Kërko

Ascensione del Signore Ascensione del Signore 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës të të Ngjiturit të Krishtit në Qiell

Solemniteti i të Shëlbuemit, i Të Ngjiturit të Jezu Krishtit në Qiell, na tregon episodin e ndarjes së Jezu Krishtit Zot nga dishepujt e vet që nuk është braktisje, sepse Jezusi mbetet gjithnjë me ta, në një formë të re.

R. SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit, kësaj radhe meditojmë leximet biblike të solemnitetit të Të Ngjiturit të Jezu Krishtit në Qiell, ciklit të parë sipas kalendari liturgjik.

Solemniteti i të Shëlbuemit, na tregon episodin e ndarjes së Jezu Krishtit Zot nga dishepujt e vet që nuk është braktisje, sepse Jezusi mbetet gjithnjë me ta, në një formë të re. Festa e Ngjiturit e Jezu Krishtit në Qiell, që te shqiptarët quhet festa e të Shëlbuemit, të cilën Kisha katolike e kremtoi të enjten e kaluar, më 10 maj, po për arsye baritore ua propozon besimtarëve të dielën. Hyji është përherë me ne. Është pranë nesh në çdo moment të jetës sonë personale e komunitare.

Zoti e tërheq vështrimin e Apostujve drejt Qiellit, për t’u treguar si të ecin në rrugën e së mirës gjatë jetës së tyre tokësore. Po ai, gjithsesi, mbetet në zemër të historisë njerëzore, është pranë secilit nga ne dhe na prin në udhën tonë të krishterë: është shok udhe i të persekutuarve për shkak të fesë, është në zemër të të shtypurve, i pranishëm në njerëzit, të cilëve u mohohet e drejta për të jetuar. Solemniteti i Shëlbuemit të Zotit, nënvizon se Jezusi është gjithnjë pranë secilit nga ne e na prin në rrugën tonë të fesë së krishterë.

Të Ngjiturit e Jezu Krishtit në qiell nuk do të thotë lamtumirën e Tij nga kjo botë, por është një mënyrë ndryshe e të qenurit të pranishëm (Ungjilli). Nuk është më i dukshëm për shqisat njerëzore, por për ato të fesë.

Marku, në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele, na propozon ftesën e Jezusit të Ngjallur për t’ia kumtuar Ungjillin çdo krijese. Kështu, Solemniteti i të Shëlbuemit na kujton besimin dhe sigurinë e Jezusit në dëshminë tonë. Po të ndalemi tek kuptimi i solemnitetit të sotëm të të Ngjiturit të Krishtit në Qiell, dyzet ditë pas Pashkëve, kujtojmë se  Ungjilli, që flet për ndarjen përfundimtare të Jezu Krishtit -  për ndarjen përfundimtare të Të  Ngjallurit nga dishepujt e vet. Atyre, akoma dyshimtarë, pasi kaluan përmes zjarrit të mundimeve e të ngjalljes, Jezusi u lë detyrën e pafundme të ungjillëzimit të njerëzimit, duke mësuar e duke pagëzuar.

E Kisha e vijon që këtu misionin e saj. Që nga ky çast, prania e Krishtit në botë ndërmjetësohet nga dishepujt, ata që besojnë në të dhe që e kumtojnë. Ky mision do të vijojë deri në mbarimin e historisë, në praninë e përditshme të vetë Zotit të ngjallur, i cili na siguron: ‘Unë jam me ju gjithmonë ‑ deri në të sosur të botës!’. E pikërisht prania e Krishtit jep forcë në persekutime, ngushëllim në mundime, mbështetje në vështirësitë e këtij misioni e është pikërisht Ngjitja e Krishtit në Qiell, që na e kujton këtë.

Të Shëlbuemit na e kujton këtë ndihmë të Jezusit e të Shpirtit Shenjt, që i jep besim, i jep siguri dëshmisë sonë të krishterë në botë. Me këtë rast po kujtojmë edhe pse ekziston Kisha: Kisha ekziston për të kumtuar Ungjillin e Jezu Krishtit, vetëm për këtë! E edhe gëzimi i Kishës është të kumtojë Ungjillin. Kisha jemi të gjithë ne, të pagëzuarit. Sot grishemi ta kuptojmë sa më mirë se Zoti na dha dinjitet të madh e përgjegjësi të madhe për ta kumtuar në botë, për ta bërë të kuptueshëm për njerëzimin. Ky është dinjiteti ynë, ky, nderi më i madh, që na bëhet ne, të pagëzuarve.

Me sytë drejtuar nga qielli, në këtë festë – na porosit Kisha - t’i forcojmë hapat tonë për vijimin e misionit, të vetëdijshëm se ai nuk varet prej nesh. Jemi pra, të vetëdijshëm se kjo nuk varet në radhë të parë nga forcat tona njerëzore, nga aftësitë organizative dhe nga burimet njerëzore e materiale. Vetëm me dritën dhe me forcën e Shpirtit Shenjt Zot, ne mund ta kryejmë me fryt misionin tonë, për t’i bërë të tjerët ta njohin e ta provojnë gjithnjë më shumë dashurinë dhe dhembshurinë e Jezusit.

                                             Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi parë Vap 1, 1-11

Ungjilltari Luka na prezanton ngjitjen e Jezusit si fundin e një etape të planit të Hyjit, si shenjë të pranisë së përhershme të Jezusit në mes njerëzve. Me një prani të tillë hapet një kohë e re, ajo e Shpirtit dhe e Kishës misionare. Nga ajo ditë Ungjilli u dorëzua në duart tona. 

Lexim prej Veprave të Apostujve
Në librin e parë, o Teofil, fola për gjithçka Jezusi bëri dhe mësoi qysh prej fillimit deri në ditën kur u ngrit në qiell, pasi që u dha porositë apostujve, të cilët i pati zgjedhur nëpërmjet të Shpirtit Shenjt. Ai, pas mundimit të vet, me shumë prova ua vërtetoi apostujve se ishte i gjallë duke u shfaqur për dyzet ditë para tyre dhe duke u folur për Mbretërinë e Hyjit. Dhe, njëherë, ndërsa po hante bukë bashkë me ta, u urdhëroi të mos e lëshojnë Jerusalemin, por ta presin Premtimin e Atit: “Atë që dëgjuat prej meje: Gjoni ka pagëzuar me ujë, ndërsa ju, pas pak ditësh, do të pagëzoheni me Shpirtin Shenjt.” Tani ata që ndodhën bashkë me të e pyetën: “Zotëri, a thua do ta ripërtërish në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?” Ai u përgjigj: “Nuk është puna juaj ta njihni kohën dhe momentin që Ati ia ka përcaktuar pushtetit të vet. Por ju do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju dhe ju do të bëheni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari, madje dhe gjer në skajin e botës.” Dhe, kur i tha këto fjalë, ndër sy të tyre, u ngjit në qiell dhe një re menjëherë ua zuri para syve të tyre. Dhe, ndërsa ata me ngulm shikonin sesi ai ngjitej në qiell, ia behën dy njerëz të veshur me petka të bardha, zunë vend para tyre dhe u thanë: “O burra galileas, përse rrini kështu duke shikuar kah qielli? Ky Jezusi, që prej jush u ngjit në qiell, do të kthehet pikërisht kështu, si e patë se shkoi në qiell!”  Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!
 

Psalmi 47

Ngritët Zoti me këngë të hareshme

Duartrokitni, o popuj të gjithë,
brohoritni Hyjit me zë gëzimi!
Sepse Hyji është i tejetlartë, i tmerrshëm,
Mbreti i madh mbi tokën mbarë.

Ngritët Hyji me brohori,
Zoti me zë trumbete.
Këndoni Hyjit, këndoni,
këndoni mbretit tonë, këndoni!

Sepse Hyji është mbreti i mbarë tokës:
këndoni këngë me mjeshtëri!
Hyji mbretëron mbi mbarë popujt,
Hyji rri mbi fronin e vet të shenjtë

Leximi dytë Ef 4,1.13
Shën Pali mediton mbi misterin e ngjitjes së Jezusit në qiell dhe zbritjes së Shpirtit Shenjt duke u nisur nga psalmi 67. Jezusi Zot ka zbritur mbi tokë deri në thellësitë e ferrit, për tu ngjitur pastaj në qiell dhe për të marrë në zotërim gjithë universin. I ulur në të djathtën e Atit, dërgon Shpirtin Shenjt që mbron Kishën nga rreziku i mosmarrëveshjes mes të krishterëve dhe nga doktrinat heretike. Vetëm dashuria mund të ndërtojë njësinë e Kishës në të cilën Krishti është koka. 

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve
Vëllezër, ju përbej unë, i burgosuri në Zotin: jetoni denjësisht si i ka hije thirrjes që keni marrë: me plot përvujtëri, butësi e duresë; duroni njëri-tjetrin me dashuri! Bëni çmosin ta ruani njësinë e Shpirtit me anë të paqes që ju bashkon. S’ka por një Trup të vetëm dhe një Shpirt të vetëm – sikurse edhe jeni të grishur në një shpresë të vetme të thirrjes suaj. Nuk ka por një Zot, një fe, një pagëzim; një Hyj të vetëm, Atin e të gjithëve, i cili sundon mbi të gjithë, vepron nëpër të gjithë e banon në të gjithë. Edhe secilit prej nesh i qe dhënë hiri me atë masë me të cilën Krishti deshi të na e dhurojë. Këndej edhe thuhet: ‘Kur u ngrit në lartësi i mori dhe u dha dhurata njerëzve’. E ajo fjalë: ‘U ngrit’, çka do të thotë tjetër, por se më parë ‘zbriti’ këtu poshtë, përmbi tokë; Ai që ‘zbriti’, është po Ai që ‘u ngrit’ mbi të gjithë qiejt për ta mbushur gjithësinë. E Ai i ‘dha’ disa apostuj, disa tjerë profetë, disa prapë ungjilltarë, do të tjerë barinj dhe mësues, që shenjtërit t’i bëjë të aftë për veprën e shërbesës, për ndërtimin e trupit Krishtit, deri që të gjithë t’ia arrijmë njësisë së fesë dhe njohjes së Birit të Hyjit deri në gjendjen e njeriut të përsosur, deri në masën që i përket pjekurisë së plotë të Krishtit.  Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!
 

Aleluja, Aleluja

Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt, thotë Zoti.
Dhe, ja unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës
Aleluja

Ungjilli Mk 16, 15-20
Marku në tregimin e ngjitjes së Jezusit në qiell bashkon lavdinë e Krishtit dhe misionin e Kishës. Atë që ka prekur fundin e mjerimit njerëzor, Hyji e ka lartësuar; atij që është poshtëruar, Hyji i jep të gjithë besimin e tij. Nëse Hyji ka vepruar kështu do të thotë që duhet të shpallim veprën e çlirimit dhe të shpëtimit që Ati ka kryer në Birin. Ne e dimë që njëri prej nesh është tashmë në të djathtën e Hyjit dhe tërheq afër vetes të gjithë ne.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, Jezusi iu duk të Njëmbëdhjetëve dhe u tha: “Dilni në mbarë botën e predikoni Ungjillin të gjithë njerëzve. Kush do të besojë e do të pagëzohet, do të shëlbohet, ndërsa kush s’do të besojë, do të dënohet. Shenjat që do t’i përcjellin ata që do të besojnë, janë këto: në emër tim do t’i dëbojnë djajtë, do të flasin gjuhë të reja; në duar do t’i marrin gjarpërinjtë e, nëse do të pinë ndonjë send që sjell vdekjen, nuk do t’u bëjë keq. Do t’i vënë duart mbi të sëmurë, e këta do të shërohen.” Zotëria Jezus, pasi u tha kështu, u ngjit në qiell dhe rri në të djathtë të Hyjit. Kurse ata dolën e predikuan gjithkund. Zoti bashkëpunonte me ta dhe e përforconte fjalën me mrekulli që e përcillnin. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

11 maj 2018, 12:08