Bibla Bibla 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Libri i dytë i Mbretërve

Sot do t’ju flasim për Librin e dytë të Mbretërve, gjithnjë, duke iu referuar vëllimit “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian, Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Mirë se vini në librin më të ndërlikuar të Besëlidhjes së Vjetër! Sot do t’ju flasim për Librin e dytë të Mbretërve, gjithnjë, duke iu referuar vëllimit “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian, Federico Tartaglia.

         Kur fillojmë ta lexojmë, ndodhemi në Jeruzalemin e vitit 852 para Krishtit, me mbretin Okozia; pas 24 kapitujsh e gjejmë veten në Babiloni me mbretin Joakin, internuar që prej 34 vjetësh. Jemi në vitin 550 para Krishtit, pra, është fjala për 300 vjet më pas, në krahasim me fillimin e Librit të dytë të Mbretërve. Gjatë kësaj periudhe kohore ndodh gjithçka: kalojnë 27 mbretër në Jude e në Izrael, pa llogaritur këtu mbretëritë përreth dhe luftrat e tyre, faraonët egjiptianë e mbretërit asirë, sidomos mbretin babilonez Nabukodonosor. Të përpiqemi të hyjmë në këtë pyll për të kapur elementet më kuptimplote.

Rrëmbimi i Elisë në qiell

         Çasti i parë i madh: ngjitja në qiell e Elisë profet në një karrocë të zjarrtë, gjë që e bën atë legjendar. Së bashku me Moisiun, i cili vdiq në mal, Elia mbetet pa varr e pikërisht për këtë arsye, do të jenë Moisiu dhe Elia ata, që do të duken në malin Taborr, pranë Jezusit, duke paralajmëruar ringjalljen e Krishtit.

Hyn në skenë Elizeu profet

Pas Elisë, hyn në skenë Elizeu, të cilit Elia i jep mantelin e vet e dy të tretat e shpirtit. Në libër numërohen së paku 12 mrekulli të tij, ndër të cilat, dy ringjallje e shumë shërime, por bie në sy edhe kur mallkon djemtë, që e patën përqeshur, duke u çuar dy arusha, që shqyen 42 prej tyre. Në mbrojtje të profetit, mund të përmendim ringjalljen mallëngjyese të një fëmije në kapitullin 4, por kush lexon Biblën e di se njerëzit e përshkruar prej saj nuk janë të përsosur, prandaj në kapitullin 9, Elizeu shuguron Jehuin mbret, i cili është tepër kontradiktor e jo koherent.

Mbretëria e Akazit

         Duke e lënë Elizeun profet dhe mbretërit pasardhës, kalojmë në kapitullin 16, në episodin e famshëm të luftës siroefraimitike, gjatë mbretërisë së Akazit. Në kohën e Joatamit, mbret i Judesë, u formua një lidhje anti-asire, mbështetur nga Egjipti. Meqenëse Akazi refuzoi të merrte pjesë në këtë lidhje, mbretërit e Aramit, të Izraelit e të Idumesë vendosën t’i bashkojnë forcat për ta pushtuar mbretërinë e Judesë. Por kur ndërhyu sovrani asir, shpartalloi ushtrinë e mbretërve dhe nënshtroi Akazin. Kështu, në vitin 721, mbretëria hebre e Veriut (Izraeli) u shkatërrua, duke shënuar fatkeqësinë e parë të madhe të monarkisë së Izraelit.

Rrethimi dhe rrënimi i Jeruzalemit

         Çast tjetër, në një farë mënyre, legjendar, është rrethimi i Jeruzalemit në vitin 701. Jemi në kapitullin 19. Gjithçka dukej e humbur, por mbreti asir Senakerib, siç parashikon orakulli i Isaisë profet, detyrohet të kthehet në Ninive, ku vritet nga dy prej të bijve.

Gjetja e Librit të Ligjit

         Jo më pak i rëndësishëm është kapitulli 22, kushtuar Jozisë mbret, i cili e mban fronin për 31 vjet, duke u kujtuar si i mëshirshëm e besnik ndaj besëlidhjes me Zotin. Pikërisht Jozia jep urdhër për restaurimin e Tempullit të Salomonit e, gjatë punimeve, Kryeprifti Helci rizbulon “Librin e Ligjit”, pjesa qendrore e Librit biblik të Ligjit të Përtërirë. Kjo gjetje shënon përpjekjen më të madhe për reforma fetare, që nga koha e Davidit mbret.

Ardhja e Nabukodonosorit

         Pjesa e fundit e Librit të dytë të Mbretërve i kushtohet pushtimit të dyfishtë të mbretërisë së Judesë nga ana e Nabukodonosorit, i cili mbretëroi nga 605 deri në 562 para Krishtit. Mbreti Sedecia u përpoq të krijonte një lidhje për t’i bërë ballë, por Nabukodonosor nuk ia fali dhe e rrethoi Jeruzalemin për 18 muaj, deri në pushtimin e në rrafshimin e gjithë qytetit me tokën. Një masakër e vërtetë, që e ndan më dysh historinë e Izraelit e vetëdijen e tij për besnikërinë ndaj besëlidhjes me Zotin.

Interpretimi i lexuesit

         Lexuesi i zakonshëm i Biblës nuk duhet t’i kujtojë gjithë këto data e njoftime historike, por nëse nuk e mban mend ç’ndodhi në vitin 587 para Krishtit në Jeruzalem, nuk mund të kuptojë asgjë nga Izraeli e nga Besëlidhja e Vjetër. Pikërisht kjo datë shënon një “para” dhe një “pas”, në historinë e izraelitëve. Libri përfundon me Joakinin e liruar nga i biri i Nabukodonosorit, që do të thotë se Zoti, gjithsesi, nuk e kishte braktisur popullin e vet. Pikërisht këto ngjarje përgatitën ardhjen e profetëve në Izrael. Do të jenë ata, që do t’i bëjnë thirrje popullit t’i kthehet besnikërisë ndaj Zotit dhe ta bazojë shpresën në të ardhmen jo në aleancat ushtarake, por në zërin e Zotit, siç premton Isaia përmes orakullit, në kapitullin 19:

“Këtë qytet e mbroj vetë dhe e shpëtoj, për shkakun tim e për Davidin, shërbëtorin tim”(34).

07 qershor 2018, 16:15