Kërko

 E Lumja Leonella Sgorbati E Lumja Leonella Sgorbati  

Lumnohet motra Leonella Sgorbati, martire e faljes

Lumnohet motra Leonella Sgorbati, martire e faljes. U vra nga urrejtja për fenë nga ekstremistët islamikë të Somalisë, më 17 shtator 2006: u lumnua në ditën, kur pati marrë sakramentin e Krezmimit në vendlindje, Piacencë. Në kremtimin e lumnimit, Papa përfaqësohej nga kardinali Angelo Amatto, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve.

R. SH. - Vatikan

U vra nga urrejtja për fenë nga ekstremistët islamikë të Somalisë, më 17 shtator 2006: u lumnua në ditën, kur pati marrë sakramentin e  Krezmimit në vendlindje,  Piacencë. Në kremtimin e lumnimit, Papa përfaqësohej nga kardinali Angelo Amatto, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve.

“Të japësh gjithçka”, “të duash me gjithë zemër”, “t’i duash të gjithë” dhe “të falësh gjithnjë”. Këto angazhime kishte vënë në qendër të jetës motër Leonella Sgorbati, për të luftuar, kështu, ligështitë e përditshme njerëzore. Angazhime në dukje të vogla, por të vështira për t’u mbajtur, pa i tradhtuar për asnjë çast. Siç është, për shembull, angazhimi për të vënë buzën në gaz, në çdo rrethanë, edhe kur takon ndonjë të panjohur, për të marrë edhe ti, si përgjigje, një buzagaz, duke e bërë tjetrin sadopak të lum. Janë të ëmbla, kujtimet, që ruajnë  simotrat për këtë vashë të dashuruar me Atin qiellor, me Jezusin Eukaristik dhe Nënën e Tij, Marinë. E aftë për ta dhuruar vetveten për të mirën e të tjerëve, deri në flijimin e fundit: vashë e bindjes dhe e gatishmërisë së madhe, e përvujtërisë, e kushtimit dhe e heshtjes - siç nënvizoi kardinali Amato:

“Motër Leonella i jetoi plotësisht mundimet e saj, për Krishtin. Si dishepulle. Në kërkim të Zotit e të vullnetit të Tij. E shkëputur nga gjithçka. Gati për t’iu bindur zërit të Jezusit”.

Somalia: mision i heshtur dhe i rrezikshëm

“Nuk është vështirë të punosh, kur kërkon të duash e të të duan. E edhe Islami i vërtetë kështu është! Zoti i do të gjitha krijesat e veta”. Këto, fjalët që na la trashëgim motër Leonella, në një intervistë dhënë kur u nis për në Somali. Atje, veç, nuk ishte si në Kenia: gjeti një vend të shkretuar nga lufta civile e të molepsur nga ekstremizmi fetar. Nisi të formonte infemiere, duke u munduar që banorët vendas ta kuptonin se mësimet e saj nuk ishin kundër Kuranit. Po fundamentalistët dyshonin në gjithkënd e në gjithçka. E ungjillëzimi ishte i ndaluar rreptësisht. Ndërsa murgesha e patrembur, gjatë mësimeve të saj, vijonte ta mbillte farën e fesë, me kujdes e maturi të madhe, pa asnjë imponim. Ishte aty për Krishtin. Me një mision, që duhej kryer në heshtje e në shërbim! Tabernakulli me Jezusin Eukaristi në shtëpinë e murgeshave ishte i vetmi në të gjithë Shtetin. Por pavarësisht nga kujdesi e zelli për të shëruar plagët e këtij vendi, të gjitha rregulltaret, njëra pas tjetrës, u kërcënuan me vdekje. Ishin vetëm katër gra, pa mbrojtje, por kur u propozuan të largoheshin nga ai vend i trishtë, nuk pranuan. Rrezikuan. E mbetën aty.

Një vdekje e pritur, por farë që solli fryte

“Është një fishek, mbi të cilin shkruhet emri im, por vetëm Zoti e di kur do të shkrehet”. Këto, fjalët që i tha një ditë motër Leonella, njerës nga simotrat. Nuk vonoi e fisheku u shkreh! Ishte e diela e 17 shtatorit 2006: aty nga mesdita murgesha, si përfundoi mësimin me nxënëset për infermiere, po kthehej në shtëpi, e shoqëruar nga roja e saj, një islamik i armatosur. Rrugës “fisheku i premtuar” u nis drejt saj e i përshkoi kraharorin. Roja u mundua më kot t’i bëhej mburojë. U godit edhe ai e vdiq menjëherë E mbartur në spital, motra pati forcë vetëm sa të shqiptonte tri herë: “I fal ata, që më qëlluan”.  Kaq. Për t’u shuar  si qiri i tretur, që kishte ndriçuar deri në fund të fundit! Po fjala “falje”, e përsëritur tri herë, solli hirin e kthimit në fenë e krishterë të shumë vendasve, që e patën njohur .

“Martiri i krishterë - kujtoi kardinali Amato - nuk është shkatrrimtar fanatik, por mbrojtës heroik i jetës e lajmëtar i vëllazërisë, i dashurisë së krishterë, i faljes”.

E ipeshkvi i Gjibutit, imzot Giorgio Bertin e kujton kështu vdekjen e Leonellës: “Për mua, vdekja e një italianeje dhe e një somali, një kristianeje e një myslimani, një gruaje e një burri, flet vetë e na thotë se mund të vdiset së bashku, atëhere është e mundur edhe të jetohet së bashku!”.

Hetimet e autoriteteve vendase qenë të ngutshme e të sipërfaqshme, me qëllim që gjithçka të harrohej sa më shpejt. Por nuk ndodhi kështu. Ngjarja mbeti e skalitur në mendjet dhe zemrat e somalëve, që nuk do ta harrojnë kurrë motrën e Lume: nxënësit e saj e ndjenë se kishin humbur një nënë, por kishin fituar një yll, që vijon të shndrisë për ta në qiell!

27 maj 2018, 16:16