Kërko

Kundër eutanazisë Kundër eutanazisë 

Në Portugali fiton jeta dhe jo ligji i eutanazisë

Konferenca Ipeshkvnore e Portugalisë ngazëllen: votimi hodhi poshtë ligjin mbi eutanazinë. Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore të Evropës: në Bashkimin Evropian, për të luftuar vdekjen, të rizbulohet feja në Krishtin.

R.SH. - Vatikan

Dita e djeshme në Portugali qe nga ato të rëndësishmet e jetësoret. Në lojë, katër projektligje pro-eutanazisë dhe vetëvrasjes së asistuar, paraqitur nga e majta në qeveri e, përballë kësaj skuadre, fronti i kundërt, përbërë nga politikanë të moderuar, nga shoqëria civile pro-jetës dhe nga Kisha Katolike. Në parlament, propozimet legjislative për eutanazinë nuk arritën të kalojnë, por rezultati nuk është nga më të shkëlqyerit. Jeta fitoi kundër vdekjes vetëm sepse disa deputetë abstenuan. E megjithatë, mbetet fitore. Në një komunikatë, Konferenca Ipeshkvnore e Portugalisë shprehu “kënaqësinë për rezultatin e konsultimit, duke e quajtur triumf të jetës dhe sukses të demokracisë”.

Europa pa Krishtin, e ka humbur fenë, prandaj është kundër jetës

         Ai, që e njeh mirë zanafillën e debatit mbi “vdekjen e ëmbël” (siç quhet eutanazia) dhe e ka ndjekur që nga fillimi, është imzot Duarte da Cunha, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës. Portugez, me vështrim të kujdesshëm mbi ngjarjet ndërkombëtare, da Cunha nuk e fsheh gëzimin:

         “E gjithë shoqëria civile u mobilizua në debatin, që i parapriu votimit parlamentar. Shumica e njerëzve ishte kundër ligjit mbi eutanazinë. Në Portugali, aborti është ligjëruar që në vitin 2007, prandaj për shumë analistë, ligji mbi eutanazinë si pasojë logjike e ideologjisë, që e sheh jetën jo si dhuratë për t’u ruajtur me çdo mënyrë, por si mall me të cilin mund të sillesh lirisht si të duash. Kështu ka ndodhur në të gjitha vendet evropiane. Keni për ta parë – vëren më tej imzot da Cunha – do të ndodhë kështu edhe në Irlandë. Pas abortit do të mundohen të votojnë ligjin mbi eutanazinë. Ҫ’po ndodh me Evropën? Thjesht, është çkristianizuar. Nuk beson më se Zoti është krijues e na do. Por, fatmirësisht, nuk është kudo kështu. Ka kombe, si Polonia apo Sllovakia, ku po mundohen t’i ndryshojnë ligjet abortiste. Miliona qytetarë kanë mbledhur firma për fushatën ‘One of us – Njëri prej nesh’ në mbrojtje të embrionit. Pra, ka një debat të gjallë për kulturën e jetës e të vdekjes. Për të fituar, kemi nevojë për një aleancë ndërmjet gjithë popujve”.

Për të arritur vërtet fitoren kundër skuadrave të vdekjes, duhet rizbuluar feja, bazë e vlerave njerëzore falë marrëdhënieve të Zotit krijues, pa të cilin do të ishim të brishtë, thekson së fundi imzot Duarte da Cunha.

30 maj 2018, 16:49