Përfaqësuesit e Kishës Katolike në nismën e "Dialogut kombëtar" Përfaqësuesit e Kishës Katolike në nismën e "Dialogut kombëtar" 

Nikaragua: kërcënohet me vdekje ipeshkvi i dialogut kombëtar

Për ipeshkvijtë e vendit, kërcënimet dhe shpifjet kundër imzot Silvio Bàez Ortega, bëhen “nga qeveria, të orkestruara përmes gazetarëve dhe mediave shtetërore e përmes përdoruesve të rremë e të fshehtë në rrjetet shoqërore”.

R.SH. - Vatikan

Konferenca Ipeshkvnore e Nikaraguas denoncon, me një komunikatë zyrtare cituar nga angjencia katolike Fides, fushatën qeveritare kundër klerit të vendit. “Ndodhemi – shkruhet në tekst – para nevojës urgjente për ta informuar popullin tonë rreth fushatës për diskreditimin e ipeshkvijve e të meshtarëve, si edhe rreth kërcënimeve me vdekje që marrim - në veçanti, sivëllai ynë imzot Silvio Bàez Ortega, ipeshkëv ndihmës i Managuas”.

Kush sulmon një ipeshkëv a një meshtar, sulmon Kishën

         Sulme të tilla ndodhin ndërsa po zhvillohen bisedimet e “Dialogut kombëtar” – në të cilat merr pjesë edhe imzot Bàez – organizuar nga Kisha, në përpjekjen për të ndërmjetësuar në konfliktin e qeverisë me palët shoqërore, pas një muaji protestash, që shkaktuan vdekjen e 76 vetëve dhe plagosjen e 868 të tjerëve. “U kujtojmë agresorëve se jemi një trup i vetëm”, vëren komunikata, “e nëse sulmohet një ipeshkëv a një meshtar, sulmohet Kisha: në këto orë vendimtare, nuk do të heqim dorë nga qëndrimi pranë popullit të Nikaraguas, i cili, nën bardh e blunë e flamurit, ka dalë në sheshe për të kërkuar të drejtat e tij të ligjshme”.

Imzot Bàez Ortega: nuk do të më përkulin e s’e kam ndërmend të hesht

         Në këtë situatë, një nga më kritiket e historisë së vendit, ipeshkvijtë ngrenë zërin kundër “shtypjes së egër të qeverisë, e cila kërkon t’u bëjë bisht përgjegjësive të veta si protagoniste kryesore e sulmeve”. Në “shërbimin profetik, që denoncon dhe kumton” e “si ndërmjetësues e dëshmitarë të dialogut kombëtar”, shkruajnë ipeshkvijtë për misionin e tyre, “jemi të thirrur të propozojmë dhe të promovojmë të gjitha rrugët e mundshme” për demokratizimin e kombit, prandaj “është detyra jonë shenjte të kumtojmë Fjalën e Vërtetë, që do të na bëjë të lirë”. Nga ana e tij, imzot Bàez Ortega pohon në Twitter: “Ata, që shajnë e shpifin për mua e dëshirojnë edhe vdekjen time, ta dinë se nuk kam frikë e se nuk do të më përkulin, as do të më detyrojnë të hesht. Besnikëria ime ndaj Krishtit dhe dashuria për popullin e Nikaraguas janë më të fuqishme se kurrë”.

23 maj 2018, 16:11