregulltarë, delegatë nga Azia, Afrika, Evropa e Amerika Latine.

Vizita në vendet  e mikpritjes së të rinjve

Gjatë takimit përgatitor, delegatët jo vetëm që diskutuan për problemet më të rëndësishme, por patën edhe mundësinë të vizitojnë vendet kryesore të grumbullimit të të rinjve si dhe të njihen me vullnetarët e Komitetit organizator vendas. Mësuan, kështu, shumë aspekte shpirtërore dhe organizative të shtegtimit të të rinjve, që do të kenë fatin të marrin pjesë në këtë takim të ri bashkëmoshtarëve nga bota mbarë. Të cilët, në këtë edicion të ri të ngjarjes më kozmopolite të të rinjve, do të takohen “në fundin e botës” – siç do të thoshte Papa Françesku!

 

10 qershor 2018, 10:24