Shtegtimi i shqiptarëve në Gjenacan, te Zoja e Këshillit të Mirë Shtegtimi i shqiptarëve në Gjenacan, te Zoja e Këshillit të Mirë 

Shqiptarët te Zoja në Gjenacan. Imz. Frendo:lutemi të na mbrojë

Shqiptarët u mblodhën dje në Gjenacan, në shtegtimin e tyre të përvitshëm te Zoja e Këshillit të Mirë. Meshën e kremtoi kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Frendo.

R.SH. - Vatikan

Dëgjo lutjen nga homelia e imzot George Frendos

Me këto fjalë të kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Frendos, shqiptarët përshëndetën dje, në meshën e orës 11.00, në Gjenacan, Nënën e Këshillit të Mirë, i treguan travajët e hallet Zojës së tyre Pajtore e iu lutën të ndërmjetësojë pranë Zotit për ta. Si për vit, ata e mbushën plot shenjtëroren mariane, ku Zoja u vendos, siç thotë tradita, pasi u ngrit fluturim nga Shkodra, më se 550 vjet më parë, për t’u ikur hordhive otomane.

Shqiptarë nga gjithë Italia në Gjenancan

         Shqiptarë nga e gjithë Italia, dashamirë e miq të tyre vërshuan në qytezën pranë Romës, në këtë fund të muajit maj, kushtuar shën Marisë, siç ndodh tashmë çdo vit. Kishin ardhur jo vetëm nga kryeqyteti italian, por edhe nga rrethinat e nga zona të tjera e madje, një grup i madh, veshur me flamurin kuq e zi, edhe nga Lucca. Ishin shprehje e ambienteve të ndryshme të Kishës Katolike, e cila kujdeset edhe për bijtë e vet shqiptarë, por edhe familjarë e miq, ardhur në Gjencan me fëmijë e prindër.

Mesha u kremtua nga imzot George Frendo dhe imzot Angelo Massafra

         Mesha u kremtua nga kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Frendo, në bashkëmeshim me kryeipeshkvin metropolit të Shkodër-Pultit, imzot Angelo Massafra dhe me meshtarët shqiptarë, që shërbejnë ose janë për studime në Romë. Si gjithnjë, i pranishëm e bashkëkremtues, organizatori i këtij takimi të përvitshëm, don Pasquale Ferraro, përgjegjës për emigrantët katolikë shqiptarë në Itali. Në radhët e besimtarëve, në rreshtin e parë, edhe e dërguara me punë e ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, znj. Majlinda Dodaj, ambasadorja e Shqipërisë në Itali, znj. Anila Bitri dhe këshilltari i ambasadës së Kosovës në Itali, z. Ruzvelt Frrokaj.

Homelia e imzot George Frendos

         Homelia e imzot Frendos nuk mund të mos përqendrohej në solemnitetin e Trinisë Shenjte, të cilën Kisha e kremtoi dje. Gjatë saj, ai nuk harroi të përmendte se në çastin e zbritjes së Shpirtit Shenjt mbi apostujt, me ta ishte edhe Nëna e Krishtit, ajo, që i mblodhi edhe shqiptarët në Gjenacan.

Dëgjo pjesë nga homelia e imzot George Frendos

Dhuratat në fund të meshës

         Në përfundim të meshës, imzot Angelo Massafra i dhuroi bashkësisë së agostinianëve studimin e fundit mbi ikonën e Zojës së Këshillit të Mirë, që dëshmon se ajo është me origjinë bizantine, pra e ardhur në Gjenacan e jo e prodhuar në ndonjë vend të Italisë, siç është hipotizuar nga ndokush, pa baza. Ndërkaq, kryetari i bashkisë së qytezës laciale u dhuroi autoriteteve të pranishme kishtare dhe civile medaljen, që kujton 550-vjetorin e ardhjes së Zojës, por edhe 600-vjetorin e Papës Martini V, me origjinë nga Gjenacani. Pas meshës, këngë e valle, si edhe ushqime shqiptare e takime mes njerëzish, që nuk shiheshin prej kohësh. “Na mbledh Gjenacani e Zoja”: këtë të thoshin goja e sytë e qeshur të shqiptarëve, që i shtrëngonin dorën njëri-tjetrit.

28 maj 2018, 13:51