2018-02-06 cattolici santi Chiesa 2018-02-06 cattolici santi Chiesa 

Shenjtorët e javës 27 maj – 3 qershor

E diel 27 maj, Kisha katolike kremton festёn e Trinisё Shenjte. Festa e Trinisë Shenjte na thërret jemi bashkësi dashurie e jete sepse Zoti nuk është vetmi e pafund, por bashkim drite e dashurie: këtë na kujton misteri i Njënisë dhe e Trinisë së Tënzot.

R. SH. - Vatikan

Shenjtorët e javës 27 maj – 3 qershor

E diel 27 maj, Kisha katolike kremnton festёn e Trinisё Shenjte. Festa e Trinisë Shenjte na thërret jemi bashkësi dashurie e jete sepse Zoti nuk është vetmi e pafund, por bashkim drite e dashurie: këtë na kujton misteri i Njënisë dhe e Trinisë së Tënzot. Hyji është jetë e dhuruar dhe e marrë në një dialog të amshuar ndërmjet Atit e Birit, në Shpirtin Shenjt – i Dashuruar, i Dashur e Dashuri, siç shprehet Shën Agostini. Të kremtosh festën e të Shenjtënueshmes Trini për besimtarin domethënë t’i përgjigjesh dëshirës për ta njohur Zotin gjithnjë më tepër, por edhe të jesh i gatshëm ndaj manifestimit, shfaqjes së Tij Hyjnore: Ai i pari e dëftoi veten porsi Urti, porsi Fjalë dëftuese, porsi Dashuri jetike.

Gjithnjë mё 27 maj, kalendari kishtar përkujton shёn Agostinin, kryeipeshkёv i Kanterbërit.  

Të hënën më 28 maj, bie kujtimi i shën Gjermanit, ipeshkëv i Parisit dhe e shën Vilit. Rifillon koha e zakonshme e vitit kishtar, përmes së cilës Jezusi na kërkon t’i pastrojmë zemrat, për të zhdukur prej tyre çdo gjë që na pengon në ecjen drejt Tij. Duke u çliruar nga barrët e panevojshme, mund t’i lartojmë më lehtësisht sytë drejt qiellit e ta ndjejmë veten shumë më të lirë. 

Të martën më 29 maj, bie kujtimi i shën Ursula Ledohovskajas, themeluese e Orsolineve të Krishtit në agoni, që na kujton se ndjekja e Zotit përjashton çdo kompromis. Në se pranon ta ndjekësh Krishtin, duhet të heqësh dorë nga gjithçka tjetër. E atëherë do të vërejmë me gëzim se që në këtë jetë realiteti ynë nis të ndryshojë e zemra nis të na rrahë me ritmin e Zemrës së Zotit. Liturgjia na fton të lutemi: “Na e mëso, o Zot, rrugën e jetës”. 

Të mërkurën më 30 maj, bie kujtimi i shën Ferdinandit, mbret i Kastiljes e shën Zhanës d’Ark, virgjër. Jezusi kumton Pashkët e tij, por dishepujt duket se nuk kujtohen fare për këtë: arsyetojnë me logjikën njerëzore të pushtetit. E edhe ne si ata. E mos të harrojmë se logjika e Kryqit të Krishtit mund të fitohet vetëm me shpirtin e shërbimit.

Të enjten më 31 maj, kalendari kujton Pasinë e së Lumes Mari Virgjër te Shën Elizabeta, nga e cila lind ‘Magnificat’ ‘ Madhërimi’, kënga e cila madhëron Hyjin e Gjithëpushtetshëm për punët e mëdha që kryen në jetën e bijve të vet, që jemi ne njerëzit.

Të premten më 1 qershor, bie kujtimi i shën Justinit, filozof e martir. Liturgjia na kujton se Zoti e do popullin e vet, se i prin drejt së vërtetës, drejt takimit me Hyjin Atë. Zoti zgjedh në histori figura të veçanta për t’i dhënë mesazhe të fuqishme popullit të vet. 

Të shtunën që vjen më 2 qershor, bie kujtimi i shën Marçelinit meshtar, shën Pjetrit ekzorcist e martir dhe i shën Eugjenit, papë. Liturgjia na kujton se edhe sot, si në kohët e largëta, ftohemi të hapim mendjen e zemrën, për t’i bërë vend Fjalës Hyjnore që shëlbon. 

Të dielën e ardhshme më 3 qershor, Kisha katolike do të kremtojë solemnitetin e Korpit e Gjakut të KrishtitFesta lindi në rrethana të caktuara historike e kulturore me qëllimin që populli i Zotit ta ripohonte haptazi besimin e vet në Jezu Krishtin e gjallë e vërtetë të pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament. Është, pra, festë e themeluar për ta adhuruar, për ta lumnuar e për ta falënderuar publikisht Zotin i cili, në Sakramentin eukaristik, vijon të na dojë deri në fund të fundit, deri në dhurimin e korpit e të gjakut të vet.

Gjithnjë më 3 qershor, kalendari kujton edhe shën Karl Lvanga me shokë, martirë të Ugandës dhe shën Klotilda, mbretëreshë e frakëve.

27 maj 2018, 10:36