Kërko

ostia eucaristia comunione Santa Messa ostia eucaristia comunione Santa Messa 

Solemniteti i festës së Korpit e Gjakut të Krishtit

"Ky është Korpi im, ky është Gjaku im”: këto fjalë i dëgjojmë çdo herë që kremtojmë Meshën Shenjte, Eukaristinë, do të thotë përkujtimin e Besëlidhjes së Re e të Amshuar që Zoti ka vendosur me njerëzimin nëpër Birin e vet Jezu Krishtin, për shëlbimin (shpëtimin) e mbarë botës.

R.SH. - Vatikan

Kisha katolike kremton sot festën e Korpit të Krishtit. Ky solemnitet është mister i pakapshëm për mendjen njerëzore që nuk ndriçohet nga feja, që nuk frymëzohet e gjallërohet nga dashuria e Krishtit. Kjo festë na kujton Sakramentin, në të cilin Krishti na la gjithë vetveten: korp e gjak, shpirt e hyjni. Prandaj edhe është konsideruar gjithnjë si më i shenjti ndër sakramente.

I Shenjtueshmi Sakrament, kujtesë e gjallë e flijimit të Krishtit Shëlbues, themeluar atë të Enjte të cilën e quajmë të Shenjtë e të Madhe, kur Shpëtimtari i njerëzimit, Jezusi kremtoi Pashkët e tij të fundit me apostujt e vet: ishte Darka e Mbrame, përmbushje e darkës së Pashkëve hebraike dhe përurim i ritit eukaristik.

Pra, në Eukaristinë Shenjte, Jezusi vërtetë e dhuron Korpin e Gjakun e Tij, bëhet Bukë e gjallë, ushqim i pashtershëm e i domosdoshëm për të gjithë shekujt. Eukaristia, themeluar nga Jezu Krishti në Darkën e Mbrame me apostujt, është Sakramenti intim, familjar, prandaj në Kishën e lashtë, kur jepej kungimi, shqiptoheshin fjalët: “sancta sanctis – dhuratë shenjte për shenjtorët”.

Kështu, “secili më parë të shqyrtojë mirë vetveten e pastaj të hajë nga kjo bukë e të pijë nga ky kelk!”. Megjithëse Eukaristia është forcë e cila shkon përtej mirave të Kishave tona, sepse në këtë Sakrament Zoti është gjithnjë për udhë, drejt botës, udhëve të njerëzimit. Për këtë Fjala e Zotit e kësaj feste na thërret të bëhemi rrugë e Krishtit që përshkon botën me dritën e Tij Jetëdhënëse. Në Bukën Eukaristike ne bashkohemi me Krishtin, e lemë veten të përshkohemi nga Ai që është Zot, Krijues, Shëlbues. Jeta jonë shkrihet me të Tijën, shndërrohet në jetën e Tij, që është dashuri e gjallë. Kështu Adhurimi Eukaristik bëhet pjesë e domosdoshme për t’u bashkuar përherë e më tepër me Të.

Kjo festë na flet me një gjuhë të mbinatyrshme, të vështirë për mendjen tonë njerëzore, e cila mbetet si e mundur nga misteri. Prandaj për t’i zbuluar thellësitë mahnitëse të pranisë së Krishtit në trajtën e bukës e të vërës, duhet pasur fe të gjallë, apo më mirë lypet feja e gjallëruar nga dashuria. Vetëm kush beson e kush dashuron, mund të kuptojë paksa nga ky mister i jashtëzakonshëm dhe i paarritshëm i fesë së krishterë, falë të cilit Zoti bëhet i afërt me vogëlsinë tonë njerëzore, kërkon lumturinë tonë, na tregon se Ai është dashuria e pakufishme që dhuron jetën e pavdekshme.

"Ky është Korpi im, ky është Gjaku im”: këto fjalë i dëgjojmë çdo herë që kremtojmë Meshën Shenjte, Eukaristinë, do të thotë përkujtimin e Besëlidhjes së Re e të Amshuar që Zoti ka vendosur me njerëzimin nëpër Birin e vet Jezu Krishtin, për shëlbimin (shpëtimin) e mbarë botës. Pra, në misterin e shenjtë të Korpit e Gjakut të Jezu Krishtit, Zoti i jep njerëzimit ushqimin, dhuratën e jetës, të bashkimit dhe të paqes.

Shën Agostini na ndihmon ta kuptojmë dinamikën e bashkimit eukaristik, kur kujton një lloj vegimi, që pat, në të cilin Jezusi i tha: ‘Unë jam shujta e të fortëve! Rritu, e do të të ushqej! Ti nuk do të më shndërrosh mua në ty, si ushqim të trupit, por do të shndërrohesh ti vetë në Mua! Kështu, pra, ndërsa ushqimi, që marrim çdo ditë, asimilohet nga organizmi ynë dhe i jep jetë, në rastin e Eukaristisë, është fjala për një tjetër lloj buke: nuk jemi ne, që e asimilojmë atë, por është ajo, që na asimilon ne, kështu që bëhemi një me Jezu Krishtin, gjymtyrë të Korpit të Tij, një gjë e vetme me Të.

31 maj 2018, 10:09