Kërko

Bibla Bibla 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Libri i Isaisë II

Në emisionin e kaluar filluam t’ju njohim me Librin e Isaisë profet. Pasi përshkruam ngjarjet në të cilat mori pjesë, u ndalëm në jehonën e jetës së tij në Besëlidhjen e Re. Ky është argumenti i sotëm, gjithnjë sipas vëllimit “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian, Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Isaia profet përmendet 22 herë në Besëlidhjen e Re e Libri biblik që i kushtohet atij konsiderohet mesianik, megjithëse fjala “Mesi” përmendet vetëm një herë. Por profecitë e Isaisë frymëzohen nga Zoti dhe kumtojnë se vepra hyjnore nuk do të vonojë të plotësohet. Fjalët me të cilat Isaia shpreh dënimet apo parashikimet e veta, emocionojnë edhe sot falë përdorimit figurativ, që i ka bërë të famshme:

“Shpatat e veta do t’i kthejnë në plorë e heshtat në drapërinj. Një popull nuk do të ngrejë shpatën kundër një populli tjetër dhe më s’do të ushtrohen për luftë”(Is 2,4).

“Ujku do të banojë me qengjin, përbri kecit do të shtrihet leopardi, viçi e këlyshi i luanit bashkë do të kullotin, fëmija i vogël do t’i çojë e do t’i bjerë”(Is 11,6).

Isaia është poet

 Isaia është poet e është feja, që e bën të bërtasë deri në kupë të qiellit kundër mëkatit e njëkohësisht, e bën të ëndërrojë për veprat e Zotit. E ky vegim, profetizuar në kapitujt 7-11, flet për Emanuelin, Zotin-me-ne:

“Sepse na lindi një foshnjë, fituam një djalë.Në krahun e tij u vu shenja e mbretërisë. Për emër do të quhet: Këshilltar i mrekullueshëm, Hyj i fortë, Atë i amshueshëm, Princ i Paqes”(Is 9,5).

 Ky imazh i Isaisë së parë do të rimerret e do të shndërrohet nga autori i panjohur, që frymëzohet prej tij në pjesën e dytë të librit, aty ku paraqiten katër “këngët e mistershme të Shërbëtorit të YHWH”, në kapitujt 42,49,50 e 53.

Isaia merr profecitë mesianike dhe i shndërron

Në këtë pjesë të dytë të librit duket sikur përvoja e shkatërrimit të Jeruzalemit dhe ajo e mërgimit shënon fundin e çdo teologjie monarkike dhe fillimin e një jete, në pritje të vazhdueshme të Mesisë. Isaia profet i kësaj pjese nuk ka më tonet e zjarrta të të parit, por merr profecitë mesianike dhe i shndërron. Në pjesën e dytë paraqitet një këndvështrim i ri, sipas të cilit nuk është në lojë vetëm mbretëria e Izraelit, por gjithë njerëzit e tokës. Kështu, në himnin e parë, në kapitullin 42, profetizohet shëlbimi universal:

“Ja, Shërbëtori im që unë e përkrah, i Zgjedhuri im, në të cilin kënaqet shpirti im, mbi të e kam ndikuar Shpirtin tim: ai do t’ua japë të drejtën popujve” (Is 42,1).

Isaia zbulon se shëlbimi mund të arrijë tek çdo njeri

Por, në këtë këndvështrim të ri, nuk ka më hapësirë për një mbret, thjesht më të fuqishëm e më të urtë se mbretërit e tjerë. Përmes vuajtjes së njeriut të dhimbjeve, Isaia zbulon se shëlbimi mund të arrijë tek çdo njeri:

“Ishte i përbuzur, më i sprasmi ndër njerëz, njeri dhimbjesh, i regjur me vuajtje… Ai i mori mbi vete vuajtjet tona, mbi shpatulla të veta i ngarkoi dhimbjet tona! E ne ishim të bindur se ishte i ndëshkuar, i munduar prej Hyjit e i nënçmuar! Kurse Ai ishte i plagosur për shkak të paudhësive tona, i ndrydhur për shkak të fajeve tona”(Is 53,3-5). Është pikërisht ky Shkrimi Shenjt, për të cilin Jezusi thotë se do të përmbushej me vdekjen e Tij.

Izraeli e lë mënjanë frikën dhe vishet me dritë

Në pjesën e tretë të librit, Izraeli e lë mënjanë frikën dhe vishet me dritë, duke u bërë nusja e Zotit e shtëpia e lutjes për gjithë popujt. Jezusi, kur hyn në sinangogën e Nazaretit, i bën të tijat këto fjalë dhe shpall çlirimin e të shtypurve si qëllim të jetës e të predikimit të Tij:

“Shpirti i Zotit Hyj është mbi mua, sepse Zoti më shuguroi, më dërgoi t’u sjell të përvujturve lajme të gëzueshme, t’i shëroj ata që kanë zemrën e plasur, t’u shpall skllevërve lirinë, të burgosurve, çlirimin; të shpall vitin e hirit të Zotit” (Is 61,1-2).

 Për të kuptuar lindjen e Krishtit – Isaia; për të paraqitur misionin e Tij – Isaia; për të kuptuar vdekjen e Jezusit – po Isaia! Libri i Isaisë është dritë e jashtëzakonshme, që e udhëheq fenë e Izraelit, frymëzon misionin e Jezu Krishtit dhe sot, mund të shndrisë jetën e çdo besimtari.

Sepse vegimi, që hipotizon Isaia, për një fe të pastër e të shenjtë, është ai, i cili e shtyn të shqiptojë fjalë, që edhe sot e kësaj dite e ruajnë aktualitetin e tyre. Profeti flet kundër ritualizmit pa përshpirtëri e kundër fesë, që e injoron drejtësinë dhe mëshirën për të varfërit.

"Mësoni të bëni vepra të mira"

 “Dëgjojeni fjalën e Zotit: …“Ç’më duhen flitë tuaja të panumërta?” ‑ thotë Zoti. ‑ …Pushoni së më sjelluri fli të padobi; inat e kam kemin. …Kur i shtrini duart tuaja në lutje, unë i largoj sytë e mi prej jush; edhe nëse i shumoni lutjet tuaja, unë nuk ju dëgjoj. …pushoni të bëni keq! Mësoni të bëni vepra të mira: kërkojeni drejtësinë, ndihmoni të shtypurit, jepini të drejtën bonjakut, mbrojeni të vejën!” (Is 1,10-17).

A s’duhet të jetë e detyrueshme t’i përsërisim këto fjalë të Isaisë, sa herë hyjmë në një kishë o në çdo vend lutjeje? E, edhe ta dëgjojmë furinë e profetit e ftesën e tij për kthim?

““Atëherë, ejani të pleqërohemi” ‑ thotë Zoti. Edhe në qofshin mëkatet tuaja kuq si gjaku, do të bëhen bardhë si bora edhe në qofshin të kuqe si purpuri, do të bëhen porsi leshi. Nëse doni të më dëgjoni, do t’i gëzoni frytet e tokës; nëse s’do të doni e do të më ngacmoni të hidhërohem, shpata do t’ju përpijë!” Kështu ka thënë goja e Zotit”(Is 1, 18-20).

21 qershor 2018, 09:00