Kryeipeshkvi i Kanterburit, Justin Welby me Papën Françesku Kryeipeshkvi i Kanterburit, Justin Welby me Papën Françesku  

Asambleja KEK: frika nga të tjerët është kurth për Evropën

Frika është pengesa më e madhe, që dëshmia e krishterë duhet të kapërcejë në Evropë. Rreth kësaj ideje foli kryeipeshkvi i Kanterburit, Justin Welby, në Asamblenë e përgjithshme të Konferencës së Kishave Evropiane (KEK), që përfundoi sot në Novi Sad të Serbisë.

R.SH. - Vatikan

“Frika është kurthi më i madh, që e pengon sot dëshminë dhe praninë e krishterë – nënvizoi kryeipeshkvi Welby të dielën, në asamblenë që filloi më 31 maj. - Frika nga tjetri na nxit të mos i kapërcejmë barrierat, si brenda e ndërmjet Kishave, ashtu edhe ndërmjet kombeve. Frika nga tjetri na bën të ndërtojmë mure, shpirtërore e fizike. Frika nga tjetri sjell ndarje e ndoshta, edhe rënien e qytetërimeve”.

         “Larmia – vazhdoi kryeipeshkvi anglikan, duke përvijuar përgjegjësinë e Kishave sot, në Evropë, – është një nga dhuratat e Evropës, por ta jetosh atë kërkon edhe dhuratën e pajtimit në gjirin e Kishës”. “Sa më shumë njerëzit bllokohen në kurthin e frikës nga Tjetri e sa më shumë kjo frikë manipulohet nga krerët politikë, aq më tepër Kisha, me praninë e saj, duhet të dëshmojë mikpritjen, përvujtërinë, shërbimin dhe dashurinë”. Modeli i propozuar nga Welby është ai i monakizmit benedektin, ku Kisha konceptohet si “bashkësi shenjte, bazuar mbi dashurinë e ndërsjelltë, mbi shërbimin dhe mbi mikpritjen. Prania dhe dëshmia e krishterë duhen propozuar me një zë bashkimi e pajtimi më të fortë se pushteti përçarës” i forcave centrifuge të nacionalizmave dhe sovranizmave të reja.

         Kryeipeshkvi anglikan e quajti Bashkimin Evropian “ëndrrën më të madhe realizuar për njerëzit, që nga rënia e Perandorisë romake të Perëndimit”. “Solli paqe, begati, dhembshuri për të varfërit e të brishtët, shpresë për gjithë popullin”. Në këtë Evropë, Kisha është e pranishme. “Me kërkimin e bashkimit, Kisha sfidon përçarjen e shoqërisë; me mikpritjen sfidon egoizmin dhe frikën nga tjetri; me përvujtërinë mund të pranojë edhe dështimet e veta e, si rrjedhojë, të falë e të kërkojë falje”.

05 qershor 2018, 14:03