Kërko

Papa Gjon Pali II në Shqipëri më 25 prill 1993 Papa Gjon Pali II në Shqipëri më 25 prill 1993 

Përkujtohet në Vatikan 25-vjetori i Gjon Palit II në Shqipëri

25-vjetori i vizitës së Papës Gjon Pali II në Shqipëri mbledh në Vatikan personalitete të Kishës e të Selisë së Shenjtë për videon e realizuar nga redaksia shqip e Radio Vatikanit, në përkujtim të shtegtimit të paharruar të shenjtit polak në Shkodër e në Tiranë.

R.SH. - Vatikan

25 prilli i vitit 1993 ka qenë ditë e lume për shqiptarët, pasi pikërisht atë ditë, një shenjt shkeli mbi tokën, ku për gati 50 vjet ishin persekutuar të gjithë ata, që besojnë në një Zot të vetëm. Atë ditë të falur prej Hyut, në Tiranë e në Shkodër, shkoi Papa Gjon Pali II, i pari që vizitoi Shqipërinë, dheun e mbrujtur me gjakun e martirëve të fesë, të cilin Ati i Shenjtë e puthi sapo zbriti nga avioni.

Dokumentari "Ajo ditë e bekuar", prodhuar nga Radio Vatikani

         Në 25-vjetorin e kësaj vizite historike, gjatë së cilës shenjti polak i dhuroi Kishës Katolike në Shqipëri hierarkinë e saj të parë pas komunizmit, ambasada shqiptare pranë Selisë së Shenjtë e veçanërisht, e ngarkuara me punë znj. Majlinda Dodaj, organizon sot, në orën 16.00, në Filmotekën e Vatikanit, paraqitjen e dokumentarit “Ajo ditë e bekuar”. Prodhim i redaksisë shqipe të Radio Vatikanit – tashmë, Vatican News – dokumentari përshkruan gjendjen, që gjeti Papa, pas rënies së komunizmit, duke përdorur pikërisht njërën nga pamjet më të fuqishme e simbolike, siç është ajo e rrëzimit të statujës së diktatorit Enver Hoxha nga turma e pafund, që nuk e mbante dot gëzimin, por edhe persekutimin e klerit e të besimtarëve katolikë, për të arritur tek vizita e Gjon Palit II, që i ktheu dinjitetin çdo besimtari dhe e rithemeloi Kishën, që kishte mbijetuar si flaka nën prush.

Flet atë Federiko Lombardi, drejtori i atëhershëm i programeve në RV

         Në takimin e sotëm, do të marrë pjesë kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Frendo, kryeipeshkëv metropolit i Tiranë-Durrësit. Përgjegjësi i redaksisë shqip, don David Gjugja, në rolin e moderatorit, do t’u japë fjalën protagonistëve të organizmit të atij udhëtimi apostolik në vendin më të varfër të Evropës, udhëtim, që u përsërit edhe nga Papa Françesku më 21 shtator 2014. Vërtet, do të jetë i pranishëm e do të japë dëshminë e vet, ish-drejtori i përgjithshëm i Radio Vatikanit, atë Federico Lombardi, që në atë kohë ishte drejtor i programeve të Radio Vatikanit.

Intervista me imzot George Frendon

         Imzot George Frendo, i cili kryesoi të dielën, meshën e shtegtimit të shqiptarëve tek Zoja e Këshillit të Mirë në Gjenacan të Italisë, na flet, në mikrofonin tonë, për këtë përvojë dhe për veprimtarinë e sotme, në Filmotekën e Vatikanit, në 25-vjetorin e vizitës së Papës shenjt Gjon Pali II në Shqipëri. Ta dëgjojmë…

Intervista e don David Gjugjës me imzot George Frendo
29 maj 2018, 12:27