Versioni Beta

Cerca

Vatican News
 Administratori apostolik i Tokës Shenjte, imzot Pizzaballa Administratori apostolik i Tokës Shenjte, imzot Pizzaballa  (AFP or licensors)

Ndeshje në Jeruzalem: imzot Pizzaballa kundër dhunës

Patriarkati Latin i Jeruzalemit i përgjigjet dhunës në vend me një mbrëmësore lutjeje për paqen dhe me një ditë agjërimi.

R.SH. - Vatikan

Me “dënimin e çdo forme të dhunës, posaçërisht asaj të tepruar, dhe çdo qëndrimi cinik ndaj jetëve njerëzore, me një mbrëmësore lutjeje për paqen  dhe me një ditë agjërimi”: kështu i përgjigjet Patriarkati Latin i Jeruzalemit “shpërthimit të ri të urrejtjes dhe të dhunës, që vijon ta gjakosë përsëri Tokën Shenjte. Në një notë, përmes agjencisë Sir, imzot Pizzaballa, Administrator Apostolik i Patriarktit Latin, shkruan “U shua përsëri jeta e shumë të rinjve e qindra familje qajnë mbi të dashurit e vdekur e të plagosur”.

Përsëri! Si në një rreth veskeq, detyrohemi të dënojmë çdo formë të dhunës, çdo përdorim cinik jetësh njerëzore, çdo teprim gjakatar. Edhe një herë detyrohemi nga rrethanat të ngremë zërin për të kërkuar drejtësi e paqe! Këto komunikata dënimi ‘përsëriten tashmë shpesh e ngjasojnë tepër me njëra-tjetrën’. Prej këndej, thirrja e ipeshkvit drejtuar mbarë bashkësisë së krishterë të dioqezës që të bashkohet në lutje për Tokën Shenjte, për paqen e gjithë banorëve të saj, për paqe në Jeruzalem, për të gjitha viktimat e këtij konflikti të pafund, në një mbrëmësore lutjeje për paqen, që do të kremtohet në Kishën e Shën Shtjefnit, të shtunën e ardhshme, nata e Rrëshajëve, ora 17.00. “E ftoj gjithashtu mbarë dioqezën - famulli rregulltare, shoqata e lëvizje - në këto ditë kur përgatitemi për solemnitetin e Rrëshajëve - kujton imzot Pizzaballa - për të kremtuar një ditë lutjeje e agjërimi kushtuar paqes në Jeruzalem e për ta shoqëruar liturgjinë e Rrëshajëve me lutje për paqen. Duhet ta lusim me gjithë zemër Shpirtin Shenjt - përfundon prelati - “të na i ndryshojë zemrat, që të mund ta kuptojmë vullnetin e Zotit e të na japë forcë për të vijuar veprimtarinë në shërbim të drejtësisë e të paqes”.   

 

 

 

15 maj 2018, 17:40