Kërko

Bibla Bibla 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Libri i Jeremisë

Pas Isaisë së madh, gjejmë librin e Jeremisë së vuajtur. Sa e madhe është figura e të parit, aq e përvuajtur e mallëngjyese është ajo e të dytit. Librit të Jeremisë ia kushtojmë emisionin e sotëm, përgatitur sipas vëllimit “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian, Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Ndër profetët biblikë, Jeremia është ai, për të cilin kemi më shumë njohuri biografike. Kjo, sepse profeti i ri e jetonte misionin e vet plotësisht, me gjithë vetveten, prandaj mesazhi bëhet një gjë e vetme me jetën e tij. Madje, e kuptojmë atë mesazh, duke përshkuar jetën e tij.

 Jo rastësisht ai është profeti i “rrëfimeve”, i pari, që shkruan për veten, për misionin e vet e për mënyrën me të cilën Zoti e ka “joshur e braktisur”. Me Jereminë projektohemi në vitet e errta, që e çojnë Izraelin drejt tragjedisë së mërgimit, por njihemi edhe me shpirtin e tij të copëtuar, të tunduar që në fillim të ikte, të fshihej, sepse tepër e madhe detyra, që i ishte besuar.

Jeremia përpiqet të ikë

Nëse Isaia përgjigjet “Ja ku jam, më ço mua…”, Jeremia përpiqet të ikë, duke u justifikuar se është vetëm një djalosh, që s’di të flasë. Por Zoti, i vendosur, i thotë të mos ketë frikë, pasi do ta luftonin, por nuk do të fitonin kurrë. E me të vërtetë, gjithë jeta e profetit është luftë e vazhdueshme, së pari me Zotin, që e tërheq me fjalët e Tij; pastaj, me ata që e dëgjojnë dhe i thonë se gënjen e shpif; e së fundi, me vetveten, pasi shpesh përpiqet t’i harrojë fjalët e Hyut, por nuk ia del dot.

Po, pse gjithë kjo luftë? Mbretëria e Judesë, tempulli i madh i Jeruzalemit, ishte i mbushur me idhuj. Izraelitët nuk ishin komb besnik ndaj Zotit, sepse në lartësirat e kodrave kishte shenjtërore pagane: tolerohej prostitucioni kishtar e flijimi i fëmijëve. Vetëm mbreti Jozia, që Jeremia do ta mbështesë, ndërmerr një reformë energjike, duke purifikuar tempullin, duke i shkatërruar shenjtëroret e vogla pagane e duke rivendosur Ligjin e Moisiut. Por, me mbretin e ri, Joakim, paganizmi kthehet e profeti vijon, i vetëm, një betejë të dëshpëruar. Sulmohet edhe nga familja e vet e nga krejt popullsia e Anatotit, nga e ka prejardhjen, sepse thotë fjalë aspak të këndshme, denoncon religjozitetin e rremë dhe kultin e gënjeshtërt. Parashikon shkatërrimin e tempullit e për këtë, dënohet me vdekje.

"U mundova ta mposht, por s’munda"

Pastaj, nën qeverisjen shkatërrimtare të Sedecisë, akuzohet për tradhti, burgoset e futet në një çisternë, pa ujë, veç me baltë, në të cilën zhytet si më i mjeri i të mjerëve (kapitulli 38). Vitet e fundit të jetës së profetit humbasin në errësirën e kohrave. Dimë që pas pushtimit të Jeruzalemit, refuzon të shkojë në Babiloni e mbetet në Palestinë. Më vonë e çojnë në Egjipt. Vuajtjen e fundit ia shkaktojnë babilonezët, të cilët e konsiderojnë kolaboracionist. Nuk kuptohet deri në fund. E Jeremia e rrëfen këtë, duke na lënë një dëshmi unike në llojin e vet:

“Më ngashënjeve, o Zot, dhe unë lejova të ngashënjehem, qe më i fortë se unë dhe më mbizotërove.U bëra gazi i ditës, të gjithë më përqeshin. …Atëherë thashë me vete: më s’do të mendoj për Të, në emër të Tij më nuk do të flas! Atëherë në zemrën time u ndez një zjarr i furishëm, u ndrye në eshtrat e mi:u mundova ta mposht, por s’munda!” (Is 20,7.9).

Isaia na bën të ëndërrojmë, Jeremia na bën të vuajmë

Profeti arrin të mallkojë edhe ditën e lindjes, por nuk largohet nga Zoti. Pajtor i gjithë luftëtarëve të pasigurtë, por që nuk dorëzohen; profet i dërguar nga Zoti për një betejë shumë të madhe për një njeri të vetëm; emblemë e një feje tepër të rëndë për t’u përqafuar nga gjithë populli, fe që ruhet nga besnikëria dhe këmbëngulja e pak vetëve! Nëse Isaia na bën të ëndërrojmë, Jeremia na bën të vuajmë.

 Që fjalët e tij të preknin zemrën e popullit, Jeremia është profeti i parë, i cili bëhet – ai vetë – shenjë e fjalës që shpall, me shenjat simbolike, të cilat do të mbeten në histori: rrypi i linit të kalbur në lumë, broka e thyer e terrakotës, zgjedha mbi shpatulla për të shpjeguar ç’do t’i ndodhë Izraelit, që e ka harruar Zotin. E së fundi, fusha akoma e zënë nga armiku, të cilën profeti e blen që të gjithë të shpresojnë në veprën e Hyut. Paguan gjithçka me jetën e vet, sepse Jeremia është profeti, të cilit Zoti i urdhëroi të mos martohej e të mos bënte fëmijë, pasi do të vdisnin nga sëmundje shumë të këqia.

Me Jereminë, feja bëhet diçka personale

Me Jereminë, feja bëhet diçka personale, që nuk mund të fshihet pas riteve e flijimeve të bashkësisë e që duhet të jetë e sinqertë, e jetuar me zemër, me jetë, pavarësisht nga vështirësitë, sepse Zoti është aty, pranë secilit, edhe në vuajtje.

“Të desha me dashuri të amshueshme, prandaj ruajta për ty mëshirën. …Vallë, Efraimi a s’është biri im i dashur, a s’e kam unë djalë për zemër? Pse, sa herë që i kërcënohem, aq herë prapë mendoj për të! Prandaj zemra për të më dridhet: kam dhimbje, po kam dhimbje për të!’‑ është fjala e Zotit” (Jr 31,3.20).

28 qershor 2018, 09:00