Kërko

 Luigi Ginami, autor i librit “Atje ku të krishterët vdesin” Luigi Ginami, autor i librit “Atje ku të krishterët vdesin” 

Një libër për të mbledhur britmën e të persektuarve

“Atje, ku të krishterët vdesin”: ky, titulli i librit, shkruar nga imzot Luigi Ginami, kushtuar martirëve të kohëve tona.

R. SH. - Vatikan

“Atje, ku të krishterët vdesin”: titullohet kështu libri, botuar nga Shtëpia Botuese e Shën Palit, shkruar nga imzot Luigi Ginami. Teksti është fryt i shtegtimeve të solidaritetit, organizuar nga Fondacioni Santina Onlus. Vë gishtin mbi plagët e shumë njerëzve, që vijojnë të vuajnë e të vriten për shkak të fesë.

Me një shikim të sinqertë e të qartë, libri i imzot Ginamit “Atje ku të krishterët vdesin”, përmbledh histori vuajtjesh e dhimbjesh, histori njerëzish që vijojnë ta mbartin kryqin e Krishtit në kalvaret e botës. E këtë e bën pa u nisur nga këndvështrime kritike, por duke u vënë në shërbim të një kauze të vetme: njeriut të martirizuar, nga urrejtja për fenë. Për çdo fe! E duke u munduar t’i mbledhë (po a mund të mblidhen) brimat e të martirizuarve e t’i ngujojë në faqet e një libri. Nësa për to nuk do të mjaftonte një bibliotekë e tërë! Që t’i dëgjojë bota indiferente e, të paktën, të tmerrohet para gjakut, që vijon të derdhë njeriu blasfem, duke e përdorur emrin e Zotit, për interesat e robit! Në librin e imzot Ginamit përmblidhen pikërisht britmat e njerëzve, që kanë mbi korp shenjat e urrejtjes fetare.  “M’u duk e drejtë të nisem nga dëgjimi i zërit të tyre, i britmës së tyre - shkruan në parathënie Prelati, kryetar i Fondacionit Santina Onlus - për të vënë në dukje fenomenin e për të  kërkuar, më pas, edhe rrugëzgjidhjet”.

Viset e vuajtjes

Një fill i kuq i lidh historitë e rrëfyera në libër, mbledhur gjatë katër misioneve të ndryshme, të kryera falë Fondacionit. E në faqet e librit dashuria për Ungjillin, për Jezusin, vijon të jetojë në korpin e martirizuar të të rinjve të Garisës, të  Kenias, të Nasren, vogëlushes irakiane jazide, që pa t’i shuhet barbarisht e gjithë familja. Në libër njihesh me dëshmitë dramatike të Gazës  e  me ipeshkvin Joe Alessandro, që i ka në trup shenjat e një atentati të fundamentalistëve, gjithnjë në Kenia. E me sa e sa të tjerë…

Nuk persekutohen vetëm të krishterët, por edhe myslimanët

Imzot Luigi Ginami kujton se “duhet mbrojtur islami i moderuar, ndërsa duhet dënuar ai fundamentalist, që i vret pa mëshirë edhe vetë myslimanët. Sipas  kërkimeve të fundit, Lindja e Mesme, nga fillimi i shekullit të kaluar e deri më sot, e pa praninë e krishterë duke rënë vazhdimisht aq, sa nga 20% që ishte, sot mezi arrin në 4%. Në Irak, të krishterët janë gati 260 mijë, ndërsa më 2003 ishin një milion e gjysëm. E këto janë vetëm disa të dhëna, që shërbejnë për ta parë qartë hemorragjinë në vijim, shkaktuar edhe nga avancimi i të ashtuquajturit Shtet Islamik.

Historia e Janet

Simbolike, në libër, historia e Janet Akiny, që u mbyt mizorisht, vetëm pse nuk pranoi ta mohojë Krishtin. Vetëm 22 vjeçe, para se të vritej nga terroristët e al-Shabaabit në fjetoren e konviktit të universitetit të Garisës, i nisi një mesazh të fejuarit, duke e siguruar se edhe në atë çast dramatik, e kujtonte e duke i kërkuar të lutej për të.

Po e kujtojmë fundin e saj

“I dashur, po vijnë për ne, duan gjakun tonë! Ku është ushtria, që do të duhej të na ndihmonte? Po na vrasin! Nëse nuk do të shihemi më, ta dish se të dua… të desha shumë… Lamtumirë! Lutu për mua!.. Zoti na ndihmoftë të qëndrojmë!”. Janë fjalët e shqiptuara  nga vajza e fshehur në një raft, ndërsa terroristët e al Shabbab endeshin nëpër fjetoret, duke grirë studentë e studente të krishtera. Edhe Janetin, që  e mbylli jetën me një akt të lartë feje e dashurie, dorëzuar një celulari, përballë urrejtjes së verbër të një plumbi, që ia përshkoi tej e ndanë kafkën.

Pastaj  historia e Lydias-s që ndenji shtatë orë në lidhje me prindërit: “Baba, jetët tona janë në grykën e dyfekut të al-Shabaab, mos më thirr më…”. E pastaj e shtëna, që prindërit e dëgjuan përmes celularit akoma të hapur…

Fjalë të nxjerra nga celularët

Fjalët e vashave të vrara, të nxjerra nga celularët e të shkruara mbi një copë letre të  kaltër, iu dorëzuan Robertit, profesorit të ri, që shpëtoi nga masakra e u nis t’i tregonte botës testamentin e dashurisë e të besnikërisë. E po ai tregoi edhe historinë e 13 të krishterëve, ardhur në Campusin e Kenias, vrarë në mënyrën më barbare, duke ua shqyer fytin ose duke i qëlluar drejtpërdrejt në kokë, për t’u kënaqur kur u pëlciste kafka e u derdheshin trutë. Që e shenjtëruan, kështu, atë auditor universiteti.

Fjetorja, ku ndodhën këto tragjedi, u bë vend me të vërtetë i shenjtë. Ndërsa në auditorin, shndërruar në vend masakre, me dërrasën e zezë, ku mbetën të shkruara pikat kryesore të mësimit, atë paradite tragjike, kur studentët e krishterë prisnin martirizimin, u kremtua një Eukaristi, e para që nga ai 2 prill i vitit 2015.

Këto e histori të tjera kushtuar situatave kritike në viset ku martirizimi është realitet, mund t’i lexoni në librin “Atje, ku të krishterët vdesin”, botuar nga Paolinët, shkruar nga imzot Luigi Ginami. Pa harruar se sot të krishterët  jetojnë në situata kritike në 13 vende: “Kinë, Indi, Irak, Pakistan, Siri, Sudan, Turqi, Egjipt, Eritre, Iran, Nigeri, Arabi Saudite e Kore e Veriut”.

Ndërsa në viset e zhvilluara të botës, persekutimi ka një fytyrë tjetër, atë të indiferencës fetare dhe të prirjes për ta përjashtuar fenë nga jeta publike, duke e mbyllur në jetën private, si të mos kishte një ndikim jashtëzakonisht të fuqishëm mbi ardhmërinë e mbarë njerëzimit. Që duhet ta pyesë veten: “Ku po shkojmë kështu?”.

 

01 maj 2018, 16:16