Kancelarja gjermane Angela Merkel Kancelarja gjermane Angela Merkel 

Merkel do të marrë, në Asizi, Llambën e Shën Françeskut

Nesër Kancelarja gjermane Angela Merkel do të jetë në Asizi, për të marrë, nga fretërit e Kuvendit të Shenjtë, një dhuratë të rrallë: Llambën e paqes të Shën Françeskut, për “veprën e saj të pajtimit në favor të bashkëjetesës paqësore ndërmjet popujve”.

Në Takimin, gjatë të cilit Kancelarja do të mbajë një Lectio, do të jetë i pranishëm edhe Presidenti i Republikës së Kolumbisë, Çmim Nobel për Paqen, Juan Manuel Santos, që e mori Llambën vitin e kaluar. Kancelarja do të arrijë në Kuvendin e Shenjtë të Asizit, në orën 11.00. Pas vizitës tek Varri i Shën Françeskut, e shoqëruar nga Rojtari i Kuvendit, atë Mauro Santos, do të shkojë në Bazilikën e Epërme, ku do të marrë dhuratën, Llambën e paqes të Shën Françeskut. Më pas, në Sallonin Papnor, do të mbahet një takim, në të cilin do të jenë të pranishëm më se 300 të rinj.

Dhurata Merkelit, për angazhimin në favor të emigrantëve

Rojtari i Kuvendit të Shenjtë, atë Gambetti, shpjegon se Merkel do ta marrë Llambën e paqes të Shën Françeskut për angazhimin e saj në favor të emigrantëve dhe për vizionin e një Evrope, që  është e thirrur të ecë e bashkuar, pa harruar t’i respektojë larmitë e vendeve të ndryshme. “Mungon një plan i përbashkët evropian, i miratuar nga të gjithë - vërejti  atë Gambetti - posaçërisht përsa i përket ardhmërisë së të rinjve, të cilët tepër shpesh janë të çorientuar”.

11 maj 2018, 19:21